Një incident mes aktivistëve të Aleancës Kuqezi dhe punonjësve të policisë është shënuar sot paradite në qendër të kryeqytetit. Aleanca Kuqezi kishte planifikuar një tubim dhe vendosjen e një pankarte në zonën pas Muzeut Historik Kombëtar.
Tubimi i planifikuar do të kishte karakterin e një proteste ndaj premtimeve të pambajtura të qeverisë. Policia nuk e ka lejuar vendosjen e pankartës dhe as zhvillimin e tubimit, duke shpërndarë me forcë aktivistët. Sipas policisë, AK nuk kishte marrë leje për zhvillimin e një aktiviteti të tillë ditën e sotme.
Numri dy i Aleancës Kuqezi, Myslym Pasha, tha për mediat se Shqipëria ka qeverinë më skandaloze në botë. “Qeveri ka dështuar me privatizimet. Në vend mbizotëron skamja dhe varfëria. Shqiptarëve u bëhen 365 premtime në vit, por ato nuk mbahen. Duhet një model i ri për votën e shqiptarëve”, theksoi Pasha.