Reshida Çoba*
1
E quaj fat marrjen pjesë në një nga ngjarjet më të mëdha të Haikut në Japoni… ngjarje që përfaqëson emrin e madh te Matsuo Basho, poeti më i njohur në historinë e Japonisë. Për nder të tij, çdo vit në 12 Tetor në qytetin e lindjes së tij, Iga Ueno zhvillohet festa e Haikut me pjesëmarrjen e poetëve më të njohur te Japonisë dhe fituesit e çmimeve të Haikut të vitit më parë
Eshtë kaq emocionale… kaq bukur kur një njeri i vetëm përfaqëson një vend e një popull të tërë, vetëm pse disa vargje të tij përcjellin fuqinë e artit, kulturës së vendit të tij … kur vija e kufirit personal shpall nevojën dhe e shtyn më tutje këtë kufi në më shumë eksperienca dhe e çon në tërësinë e artit si ekzistencë.
Përjetova momente, kur njeriu sillet shumë seriozisht me veten… me gjithëcka c’far mendon e duhet të mendojë më mirë… momente të castit e mbas… mbas e më tutje, kur vetja të duket fillestar edhe në artin që njeh mirë…. në atë art që nga dashuria të ngjan me njeriun… në atë art, ku dëshiron të dëgjosh emrin e vendit nga je dhe jo të vendit nga vjen.
Nuk doja të prezantoja stil e kulturë Amerikane dhe pse 20 vjet që banoj atje janë mjaft për ta përvehtësuar mirë… doja të isha e gjitha Shqipëtare… të shpija kulturën e gruas shqipëtare… kulturën që kam marrë nga vendi im, ku si akt biologjik, njoha veten si individuale. Kur njeriu ndihet mirë për vendin e tij, kjo nuk cënon, nuk dëmton askënd. Thjesht jemi një version intelektual, ku forca e fjalës nga subjekt përbën objektin… ku vetëm një fjalë e vetme sjell një tjetër gjë të madhe e me vlerë e për këtë merr me vete si shkëmbim më shumë autoritet, vlerësim, dashuri prej njerzve të një vendi tjetër, një kulture tjetër e shto këtu një kontinenti tjetër, ku ndofta vendi yt nuk njihet fare. Identiteti nuk diskutohet shumë, kur shumica janë të huaj, por është i rëndësishëm… në natyrën e tij njeriu e ka të zhvilluar ndjenjën e vlerësimit, dëshirën për të parë si respektohet, si dëgjohet nga të tjerët
Qyteti ku zhvillohej ngjarja e Haikut Basho ishte vetëm 20 min nga Hiroshima… anglishtja ime nuk ndihej më komode në afërsi të këtij qyteti zhdukur nga bombardimi, kur nga spikeri i trenit dëgjova stacionin Hiroshima … Hiroshima të drithëronte si një nga eksperiencat më të shëmtuara për njeriun
Qytetarët e artit te Bashos ishin mësuar me pritjet madhështore të poetëvë të Haikut, ishte viti i 72-të i ngjarjes, aq sa ishin mësuar dhe me turistët e shumtë që vizitonin këtë qytet për origjinën e artit Ninja (ninxha )… arti i Ninia. Organizimi i kësaj ngjarje ju ngjante rregullave e disiplinave strikte në bashkime kimikatesh, për të krijuar sinteza të rëndësishme… gjithëçka e qartë, e përpiktë, e mundshme. Në çdo karrige ku uleshin poetët kishte letra me shpjegime. Në programin dërguar secilit një natë më parë kishte shpjegime, udhëzime për çdo moment e akt veprimi. Në kodin e veshjes cilësohej prezantimi serioz, klasik… në veshjet dekolte të grave nuk duhej të dukej ndarja e gjinjëve a krahët jashtë… këpucët të ishin të mbyllura edhe në thembër. Statuja e Bashos, zbulohej e bëheshin homazhe vetëm njëherë në vit, në këtë ditë feste. Festa fillonte në orën 8:30 të mëngjesit me ceremoninë në varrin Basho, ku ishin vetëm flokët e tij që kishte sjellë dishepulli personal, trupi i tij ishte djegur
Në orën 9:30 ishte ceremonia e çajit, ku servirnin firmat më të njohura të Çajit Jeshil me gota e paisje të sofistikuara… vazhdonin përshëndetjet, fjalimet dhe në fund ngjiteshin fituesit e Haikut një nga një në qendër të tempullit para Bashos statujë, ku duhej të vendosje lule e të nderoje me mënyrën e tyre të përkuljes
Në kohën e pushimit, në dhomën e ceremonisë të çajit, vjen mesazhi nga Muzeumi Basho për temën e Haikut qe do shkruhej nga poetët e që do prezantojë këtë ngjarje vitin tjetër. Tema ishte :
– “Hëna tipari më i mirë i vjeshtës”.
