Policia e Qarkullimit Rrugor ka arrestuar në 5 muajt e fundit, 660 shoferë që janë kapur në automjet në kushtet e përdorimit të alkoolit, ose pa pasur leje drejtimi. Sipas statistikave, 152 prej tyre janë ndaluar për përdorim alkooli dhe të tjerët për shkelje administrative të ndryshme. Por Prokuroria dhe Gjykatat kanë kërkuar dhe dhënë masën e arrestit me burg vetëm për 83 prej tyre. Duke u bazuar në statistika, gjatë katër muajve të fundit, organet e drejtësisë në 400 rastet e ndodhura arrestuan vetëm 17 prej tyre. Por në janar, nga 207 raste të ndaluara, 51 prej tyre u mbajtën në arrest. Por Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kërkon më tepër ndëshkim për këto raste, me qëllim parandalimin e aksidenteve. Juristët janë duke punuar për hartimin e një projektligji për ndryshime në Kodin Rrugor dhe Penal, për të dhënë në mënyrë automatike dhjetë ditë burg për të gjithë ata që kapen në gjendje të dehur në automjetet e tyre. Në këtë mënyrë, as prokuroria dhe as gjykatat nuk do të kenë mundësi të lirojnë problematikët e qarkullimit rrugor. Dhe me këtë masë synohet reduktimi i aksidenteve tragjike, si ai në Kukës për mungesë patente dhe i Sarandës për drejtim në korsi të gabuar, me pasojë 11 të vdekur.