E nderuar DITA. Në ekranet e shumta televizive, publik dhe jo publik, kanë vërshyer dhe mbirë si këpurdhat pas shiut, telenovela të shumëllojshme me tema nga më të ndryshmet, por me një edukim më tepër çoroditës dhe dëmtues për çdo brez. Personazhe që në shtëpi, kafene, punë dhe kudo diskutohen, madje qasen t’u ngjasojnë në veshje, ecje apo në veprime të përditshme. Madje, një televizion publik ka ftuar një nga aktoret turke të një telenovele për pak minuta në skenë për një shumë të majme eurosh, apo sa paga e një punonjësi buxhetor për rreth 9 vjet.
Të bezdishme sidomos janë bërë telenovelat turke, ku me sa duket po zaptojnë ekranet televizive jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por më gjerë në Ballkan. Përpara telenovelave turke, pjesë e bisedave të ditës ishin personazhet Çeleste e, Paloma, Rubin dhe shoqet e tyre amerikano-latine,n dërsa tani janë miqtë e rinj që quhen Mehmet dhe Sulejman. Shqetësohemi, pyesim dhe habitemi për ta, ëndërrojmë me ta, madje mbetemi edhe pa darkë vetëm për ta.
A është kjo një zgjidhje e gabuar apo thjeshtë një kureshtje? Kjo mbetet për t’u studiuar nga sociologët.
Subjektet janë qesharake, sepse jo vetëm qëndrojnë larg një jete të vërtetë, por ndikojnë negativisht edhe në sjelljet tona. Këto lloj telenovelash dëmtojnë jo vetëm ata që i shohin,por edhe ata që nuk ulen anjëherë para ekranit. P.sh.,duket sikur “Ezel” është kryefjala e çdo bisede kudo që ndodhesh dhe të duket vetja “jashtë” këtij realiteti, kur nuk din se cili është personazhi që diskutohet aq shumë.
Letër e nënshkruar: Gjon Neçaj