Basho ishte i dashuruar me atmosferën e hënës. Sigurisht çdo poet do përdorte fjalë të tjera për këtë subjekt dhe koha për këtë ishte gati 90 minuta. Kishte dhe të tjera grupe ku poetë të caktuar mblidheshin e zhvillonin mënyra të tjera konkursi Haiku. Gjithëçka ishte e organizuar e shumë komode për të marrë pjesë në këto konkurse… nuk kishte vend për asnjë gabim, a një Haik të përgatitur më parë. Letra ku do shkruaje Haikun kishte shënim nga Libraria Basho dhe pranë emrit të poetit duhej të vije një vulë nga 5 vulat që ishin mbi tavolinë, të përdorura nga Maestro Basho(sigurisht ato nuk ishin origjinalet ). Inteligjenca e Japonesëve dhe idetë e tyre gjithmonë krijojnë supriza që i kupton vetëm kur të lind pyetja e të duhet zgjidhje. Në hyrje të Kështjellës Basho kishte disa distinktiva që gjithë poetët i vendosnin mbi veshjen. Pupla e kuqe që unë mbaj në fustan dhe gratë e tjera në foto me mua, të krijonte mundësinë të shkruaje një Haik për puplën.
Dhomat e çajit ku konkurojnë Haiku janë shumë të njohura në traditën e Haikut. Poetët e Haikut gjatë formimit të poezisë në grup ishin tepër të përqëndruar, punonin veç e veç, por dhe bashkëbisedonin, ndanin idetë… gjithësekush krijonte një varg, tjetri vazdonte vargun tjetër, pë r të krijuar tekstin e një Haiku të vetëm. Traditë tjetër Haiku ishte që, tre-katër poetëve ju lexohej i njëjti Haik dhe secili ngrinte idenë e tij ndryshe mbi këtë Haik, për një kohë të caktuar. Këto quheshin Grup Pune Me Kohë. Në grup zgjidheshin poetë me të njëjtin nivel apo sukses dhe luftonin gjatë deri sa gjenin diçka të rëndësishme në sekretin e Haikut, te goditja-prerje e dy imazheve, supriza në mbyllje me një Uha… aaa !!!
Unë sigurisht shkrova Haiku dhe për temën e dhënë dhe për Puplën e Kuqe që mbaja në fustan. Përshtypja mbi Haikun Shqiptar ishte gjetja e temave dhe erotika kaluar në mënyrë tangente edhe kur trajtohen akte trupi, prekje a epshi. Haiku me një varg që unë shkruaj dhe Haiku erotik shpjegohen si më të vështirët… nuk e kanë të sigurtë suksesin dhe është më i mundshëm dështimi, ku edhe poetë të sukseshëm kanë dështuar
2
Poetja Japonese e Haikut erotik Aoorashi Miminashi Ymano u shpreh:
“Është kaq e vështirë, se si mund të arrish të mos paguash për një faturë erotike, të mos ngatërohesh aspak me direkten, me vulgaren, vetëm sepse ke ditur të luash mençur me mendimin e thellë dhe nuk ke përfituar aspak nga fjalët ndihmuese”.
Mbas shprehjes së saj, kuptova se gjithëçka kisha bërë për poezinë, gjithë mundimi e netët pa gjumë meritonin të njiheshin, pikërisht atje midis poetëve te Haikut… atje në vendin e Haikut. Kam studjuar e shpenzuar kohë për këtë formë të mençur poetike, duke marrë borxh orët e gjumit me të nesërmet plot lodhje-lëvizje, punë në Hollivudin e zhurmshëm, gjithë stres e trafik. Kam shkruar këtë vit… kam shkruar shumë, më shumë poezi se Haiku, pa më ngacmuar idea e botimit. Kjo flet për një marëdhënie më të mirë me poeten brenda meje e pretendimin ndaj poezisë. E gjitha ç’far prisja nga progresi i shkrimeve, ishte të lija ndjenjën e përshtypjes më shumë te vetja se te të tjerët… takimi që kisha me Haikun Japones në Japoni, të kthehej në ngjarje për veten. Sigurisht e dija se ajo lumturi nuk do zgjaste shumë… gratë e artit, me pretendime e kërkesa për veten, për fëmijët, njohuri e detyrime ndaj të tjerëve, nuk bëhen dot të lumtura… ato nuk do jenë asnjëherë pa rrëmujën, mungesën e kohës… vështirë për to të dorëzojnë mërzitjet e tyre mediokre… mërzitjet gjenerale
Gjithmonë luftoj të jem një grua tepër korrekte… tepër e djeshme… tepër e nesërme
Në Japoni ndërtova një realitet të kapshëm për Haikun, për poezinë, për poeten. U ktheva me një ton pyetje e detyra për veten, fillova të kërkoj më shumë rregulla e kode, të dalloj e vlerësoj mirë forcën personalë të vetes, forcën e prezantimit, të mendimit, të zërit të gruas që dëgjohet mirë kur ka njerëz që dinë të dëgjojnë.
