Kur flitet për ndikime të huaja gjuhësore, çështja më e parë që mund të shqyrtohej, është ajo e huazimeve. Teorikisht, njihet që sendi a dukuria (le të themi, një shpikje teknike a teknologjike) hyn nga jashtë bashkë me fjalën me të cilën ajo shënohet. Në shqipe dhe në gjuhë të tjera ka huazime nga latinishtja. Por në vetë latinishten ka huazime nga greqishtja e vjetër. Po të ecim më tej në histori, do të shohim se fjalë teknike, shkencore etj., që mund t’i quajmë greke, latine, italiane etj., kanë ardhur nga përtej tokës greke: algoritëm, algjebër, kalibër, nadir, zenit etj. janë fjalë arabe. Emërtimet botanike në shqip – jasemin, jonxhë, karafil, selvi janë huazime turke, por vetë turqishtja mund t’i ketë marrë nga persishtja. Pizhame e shampo,që kanë pushtuar gjuhët e Europës, janë: e para nga urdishtja, e dyta nga indishtja. Termat e muzikës në shumë gjuhë kanë hyrë nga italishtja. Terma sportivë, nga anglishtja. Pra, huazime ka në çdo kohë e nga shumë drejtime. Huazimi është po aq i vjetër sa edhe qytetërimi sepse një send i dobishëm a një koncept nuk mund të krijohet dy herë dhe kësisoj, mund të kalojë nga një popull te një tjetër bashkë me fjalën që e shënon. Fjala është kështu dokument historik. Etimologët shqiptarë, prof. Eqrem Çabej, prof. Idriz Ajeti, prof. Shaban Demiraj etj. kanë vërtetuar rolin dhënës edhe të shqipes. Atëherë, të nisesh me mendim paragjykues e t’i quash kryekëput të pavlefshme të gjitha fjalët e huaja, është mbrojtja më e padobishme dhe zgjidhja më e padrejtë. Kjo do të thotë që nuk mund të jemi kundër huazimeve gjuhësore që kanë hyrë ose që mund të hyjnë në gjuhën shqipe standarde, kur shënojnë një send të ri a një dukuri të re, kur hyjnë si terma në një fushë të dijes etj., pra, kur kanë zënë a kur mund të zënë ndonjë qelizë të zbrazët në sistemin e gjuhës. Ne jemi kundër fjalëve të huaja a me prejardhje nga gjuhë të huaja, që përdoren subjektivisht, pa vend e pa nevojë, sidomos në gazetarinë televizive, por edhe në mjaft përkthime e botime ekonomike, financiare, informatike etj. Ne jemi kundër fjalëve a shprehjeve të huaja, të marra drejtpërdrejt a të përkthyera drejtpërdrejt keq nga gjuhë të huaja, kryesisht nga anglishtja, të cilat janë bërë simbol e stil të kumtuari e janë kthyer gati-gati në zhargon (tipi impakt e implementim, promocion e akses, handikap e opsion, draft e suport, evazion fiskal e në respekt të… etj.). Ne jemi kundër fjalëve të huaja, që po zëvendësojnë fjalë a formime shqipe me jetë të qëndrueshme në gjuhë, jo vetëm në ligjërimin libror, por edhe në ligjërimin bisedor, të përditshëm. Mendësi e viteve ’30 të shekullit të kaluar (shih te gazeta “Drita” e atyre viteve) po zëvendësohet me mentalitet, bërthamor me nuklear, cilësi me kualitet, mirë (shkodranët kanë edhe mirakandas) me okei (me prejardhje të paqartë edhe në vetë gjuhën angleze), besueshmëri me kredibilitet, përqendrohem me fokusohem, zgjedhësit me elektorat, fshatar me rural, vendimtar me deciziv, i përsosur a i përkryer me perfekt, ndërgjegje me koshiencë (Kostandin Kristoforidhi, që më 1904 ka në jetën dhe në Fjalorin e tij fjalën ndërgjegje dhe si gjuhëtar, por ndoshta, edhe për mbushamendjen tonë, jep në kllapa motivimin fjalëformues shqip: ndër-gjegjem) etj.
