Pesë familje të tjera rrezikojnë të mbeten në mes të katër rrugëve, pasi godina dykatëshe ku ata banojnë duhet t’u kthehet ish-pronarëve. Sipas aktit normativ të miratuar nga qeveria dhe parlamenti, familjet duhet të lënë menjëherë ambientet e banesës dykatëshe e ndërtuar në vitit ’50.
Ndërsa Përmbarimi ka nisur procedurat për lirimin e banesave, banorët kërkojnë që shteti t’u japë një zgjidhje, pasi ata jetojnë në këtë godinë që kur është ndërtuar.
Një nga familjarët deklaroi për median “News 24”: “Kam lindur në këtë shtëpi. Në kohën e privatizimit në vitit 1992 ne na u tha prisni, nuk na e dhanë shtëpinë, ngelëm si të pastrehë. Tani kaluan 70 vjet, pronari do pronën e tij. Shumë mire, le ta marrë, por edhe familja ime ka dhënë kontributin e saj. Pse nuk na trajtojnë ne si shqiptarë? Kur të gjithë i kanë privatizuar shtëpitë, ne pritëm shtetin. Shteti të më quajë edhe mua bashkëpronare”.
Sipas banores, ajo nuk mund të përfitojë as kredi dhe as banesë sociale, sepse është pensioniste dhe nuk i lejohet të marrë kredi. “Unë jam në proces gjyqësor për këtë punë”, është shprehur ajo.
Akti normativ që u kthen shtëpitë ish-pronarëve po lë në mes të rrugës dhjetëra familje të tjera.