Në redaksinë e DITA ka mbërritur dje një reagim nga Drejtoria e Policisë së Vlorës
në lidhje me shkrimin e botuar në DITA për rastin e qytetarit nga Vlora i cili është kërcënuar dhe më pas i është dërguar një patrullë në zyrën e punës së tij, pas një mesazhi në profilin Facebook të Sali Berishës. Për respekt të lexuesit, po e botojmë. Shkresa thotë ndër të tjera:
“Sipas pretendimeve të shkrimit, punonjës të policisë Vlorë kanë trajtuar një rast të një qytetari nga Vlora, i cili kishte kritikuar një nga personalitetet shtetërore në adresën e rrjetit social Facebook. Bëjmë me dije se nga ana jonë janë bërë të gjitha verifikimet e nevojshme me përgjegjësi maksimale dhe ka rezultuar se asnje punonjës policie i drejtorisë policisë QarkutVlorë nuk ka trajtuar një rast të tillë. Drejtoria e Policisë Vlorë krahas përformancës së shkëlqyer në luftën kundër krimit dhe rezultatet shumë të mira të arritura ka dhe do të ketë si përparësi të saj besueshmërinë dhe baskëpunimin me komunitetin ku falë këtij bashkëpunimi dhe besimi Policia e Vlorës ka arritur rezultatet e mësipërme gjë e cila është e shprehur botërisht nga të gjitha agjensitë ligjzbatuese vëndase dhe ato Ndërkombëtare, opinioni i qytetarëve të Vlorës dhe të gjithe institucioneve rajonale pa dallim…”
Shënim i redaktorit:
Falënderojmë Drejtorinë e Policisë së Vlorës për reagimin, sepse dëshmon sens përgjegjësie, por duam të theksojmë se për shkak të disa provave dhe rrethanave specifike kemi arsye të besojmë se ngjarja e përshkruar në artikull, ka ndodhur. Fakti që nuk është regjistruar zyrtarisht, nuk është i mjaftueshëm që ne të anashkalojmë një denoncim detajet e të cilit, përsërisim, na bëjnë të besojmë që ngjarja ka ndodhur. Dhe me keqardhje na duhet të pranojmë që rasti i Vlorës me Facebook-un e kryeministrit të vendit nuk është i vetmi, kur policia është vënë në veprim në rrugë private. Një rast i ngjashëm në një nga komisariatet e kryeqytetit ku janë të implikuar një muzikant dhe një analist i njohur proqeveritar në vend, është duke u hetuar nga Dita.