Berisha vendos të shkurtojë taksat për të përfituar më shumë vota në 23 qershor. Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri tha se do të përgjysmohen taksat e makinave të përdorura.
“Është krijuar një problem serioz nga përpjekjet që ne kemi bërë. I kam studiuar të gjitha taksat e vendeve të tjera dhe nuk kam gjetur që të bëhet një pabarazi, pra taksat e makinave të përdorura do të përgjysmohen”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë tha se me marrjen e një mase të tillë tejkalohen edhe masat e BE-së.
“Ne kemi mani të vrapojmë t’u dalim para edhe objektivave që BE do i arrijë pas dhjetë vjetësh. Kemi bërë veprim shumë të mirë, por nuk mund të penalizojmë qytetarët, të cilët, këtu del ai që ka, ndihmohet dhe ai që s’ka, ndëshkohet, kjo nuk pranohet”, tha kryeministri.
Më tej, Berisha tha se do të rriten pagat e gjyqtarëve, sipas nismës së ministrit të Drejtësisë, i cili e bëri një propozim të tillë disa ditë më parë, si një masë për të parandaluar korrupsionin në drejtësi.