Dalin në rrugë ‘topless’ dhe shkruajnë mbi lëkurë protestat e tyre. “Femen” nuk është më një fenomen i ri, tashmë është bërë një praktikë e konsoliduar e grave që rebelohen. Përse e bëjnë?
E themeluar në Kiev të Ukrainës, në vitin 2008, “FEMEN” është lëvizja femërore, e bërë e njohur në shkallë ndërkombëtare falë praktikës së aktivisteve që protestojnë gjysmë nudo kundër fenomeneve të seksizmit, prostitucionit, diskriminimi social etj.
Përse të zhveshura?
“Ndal sllavërisë seksuale”, “Sos Davos” janë vetëm disa nga sloganet që pjesëtaret e lëvizjes ukrainase “Femen” shkruajnë mbi lëkurën e tyre të zhveshur. Duke parë vajzat që sfidojnë qeveritë dhe forcat e rendit, lind natyrshëm pyetja se përse protestojnë duke i lënë në shtëpi rrobat e tyre.
E përditshmja gjermane “Morgenpost” në një intervistë me një nga drejtueset e lëvizjes “Femen”, Irina Khanova, i drejton pyetjen: “A është provokimi motoja juaj e vetme?” dhe aktivistja përgjigjet: “Ne vetëm kemi zgjedhur të mbajmë mbi lëkurë çështje të rëndësishme. Përse kapeni vetëm me formën dhe nuk shikoni thelbin e asaj që bëjmë?”. Megjithëse pohon se nuk dëshiron të bëjë provokime të tilla falas, ajo shton: “E bëjmë sepse në Gjermani ashtu si dhe në vendet e tjera të protestosh nudo ose gjysmë nudo është e ndaluar dhe kjo shkakton zhurmë. Që sloganet tona të tërheqin vëmendje lind nevoja e gjetjes së simboleve dhe forma jonë e të protestuarit është një e tillë. Lidhja midis prostitucionit dhe kampeve të përqendrimit është te ajo që nëse nazizmi i shkatërroi njerëzit, të njëjtën gjë bën prostitucioni me shpirtërat e grave”.
Disa nuk e marrin seriozisht protestën e “Femen” sepse gjoksi i zbuluar i tyre ndikon në gjykimin e njerëzve. “Pjesa më e madhe e burrave na shikojnë, por ata që janë inteligjentë, vendosin të diskutojnë me ne. Kjo nuk do të thotë që ne u drejtohemi vetëm atyre, mesazhi ynë u shkon edhe grave që duam të shpëtojmë. E kisha të vështirë në fillim të protestoja e zhveshur, por pastaj kjo ishte pjesa më e lehtë e iniciativës sonë”, thotë Kahnova.
Beteja më e fundit e “Femen” është ajo kundër prostitucionit. “Pjesa më e madhe e grave i janë nënshtruar këtij fenomeni për shkaqe ekonomike dhe pavarësisht faktit nëse është i vullnetshëm ose jo, të gjitha dalin të traumatizuara nga tregtia me trupin e tyre”, shprehet Khanova. Ajo shpjegon se para se të bëhej aktiviste e kësaj lëvizjeje jetoi 10 vjet në Hamburg ku studioi për grafik dizainer. Mendonte se mund të jetonte në mënyrë të lirë dhe si njeri i emancipuar, por pastaj e kuptoi se jeta e qetë nuk ishte për të, nuk mund të mbyllte sytë përballë padrejtësive sociale dhe ekonomike edhe pse ajo nuk prekej nga to. Që nga ai moment, ajo u bë pjesë e lëvizjes “Femen”.
Përgatiti: Dorina Gjuzi