Ka ndodhur ajo që në fakt pritej, pjesë e inskenimeve të Katovicës famëkeqe, ku u projektua vijimi i vazhdimësisë komuniste, nga pinjollët e Bllokut të kuq, duke mënjanuar, sorollatur nëpër dyer gjykatash të pafundme e përjashtuar nga politika, shtresën e persekucionit politik të këtij vendi.
Disa herë famijarët e të ndjerit Lirak Bejko, i cili u vetëdogj me benzinë në grevën e urisë, kanë bërë publike faktin që iu bëhet presion nga struktura të pushtetit, që iu përgjohen telefonat dhe ushtrohet ndaj tyre një politikë selektive shtetërore, në emër të klaneve të qeverisë. Po kështu ka deklaruar familja e Gjergj Ndrecës, po kështu ish zëdhënësi i grevës së urisë Skënder Tufa.
Ditët e fundit Shoqata Kombëtare e ish të Dënuarve Politikë, Shoqata e ish Invalidëve të Persekutuar Politikë dhe Shoqëria Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut-IGFM, me qendër në Gjermani – dega Shqipëri, kanë deklaruar publikisht dhunën verbale, psikike e fizike të ushtruar ndaj të riut Besmir Hykaj, për shkak se babai i tij, Besnik Hykaj, i cili ka kryer tetë vjet burg politik në ferrin e Spaçit, ka marrë pjesë aktive në grevën e fundit të urisë. Si rezultat, djalit të tij, Besmir Hykaj, i janë bërë disa herë survejime dhe kërcënime, nga persona të paidentifikuar, por që kuptohet se flasin në emër të klaneve të pushtetit aktual.
Pse ka frikë kjo administratë pseudo e djathtë nga pinjollët e ish të persekutuarve politikë? Pse kjo frymë përjashtuese ndaj atyre që kanë mbajtur peshën e kalvarit dikatatorial në shpinë dhe, për më tepër, pse vazhdohet me të njëjtën psikolgji përjashtimi edhe ndaj pinjollëve të tyre? Këtyre pyetjeve mund t’iu përgjigjen më së miri ata që janë në linjën e kësaj fobie ndaj shtresës së persekutimit politik të epokës diktatoriale, ata që dikur ishin në krye të këtij persekutimi dhe që kanë lënë bijtë e tyre, për të vijuar me metoda të tjera, më të kamufluara dhe më të përçudnuara akoma, psikologjinë e përbaltjes së ish viktimave. *Ish i përndjekur politik
Letër e nënshkruar: Dr. Gjovalin Doku
Sepse nje pjes e tyre jane spiuna sic kan qene ne komunizem.