A mund të quhet purizëm kërkesa për të mos përdorur fjalë të huaja të panevojshme në mjetet e informimit masiv? Jemi të bindur se nuk mund të ketë në rrethet tona gjuhësore, kulturore, mediatike etj. ndonjë mendim që e barabit kërkesën për të mos përdorur fjalë të huaja të panevojshme me purizmin, kur siç dihet, pastërtia është mundësia për të ruajtur vlerat gjuhësore e kulturore kombëtare (kurse purizmi është pastrim me çdo kusht, është prirja për të nxjerrë nga gjuha standarde çdo fjalë të huaj), kur kemi jetuar e jetojmë në një kulturë ku është treguar e tregohet gjithnjë respekti për gjuhën dhe përpjekjet për pastërtinë e leksikut të saj janë vlerësuar e vlerësohen gjithnjë të dobishme e në një vijë me vetë prirjen e zhvillimit objektiv të gjuhës, kur lufta për pastërtinë e shqipes ka qenë dhe është vetë historia dhe qenia e saj.
Psikologjikisht, fjalën e huaj (madje, edhe një fjalë të re të krijuar nga ne brenda shqipes) duhet ta përdorim si me frikë sepse nuk dimë si do të na e presin të tjerët (në parantezë: njeriu nuk shkruan për vete, por për të tjerët). Duhet pasur njëfarë frike se mund të mos jemi të sigurt për kontekstin ku e përdorim. Duhet pasur frikë sepse mund të jetë ngarkesë e panevojshme (balast) për gjuhën shqipe dhe marrim kështu barrë shumë të rëndë mbi vete: përdorim një fjalë të pavend, së cilës mund t’i krijohet trualli për t’iu ngulur trupit të shëndoshë të gjuhës shqipe standarde si këpushë , duke u përdorur edhe nga të tjerë, qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme e të pavullnetshme (gjuhësisht, njihen mekanizmat e mënyrat e hyrjes në gjuhë). Ky është shërbimi më i pamirë që mund t’i bëhet gjuhës kombëtare. Që të vijmë te fillimi i thënies sonë, te ne duket se s’ka të tillë frikë, (me keqardhje e themi) sidomos, në mjete të informimit masiv. Fatkeqësisht, fjalë të huaja të panevojshme a me prejardhje të huaj, gjithashtu, të panevojshme përdoren me mbushullí (bollëk); shih, p.sh.: për të celebruar festën; gjatë celebrimeve të sotme; çekimi i skuadrës; një çekap i lëkurës; pak çaste publicitet për të startuar pjesën e dytë; kanë inspiruar fushatën publicitare; kjo diskrepanci …; shellfi kontinental; hard talk; unë nuk i kuptoj apo se jam aut këtyre gjërave; ka progresuar …; mund të ishte prevenuar; intimidimi i gazetarëve; lëvizjet janë të limituara; atashohen e disatashohen; situata vjen duke u agravuar; ky vendim validohet; të shndërrohen në non-profit; t’i presë flokët për ekstension; antibreikixh flokësh; të jemi më kreativë; bekgraundi i presidentit; në ambientet e andërgraundit të kësaj shkolle; a do të lejohen frishopet; ka një handikap ligjor etj. Në demokraci, demokratizimi i jetës politike-shoqërore kërkon edhe demokratizimin e gjuhës së gazetave, të televizioneve e të radiove. Por këtë demokratizim nuk e bëjnë fjalët e huaja. E bën fjala shqipe, fjala me brumë e me formim shqip e pse jo, edhe fjala popullore (krahaso, p.sh., fjalën popullore përfush në kuptim të figurshëm me fjalën me prejardhje të huaj, ekspozoj).