3
Natyra ime nuk është rreth të qënit në rregull apo gabim, ështe diçka më tej… rreth ngacmimeve, sinjaleve të brendëshme që përcaktojnë qëllimin e gjërave, karakterin e tyre te unë. Jemi qënie vibruese… informacioni brenda nesh nuk është i ngurtë, ai lëviz, bëhet ide, llogjikë, dëshirë, filozofi, pretendim dhe nga qëllimet, marëdhëniet me to përcaktohet karakteri personal.
Takimi me artin e madh te Haikut, me poetët e njohur të Haikut ishte një ndikim, motivim ndryshe. Kultura, respekti, fisnikëria e tyre, bënin të ndjeheshe e rëndësishme, kur gjithëçka rreth teje ishte e rëndësishme. Haiku në Japoni nuk ndihej më shumë si një karierë arti, por një mënyre e të jetuarit me art. Haiku është i tillë… kur njihesh mirë me të nuk ndihesh asnjëherë vetëm, asnjëherë i lirë, gjithmonë je në bisedë konkrete me diçka për rreth, me kohën që po kalon mbi ty majtas apo djathtas, gjithmonë ke ide mbi botën, dhe ve re mirë elementët qe ndikojnë mbi të
4
Në Japoni gazetat kryesore të ditës kanë kollona plot Haiku në faqen e parë… 10 milion njerëz marrin pjesë në takimet e Haikut dhe konkurset.
Gazeta Haiku Journal Hototogisu krijuar qysh në 1897, ku redaktor ishte një nga katër maestro të Haikut Masaoka Shiki, është gazeta më e shitur në Japoni… nga aty dalin konkurse e fitime të mëdha për poetët e Haikut aq sa dhe nga reklamat Coca- Cola. Haiku fitues shkruhen në kupa çaji e shiten kudo. Ka një kanal televiziz për Haikun, NHK, i cili prezanton programe në vazhdim Haiku
Muzeumi i Haiku Literaturë në Tokyo ishte një shkollë e madhe e kulturës, historisë së artit Japones, ku ishin demonstruar gjithë Haiku origjinal shkruar vertikalisht ne bamboo nga Basho e tre maestrot e tjerë Issa, Buso, Shiki
Në Tokyo shiteshin 100 revista Haiku… . kjo do të thotë se kjo formë poetike ku fillimet e saj janë shfaqur qysh më herët, ne vitin 700-800 dhe lulëzoi plotësisht në vitin 1600-1700, jo vetëm nuk humbi, por po njeh suksesin e saj
Të gjitha format e e poezisë, ashtu si Haiku e Soneta Shekspiriane hynë në milenium tonë, por jo të gjitha i rezistuan kohës, jo të gjitha format u rritën, apo u rrëmbyen nga kultura të tjera. Shekspiri perfeksionoi pentametrin e gjuhës angleze e dramën bazuar në të dhe po kështu Basho jo vetëm përsosi Haikun nga Soin Nishiyama, por vuri një vulë të fortë për Haikun, aq sa jo vetëm poetët Japonesë nuk i ikin dot Haikut, por dhe poetë të kulturave të tjera e shkruajnë atë. Dallimi… drama angleze e vargjeve u dobësua brenda shekullit Shekspir, ndërsa Haiku jo vetëm rriti vëmendjen e tij në kulturën Japonese por u adhurua e u bë pjesë e kulturës poetike edhe në Perëndim. Në shumë vende të botës janë ngritur shoqëri Haiku e kanë revista Haiku në gjuhën e tyre. Emra të mëdhenj te poezisë botërore edhe fitues te çmimit Nobel Prize studiuan e shkruan Haiku, Robindranath Tagore, Tomas Transtromër… poetët e njohur Octavio Paz William Carlos Williams, Ezra Pound, Alan Spence, Jack Kerouac etj
Haiku qysh në fillimet e tij kishte pretendime aristokrate… ai lindi në Japoni si nevojë për zbavitjen e elites
5
Si erdhi frymëzimi për haiku… HOMELESS DAY–DITA E TË PASTREHËVE
Dita e lypsave të tjerët i ushqejnë, unë i ftoj në vallzim
Ishte mëngjes i ftohtë, i ndritshëm Dhjetori, vazhdoja të ecja nëpër shtegun e këmbësorëve me pamje nga Oqeani Paqësor, Santa Monica, Los Angeles, ku ishin mbledhur shumë lypësa e të pastrehë. E vë mëndshme në natyrën time për detaje, vura re se të gjithë fytyrat e tyre ishin një përzierje e frikës, zemërimit, turpit, kotësisë. Dukej se të pastrehët ecnin nëpër tavolinat bamirëse nga një inerci që ju përcillej vetëm në trup, fytyra ishte një diçka tjetër, e ngrirë, e turpëruar… i fshihej dritës. Secili të krijonte përshtypjen se kishte një vend të caktuar në ajër ku depozitonte sekretet, brengat, lotët, ankesat.
