Shkëlzen Berisha është shfaqur publikisht në media për t’i kërkuar llogari një deputeti socialist përse nuk është paraqitur në gjykatë në seancë gjyqësore, në një proces të hapur prej tij. Nuk do t’ia vlente t’i kushtohej rëndësi zhurmës rreth kësaj deklarate, sikur ajo të ishte vërtet e bazuar tek shqetësimi për procesin gjyqësor. Shkuarja apo jo vetë, apo me avokat, në një proces gjyqësor, është çështje teknike dhe ka një procedurë gjyqësore që e rregullon këtë raport. I biri i Sali Berishës, i cili nuk ka guxuar të shkojë dot në gjykatë të sqarojë historinë e lidhjes së tij me biznesin vdekjeprurës të Gërdecit ku vdiqën 26 vetë, edhe pse është akuzuar publikisht me prova të qarta, po gjen rastin të bëj politikë me një procedurë gjyqësore që ka nisur ndaj opozitës.
Njësoj si e motra e tij, ai po përfshihet në politikë me shumë vetëdije. I sigurt se ka zgjedhur një ushtar të tij në krye të Gjykatës së Tiranës dhe akoma më i sigurt se pushteti i babait të tij ka prodhuar një sistem gjyqësor në shërbim të familjes, ai tashmë është i qetë nga procedura gjyqësore dhe kërkon të bëjë politikë me grafikun e gjyqeve që caktojnë shokët e tij në gjykatë. Në gjithë këtë zhurmë vlen vetëm fakti që Shkëlzen Berisha kërkon të bëjë debat publik doemos me deputetët e opozitës dhe të ketë rastin t’i kërcënojë ata verbalisht me shpresë se kështu do të zbusë peshën e akuzave për korrupsion ndaj tij.
Angazhimi i tij dhe i motrës së tij në deklarata politike, dhe kur nuk ua kërkon kush, janë një sinjal që tregon mungesën e qetësisë brenda familjes në pushtet.
Arsyeja kryesore se pse fëmijët e Sali Berishës nuk janë të qetë, është vetë Sali Berisha. Edhe pse ai i mban ata shumë afër, edhe pse ua ka dorëzuar gjithë çelësat e përdorimit të pushtetit për xhepat e tyre, edhe pse i ka bërë pronarët realë të Shqipërisë dhe lëshuesit e vetëm të lejeve, koncesioneve, hipotekave, ujit, ajrit dhe nëntokës së Shqipërisë, ai nuk i ka qetësuar dot ata për të nesërmen. Sikur Argita dhe Shkëlzeni të mblidhen në një darkë bashkë me babanë e tyre dhe të velur nga pushteti dhe ushqimi, befas njëri prej tyre ta pyesë të atin se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e tyre, në tavolinë mund të vendoset qetësi e frikshme. Sali Berisha, babai i tyre, nuk ka fuqi t’u dëshmojë as fëmijëve të vet çfarë u sjell e ardhmja e një pushteti si ai që po ushtron ai. Në vitin e tetë në pushtet, ai ka një bilanc lufte në qeverisjen e vendit. I biri i tij akuzohet se ka shkaktuar vdekjen e 26 qytetarëve në biznesin e tij, vetë Sali Berisha ka urdhëruar dhe udhëhequr vrasjen e katër qytetarëve më 21 janar 2011, së bashku si familje kanë dirigjuar dhe nxitur shkatërrimin dhe falimentimin politik të dhjetëra bizneseve kundërshtare të tyre, ose njerëzit i kanë penguar të ushtrojnë veprimtarinë e tyre, dhe mbi të gjitha brenda strukturave të pushtetit, ata kanë funksionuar si pushtet informal, të pambështetur në struktura të zgjedhura apo të votuara të pushtetit. I gjithë ky informalitet pushteti me pasoja dramatike për shoqërinë, gjeneron tek familja një ndjenjë makthi dhe pasigurie, sidomos tek dy fëmijët që janë bërë simbol i devijimit të pushtetit nga struktura shtetërore në struktura familjare dhe tribale.
E plotë online: gazetatema.net