Sigurisht, ka disa arsye subjektive për përdorimin pa vend të fjalëve të huaja. Do të përmendim vetëm dy. Së pari, është formimi i pamjaftueshëm gjuhësor e sidomos, njohja e pamjaftueshme e leksikut (fjalorit) të shqipes nga ndonjë gazetar, redaktor, përkthyes etj. Natyrisht, aksh gazetar, redaktor a përkthyes mund të mos e dijë, p.sh. që fjala mendësi dokumentohet në Kartotekën e leksikut të shqipes në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë që në vitet ’30 të shekullit të kaluar. Por, po të hapë Fjalorin e gjuhës shqipe, do ta gjejë dhe me metodat e teknikat leksikografike, i thuhet të parapëlqejë fjalën mendësi dhe jo fjalën e huaj mentalitet. Ka disa fjalorë shpjegues të gjuhës shqipe. Ka edhe dy fjalorë sinonimikë. Ka edhe një botim, “Për pastërtinë e gjuhës shqipe (Fjalor)”. Ka edhe një varg fjalorësh terminologjikë. Aty gjenden fjala shqipe, formimet brenda shqipes (tipi përuroj për inauguroj), këshillimet gjuhësore (tipi risi për inovacion) etj. Në fjalorë, për informacion a për këshillim, mbahet qëndrim edhe për fjalët e huaja që kanë njëfarë jete a tradite përdorimi, duke dhënë dysorin (dubletin) shqip (tipi sensibilizoj = ndjeshmëroj). Kurse për fjalë që konsiderohen mish i huaj për gjuhën, mbahet qëndrim më i prerë: këshillimi për to është të mos përdoren, prandaj nuk pasqyrohen në fjalorë. Dhe, kësisoj, në Fjalorë të gjuhës shqipe të këtij tipi e me këtë prerje nuk mund të gjenden fjalë të tilla, si akselerim, bipartizan, billbord, benefit, bllekaut, dekonfliktoj, diklin (profil në diklin), disponsibël, eksit poll, elaboroj, feirplei, frustrim, interferoj, kooperacion, obstruktiv, restriksion, supervizoj, toplistë etj.
Një arsye tjetër subjektive është mosnjohja e kulturës së gjuhës. Të njohësh kulturën e gjuhës nuk do të thotë të njohësh vetëm normën drejtshqiptimore, drejtshkrimore e gramatikore, por edhe normën leksikore e stilistikore, domethënë, të dish të zgjedhësh e të përzgjedhësh fjalën a shprehjen për thënien tënde. Ja një shembull. Në një televizion tonin është thënë: vendet e involvuara në konflikt …” . Nga pikëpamja drejtshqiptimore, drejtshkrimore e gramatikore, sajesa involvuar (pjesorja e foljes involvoj, si mbiemër prejpjesor) është e rregullt: është si të gjitha pjesoret e foljeve me –o•j të shqipes (siç dihet, shqipja ka aftësinë t’i rindërtojë fjalët e huaja në punë të shkrimit, të gramatikës etj.); por ajo nuk është e rregullt nga pikëpamja e normës leksikore: është fjalë e huaj (nga anglishtja involve e më tej, prej latinishtes), krejt e panevojshme sepse kemi fjalën shqipe përfshij / i përfshirë / e përfshira. Pra, nuk është kulturë gjuhe të përdorësh në kumtimin tënd një barbarizëm.
Të njohësh kulturën e gjuhës do të thotë të mos përdorësh fjalë të huaja të panevojshme, të cilat për më tepër, janë edhe krejt bisedore në një lajm a informacion, sepse lajmi a informacioni i përket ligjërimit libror. Shih, p.sh., anakronizmin gjuhësor në një lajm radiofonik: “Duket ashiqare … që në kontrollin me anë të lekut … // Ka avashllëk në mbledhjen e …”.
Kulturë gjuhësore do të thotë të njohësh normën fjalëformuese të shqipes. Supozojmë se nuk kemi mundësi tjetër, veçse të përdorim një formim nga një fjalë e huaj, le të themi, nga investigoj, që disa e kanë shumë për zemër në televizione. Atëherë, do të ishte më i mirë, më i motivueshëm dhe më i kapshëm varianti investigues e jo investigativ.
