Pavarësisht deklarimeve të bëra më parë plotësimi i formularit A2 për maturantët që duan të vijojnë studimet e larta në publik pritet të nisë gjatë javës së ardhshme. Drejtuesit e Agjencisë Kombëtare të Provimeve kanë konfirmuar se dita e djeshme ka përmbyllur dhe afatin e fundit të lënë në dispozicion të maturantëve për të bërë pagesën e formularit A2. Përgjatë ditëve në vijim pritet të përfundojë hedhja e të dhënave në sistemin online, për t’i hapur kështu udhë plotësimit zyrtar të formularit të preferencave vetëm në nisje të javës së ardhshme. Drejtori i AKP-së Alfons Harizaj ka ritheksuar se maturantët që nuk shlyejnë detyrimin e pagesës prej 2000 lekësh, nuk do të jenë pjesë e garës për të vijuar më tej konkurrimin për pranimet në universitetet publike.
Kjo pasi mesatarja e kësaj kategorie maturantësh nuk hidhet online në sistem për t’u përllogaritur më pas me të gjithë elementët e tjerë të maturës. “Deri në fund të javës do të kemi gati sistemin dhe udhëzuesin përkatës për maturantët, të cilin do ta publikojmë në faqet elektronike të agjencisë dhe Ministrisë së Arsimit. Fundi i javës ose fillimi i javës tjetër do të jetë edhe periudha kur do të startojë plotësimi i formularit nga maturantët. Detyrimi shtetëror është që ata duhet të paguajnë një tarifë për procedurën e plotësimit të formularit. Shkolla nuk i fut pikët e mesatares maturantit nëse ai nuk paraqet faturën e këtij detyrimi”, konfirmon kreu i AKP-së Alfons Harizaj. Sipas tij, maturantët në garën e këtij viti kanë më shumë alternativa përzgjedhje në dispozicion, pasi është shtuar ndjeshëm numri i programeve të reja që do të ofrojnë universitetet në nisje të vitit të ri akademik 2013-2014.
Më tej, specialistët e maturës konfirmojnë se plotësimi i formularit A2, me dhjetë degët më të preferuara nga maturanti mund të bëhet në çdo qendër interneti, si dhe në të gjitha ambientet ku ka internet, në afatet e përcaktuara nga autoritetet e arsimit. Ndërkohë që afati i menduar për plotësimin e maturantëve është tre deri në katër ditë kohë. Brenda dy ditëve të ardhshme pritet të detajohet e plotë procedura dhe afatet që duhet të ndjekin për plotësimin online të formularit të gjithë maturantët e shkollave të mesme në vend. Plotësimi i këtij formulari është i ndaluar për atë kategori maturantësh që rezulton të jetë mbetëse në një nga provimet e detyruara apo me zgjedhje. Këta të fundit duhet të presin sezonin e vjeshtës dhe vetëm pasi të kenë marrë nota kaluese në testet e mbetura, mund të aplikojnë për të vijuar më tej garën për pranimet në shkollat e larta publike.