Sabri Godo kish lindur në Delvinë më 8 gusht 1929. Shkollën e fillore e kreu në Delvinë dhe më pas të mesmen e vazhdoi në Tiranë, ku këtë të fundit e la përgjysmë në vitin e tretë, pasi mori pjesë në luftën antifashiste nga 15 korriku i vitit 1943 deri në maj 1945, kur u kthye nga Jugosllavia.
Ka pasur veprimtari të dendur në publicistikë, veçanërisht në revistën “Hosteni”, ku ka botuar mbi tri mijë faqe fejtone e shkrime kritike me pseudonime. Në janar të vitit 1991, Godo themeloi Partinë Republikane të Shqipërisë dhe ishte kryetar i saj për shtatë vjet. Sabri Godo ishte kryetar i Asamblesë Kombëtare të PRSH-së dhe President Nderi i saj që pas lënies së drejtimit të saj.
Ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, ku ka ushtruar detyrën e kryetarit të Komisionit të Çështjeve Sociale dhe të atij të Politikës së Jashtme. Veprat kryesore të tij janë”Plaku i Butkës”, Roman historik (1966); “Ali Pashë Tepelena”, roman 1970; “Skënderbeu” (1975), etj.