Kultura gjuhësore kërkon edhe drejtligjërim – bashkëlidhje reale, objektive të fjalëve. Fatkeqësisht, edhe këtu ka ndikime nga gjuhë të huaja, sidomos nga anglishtja. E, duke mos qenë reale e objektive, bashkëlidhjet tingëllojnë si sajesa të habitshme, krejt të pakuptueshme. Shih, p.sh.: ligji të adoptohet në kushte të reja [ligji nuk adoptohet, por miratohet]; emetojnë dashuri [= siç emetohen pullat e postës(?!)]; dyqani është pozicionuar në rrugën … [= dyqani ka marrë qëndrim a pozicion (?!)]; dosja më sensitive gjyqësore [= mbase, është dashur të thuhet sensible (?!)]; ju keni zgjedhur aksidentet [= njeriu zgjedh aksidentet (?!)];të gjithë vijnë nga jurisprudenca dhe implementohen në sektorë që nuk kanë lidhje me jurisprudencën [implementohen njerëzit, siç implementohen marrëdhëniet (?!)]; u instaluan policë rreth ambasadës [instalohen policët, siç instalohen pajisjet hidraulike në një ndërtesë (?!)]; në këtë panel do të akomodohet juria jonë [mirëpo, akomodimi lidhet më shumë me fjetjen (?!)] etj.
Atëherë, që subjektivisht, të mos hapim shteg për të depërtuar fjalë të huaja të panevojshme në mjetet tona të informimit masiv, a mund të biem në një mendje e të vendosim një kriter themelor për pranimin ose për mospranimin e tyre? Kriteri është vlera e fjalës së huaj në gjuhën shqipe standarde. Sipas këtij kriteri, në qoftë se fjala e huaj nuk shënon send të ri a dukuri të re, nuk shpreh nocion të ri a koncept të ri, nuk ka ngjyresë të re kuptimore ose shprehëse-emocionale e stilistikore – nuk ka pse të pranohet. Në raste të tilla, ajo është, thjesht dysor i fjalës shqipe (krahaso, p.sh. lider dhe udhëheqës, lidership dhe udhëheqje). Duke qenë dysor, nuk sjell as rritje sasiore të leksikut të shqipes, domethënë, nuk zë dot ndonjë qelizë të tij të zbrazët.
Gjuha është e të gjithëve dhe ruhet e zhvillohet nga të gjithë. Por mjetet e informimit masiv, me gjithë atë punë vigane që bëjnë e me gjithë atë ndikim të fuqishëm që kanë, luajnë rol të veçantë në këtë ruajtje e në këtë zhvillim. Ato kanë shumë shikues, dëgjues e lexues. Ka shikues, dëgjues e lexues kritikë, që dallojnë ç’është e drejtë dhe ç’është e gabuar. Por ka edhe të tjerë që në mënyrë të pavullnetshme përvetësojnë mënyra të gabuara ligjërimi, pra, edhe fjalën e huaj të pavend. Prandaj, mjetet e informimit masiv mund të ruajnë veten, por mund të ruajnë edhe të tjerët. Kësisoj, ato barazohen me shkollën. Se gjuha është kulturë që mësohet e që edukohet. Madje, gjithë jetën. Nuk mund të harrohet, gjithashtu se fëmijët tanë e marrin këtë gjuhë aty ku e solli brezi i mëparshëm. E, brezi i mëparshëm jemi ne.
Nje debat shume i rendesishem! Duhet shume pune pasi po humbasim jo vetem gjuhen por dhe njerezit. Ata analfabete qe jane mbi 50% neser do kene shtetesi shqiptare por nuk do dine te flasin shqip.
ik mor njerez a vler
me ndihmoi shume ky info thnxxxx 😛
kush t pyeti qe t ndihmoi shum??????????
kush te pyeti qe t ndihmoi?????????????
po ty kush ta kerkoi mendimin?
Përdorimi i këtyre fjaleve të huajve të panevojshme kanë ardhur si pasojë I pushtimeve të shumta.Faktor tjeter është edhe mesimi I gjuheve të huajve
Kjo është e vërtet sepse jemi pushtuar shumë her e nga pushtimet kemi mësuar gjuhë të tjera kemi fjalën penxhere kjo fjalë është turqishtja po ashtu edhe fjalën kafe që në turqisht thonë kave