Njëri nga ata qëndronte i ndarë nga të tjerët, ecte duke shikuar në mënyrë të painteresuar, dukej i çuditur, një krijesë pa minutën në vazhdim. Kishte sy të mëdhenj, flokë të pluhurosur në gri dhe lëkurë të lodhur, ekspozuar ndaj elementëve të natyrës… por dhe me gjithë këto prezantonte një karakter të këndshëm. Munda të shihja tek ai, atë që ai ishte dikur. Nuk mbante asgjë në dorë, kaloi pranë meje dhe e pyeta… pse nuk merrni diçka nga ndihmat. Përgjigja e tij : – “Nuk kam nevojë per asgjë … unë e kam hedhur jetën time… jam gati të vdes edhe tani”. Fytyra kishte një sinqeritet të plotë, tutje çdo dyshimi, për ato që thoshte. Zëri i tij edhe ashtu si një mot i këputur, ende ishte kaq i vërtetë. Mu errësua bota, fillova të mendoj se ç’mund të bëja për të – ai kish nevojë për diçka më shumë se ushqimi, rrobat, më shumë se katër muret, që dhe ato nuk i kishte.
Parkuar pranë tyre në rrugë, hapa derën e makinës, shpejt vura sidinë Leonard Cohen me këngën “Vallzomë deri në fund të dashurisë “ Përkula trupin para, i zgjata dorën në gjestin e kërkesës për vallzim dhe prisja. Fytyra e tij e shokuar, nuk më tha asgjë, por këmbët e tij lëvizën shpejt dhe trupi i fluturoi nëpër duart e mia. Ndjeva sikur mbaja një pjesë të universit mbi duar, mbushur me dritë, valë, harmoni. Isha tronditur… isha transportuar dhe unë diku, i përkisnja një tjetër hapësire e kohe. Kur kënga mbaroi, ai tërhoqi një letër nga brenda çorapes, shkroi diçka, e palosi me kujdes dhe ma la në dorë :
“Ju më bëtë të ditur se nuk e kam humbur jetën të gjithën… jam gjallë… se ende kam ndjenjë. Një grua e mençur, veshur me një zemër të bukur nën fustanin mëndafsh, më vallzoi në qiell. Kisha djegur çdo urë të imagjinueshme për të jetuar një moment të tillë”. Duke parë njëri-tjetrin pa folur, nuk më kujtohet se kujt nga ne i zbritën lotët në fillim. Ajo këngë dashurie, më e preferuara imja, u luajt shumë herë… shumica e të pastrehëve i linin gjërat në tokë dhe kë rcenin. Atë ditë zbulova se më shumë se çdo gjë, të pastrehët humbin lidhjen e dashurisë njerë zore, lidhjen që vjen nga marrëdhënie të ngushta, të ngrohta… janë qënie njerëzore dhe si të tillë janë motivuar rrënjësisht nga nevoja për t’u takuar, për të formuar dhe ruajtur lidhjen ndërpersonale. Atë ditë ndjeva se përqafimet dhe lotët e tyre kishin shkruar në shpirtin tim. Bëra maksimumin tim… ja u ndriçova ditën atyre dhe nga dhimbja kisha errësuar vështrimin tim për jetën, njeriun. Natën, kur i mbylla sytë të flija, ata filluan të kërcenin në sytë e mi një nga një… ashtu të perlotur, të vuajtur… herë i shihja nga afër e herë nga larg, por gjithmonë arrija të prekja dhimbjen e tyre… mendoja për ta. . për këtë Haik, që doja të dedikoja atyre.
*Poete shqiptaro-amerikane, e cila është nderuar me çmimin e pare të haikusë për v. 2017-2018.
Sa te rrosh do MESOSH-thote nje fjale popullore jona.
Nje jete,sot 83 vjecar,po nje krijim te tille letrar origjinal ,nga jeta e nje pene, nuk kam lexuar. Faleminderit cup a zonja Poete Shqiptaro Amerikane, ju sjelle si dhurate nje gjyshi per vitin e Ri 2019-te. Do vdisia, pa nje informacion te tille te ralle.Faleminderit Nje mjeshtere e vertete e Fjales shkruar shqipe.
Miresite ju shoqerofshin.
Dashamires lexues 83 vjecar ne rugete emigracionit.
-Sa te rrosh do mesosh- thote nje fjale popullore jona.
Suksese kete vit te Ri nisur.
Toronto12-01-2019 Guri Naimit D.