Një dioqezë katolike në Siçili u ka kërkuar publikisht falje prindërve të indinjuar, pasi peshkopi i tha një grupi fëmijësh se Babagjyshi nuk ekziston dhe se kostumi i tij i kuq u krijua për reklama.
Disa e mirëpritën përpjekjen e peshkopit për t’u përqëndruar në kuptimin katolik të Krishtlindjeve, ndërsa të tjerë fajësuan peshkopin për ndërhyrje në traditat dhe festimet familjare.
Në një reagim zyrtar, dioqeza tha se peshkopi Antonio Stagliano po përpiqej të sqaronte historinë e Shën Nikollës, i njohur për bujarinë e tij ndaj të varfërve, e që u bë frymëzimi fillestar për figurën e Babagjyshit.
“Së pari, në emër të peshkopit, shpreh dhimbjen time për këtë deklaratë, e cila ka krijuar zhgënjim tek të vegjlit dhe dua të specifikoj se qëllimet e Imzot Stagliano ishin krejt të ndryshme.”
Dioqeza sqaroi se peshkopi donte që fëmijët “të reflektonin rreth kuptimit të vërtetë të Krishtlindjes”, duke thënë se kjo datë e rëndësishme po lidhet gjithnjë e më shumë me konsumin dhe blerjet.
“Ne sigurisht nuk duhet të shkatërrojmë imagjinatën e fëmijëve, por të nxjerrim shembuj të mirë që janë pozitivë për jetën. Pra, Babagjyshi është një imazh që përcjellë rëndësinë e dhënies, bujarisë e ndarjes. Por kur ky imazh humbet kuptimin e tij, ju shihni Babagjyshin si një imazh të lidhur me konsumin, me dëshirën për të zotëruar, blerë, blerë dhe blerë përsëri, atëherë duhet ta rivlerësoni duke i dhënë një kuptim të ri.”
Babagjyshi është një nga figurat më të dashura të fëmijëve në mbarë botën dhe imazhi tradicional i Krishtlindjes.
o.j/dita