Kanë vjedhur pllaka nga Monumenti i Pavarësisë me vlerë mbi 400 mijë euro dhe i kanë shitur për 2 000 lekë. Ngjarja sipas burimeve zyrtare të policisë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës rreth orës 20:10 në sheshin “Pavarësia”, ndërsa në pranga kanë përfunduar dy 18-vjeçarë e përkatësisht Amarildo Demiri, si dhe Qemal Mustafa, të dy banues në Tiranë.
Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se “arrestimi i këtyre dy shtetasve është bërë pasi me datë 25.03.2013, rreth orës 20.10 në vendin e quajtur sheshi “Pavarësia”, shtetasi Qemal Mustafa është kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë duke vjedhur pllakat e Monumentit të Pavarësisë.
Shtetasi Qemal Mustafa kur është pyetur nga ana jonë ka deklaruar se ato pllaka i ka shitur në pikën e grumbullimit të hekurit në rrugën “Jordan Misja”, të cilat janë blerë nga ana e shtetasit A.D. me një vlerë prej 2 000 lekësh. Më pas vetë shtetasi A.D. i ka shitur ato në pikën e grumbullimit në Kashar. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një sqepar dhe një thikë që u ka shërbyer për heqjen e pllakave”.
Monumenti i Pavarësisë, i cili ndodhet në parkun Rinia në Tiranë apo në zonën e Tajvanit, siç njihet tashmë, u përurua për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe ka pasur një vlerë mbi 400 mijë euro.