Sëmundjet tumorale po përhapen me ritme të frikshme edhe në vendin tonë. Regjistrat e pacientëve të diagnostikuar në qendrën më të madhe spitalore “Nënë Tereza”, vënë në dukje se rreth 3500 pacientë të rinj në vit mësojnë se vuajnë nga një sëmundje e caktuar tumorale. “Kemi afërsisht 3500 raste të reja të kancerit çdo vit, sipas regjistrit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” por duhet theksuar se në vendin tonë kanceri kapet në faza të avancuara”, bëjnë të ditur burimet zyrtare të Institutit të shëndetit Publik.
Realitet ky që flet për një numër më të lartë të prekurish. Ajo çfarë konsiderohet si më shqetësuese sipas ekspertëve të shëndetit është fakti se diagnostikimet e vonshme bëjnë që sëmundja të avancojë aq shumë, sa edhe trajtimi mund të mos japë efektet e duhura në shëndetin e pacientit. Kjo pasi sëmundjet kanceroze mund të zhvillohen për vite të tëra pa simptoma të dukshme, shfaqja e të cilave ndodh në stadet më të rënduara të sëmundjes. Stili i jetesës, kequshqyerja, konsumi në nivele të larta i duhanit dhe alkoolit, mungesa e aktiviteteve fizike, ekspozimi nën grimcat e dëmshme kimike, mosha, si dhe faktorë të tjerë gjenetikë listohen si faktorët që ndikojnë në shtimin e sëmundjeve kancerogjene. Po ashtu edhe infeksionet kronike kanë një ndikim të madh në shfaqjen e sëmundjeve tumorale.
Specialistet e shëndetit vënë në dukje se një e pesta e të gjithë kancereve në mbarë botën janë të shkaktuara nga një infeksion kronik, për shembull “virusi i papillomës njerëzore” (HPV) që shkakton kancerin e qafës së mitrës dhe virusi i hepatitit B që shkakton kancerin e mëlçisë. Kanceri i shkaktuar nga infeksione virale të tilla si virusi i hepatitit B e C dhe “virusi i papillomës” njerëzore janë përgjegjës për deri në 20 për qind të vdekjeve nga kanceri në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Llojet më të zakonshme të kancerit që vrasin njerëzit janë: kanceri i mushkërive, stomakut, mëlçisë, i zorrës së trashë, i gjirit dhe kanceri i qafës së mitrës. Llojet më të shpeshta të kancerit ndryshojnë midis burrave dhe grave. Në shumë vende në zhvillim, kanceri i qafës së mitrës është kanceri më i zakonshëm.
Përdorimi i duhanit është faktori më i rëndësishëm i rrezikut për shkaktimin e kancerit, pasi ndikon në 22 për qind të vdekjeve në tërësi nga kanceri dhe 71 për qind e vdekjeve nga kanceri i mushkërive. Gjithashtu rreth 30 për qind e vdekjeve nga kanceri ndodhin për shkak të rreziqeve kryesore të mënyrës së jetesës dhe sjelljes, si: mbipesha e obeziteti, konsumimi i pakët i frutave e perimeve, mungesa e aktivitetit fizik, përdorimi i duhanit, përdorimi i tepruar i alkoolit, të cilat fare mirë mund të kontrollohen dhe të mbahen nën kujdes. Sipas të dhënave të raportuara edhe në studimin e bërë nga INSTAT rezulton se vdekjet nga tumoret zënë vendin e dytë në strukturën e vdekshmërisë së përgjithshme, ku format më të shpeshta janë tumoret malinj të aparatit tretës, të frymëmarrjes dhe ato urogjenitale.
Zbulimi i hershëm i kancerit mund të reduktojë vdekshmërinë nga kanceri. Për zbulimin e hershëm specialistët e shëndetit rendisin dy komponentët kryesore që nuk duhen neglizhuar si : “Diagnoza e hershme, e cila ka të bëjë me informimin mbi shenjat e hershme dhe simptomat (për disa lloje të kancerit si kanceri i qafës së mitrës, të gjirit dhe gojës) në mënyrë që të diagnostikohen dhe trajtohen herët, para se sëmundja të avancojë. Ndërsa e dyta ka të bëjë me depistimin. Ekzaminimi është përcaktuar si aplikimi sistematik i një testi në një popullsi asimptomatike (pa simptoma të dukshme). Ai synon për të identifikuar individë me anomalitë për kancer të veçantë ose anomali para-kanceroze dhe i referohen ata menjëherë për diagnozë dhe trajtim”.
Raportimet e autoriteteve shëndetësore
- Tumoret malinje të aparatit tretës janë 2 herë më shumë tek meshkujt se tek femrat dhe zënë 32 për qind të vdekshmërisë brenda grupit të tumoreve.
- Tumoret malinje të aparatit të frymëmarrjes janë 4 herë më shumë tek meshkujt se tek femrat.
- Tumoret malinje të gjirit janë 4 herë më shumë tek femrat.
- Tumoret malinj të organeve urogjenitale janë 1.6 herë më shumë tek meshkujt se tek femrat.
- Rreth 87.8 për qind e vdekjeve nga tumoret janë mbi moshën 50 vjeç. Vdekjet nga tumoret në fshat zënë 46 për qind