Na ndajnë më pak se 6 muaj nga zgjedhjet e përgjithshme dhe ai që s’ka asgjë për t’ju thënë shqiptarëve pasi ka shkatërruar gjithçka, mundohet të gjejë çfarëdolloj mjeti për të sulmuar e përbaltur kundërshtarët politikë, që nga ana e tyre ka një program serioz dhe një politikë krejtësisht perëndimore. Pra, kryeministri mundohet të gjejë strehë ku të futet dhe është kapur pas nacionalizmit, mundohet të degradojë figurën e liderit të opozitës duke e quajtur regresiv dhe u kap, ose më saktë kapi për xhakete, të ashtuquajturit “ intelektualë”.
Duke parë të gjitha rrugët e mbyllura me popullin, “urdhërimi” i bërjes së një peticioni kundër opozitës, ku në çdo rresht të atij teksti flitej radikalisht kundër opozitës dhe formulohej posi ta kish shkuar AY vetë me dorën e tij, është në të vërtetë shtegu më banal e fyes për çdo shqiptar. Mirëpo, ajo që të habit më tepër dhe që opinioni publik duhet të dijë domosdoshmërisht të vërtetën, është se kush na qënkërkan këta “intelektualë”. Sa të depolitizuar janë ata kur shprehen në kërkesën e tyre: – “Z. Rama, hiqe pritën!”? Sa e duan në të vërtetë këta të ashtuquajtur intelektualë qytetarin dhe të mirën e përgjithshme? Dhe ç’është më kryesorja, sa intelektualë janë ata në të vërtetë?
Intelektuali në botën e qytetëruar është opozitar i natyrshëm në çdo situatë, në çdo vendim që cënon sadopak interesin e popullit e aq më tepër kur bëhen pazare me pasuritë kombtare e më tej akoma kur vritet në emër të pushtetit. Ndaj për intelektualët është shumë i thjeshtë gjykimi. Në atë listë ka emra që janë qartësisht të orientuar politikisht, janë mes tyre miq të ngushtë të kryeministrit, janë ish-kolege të tij, janë sportistë që vetëm intelektualë nuk mund të jenë. Këtu le ti themi opinionit publik, të vërtetën. Një disinformim i madh po bëhet në këtë rast, ku s’ka asnjë lloj peticioni veç një fushate të pastër negativiste në pamundësi për ti ofruar qytetarit alternativë qeverisëse.
Por përpos gjithë këtyre marifeteve elektorale të kryeministrit, që sillet me trastën bosh duke gënjyer si ngahera, ca pyetje logjike na ndihmojnë për të nxjerrë në pah intelektin e vërtetë. Të nderuar “intelektualë”, ku ishit ju në vitin 1997 kur vëndi e populli digjeshin për faj të qeverisjes së mikut tuaj? Ku ishit në 2008 kur për biznes të familjes Berisha u vranë 26 njerëz të pafajshëm që punonin për thesin e miellit në makinerinë vrasëse e të paligjshme të Gërdecit? Ku ishit ju kur në mes të sheshit u vranë 4 njerëz të zakonshëm që protestonin paqësisht për të drejtat e tyre të mohuara? Ku ishit t’i kërkonit llogari qeverisë e dorëheqje të mënjëhershme? Ku ishit strukur më 8 maj kur në mes të Tiranës vidhej një mandat kryebashkiaku dhe njëkohësisht cënohej vullneti i një populli? Ku ishit vallë ju kur në minierat e vdekjes ne Bulqizë vriteshin e vijojnë të vriten njerez me halle, të varfër e pa përkrahje të këtij vëndi? Ku jeni sot që si kërkoni kryeministrit të mos i uzurpojë institucionet e ta lërë vëndin të eci përpara? Pse nuk i kërkoni llogari milionave të paligjshem të Gitës e Xenit?
Ja pra, ju nuk keni bërë asgjë në dobi të qytetarit, por vijoni ti bëni veçse shërbimet eprorit. Dilni e thojini publikisht se kush jeni në të vërtetë. Pra, ju s’jeni intelektualë, ju jeni vetem një zgjatim i shëmtuar i korridorit kryeministror që të ngopur me kockat që ju hidhen, dilni e bëni fushatën e vrasësve të shoqërisë. Ju pra i bie që të jeni vetem nje kupolë të paguarish që përdorni emrin e intelektualit në shërbim të vrasësve e grabitësve, që gjithe gjëmat e mësipërme dhe jo vetëm, i kanë bërë me gjakftohtësi absolute. Ja pse ky s’është peticion për qytetarët, por për fushatën e eprorit tuaj kryeminisër, për largimin e vëmëndjes nga ajo gjëmë që i bëhet popullit çdo ditë nga pushteti.
Ja pse në të vërtetë, ju jeni një hiç.
Opinion i nënshkruar: Flogert Muça
Bravo