Vijon…Varësia nga bindja e thellë dhe e kotë politike e ka katapultuar shqiptarin në një vend me kohë pa kohë dhe në një kohë me vend pa vend. Oshëtima e së njëjtës gojë përballë turmave me duar të skuquara dhe kureshtarëve provincialë rend në sheshet alla-sovjetike. Lajmësat politikë, tanimë me thonj të gjatë i kërkojnë pa respekt njerëzve marrëveshje shumë të thjeshtë, gati lojacake në dukje. Një kryq me bojë stilolapsi në një flete pa bojë. Dy krahë të mëdhenj e ushtrojnë këtë presion më fort se disa gishta të vegjel që mjaullijnë edhe ata mes pallateve të sporteve alla-sovjetike. Fqinjësia me filozofinë marksiste është kaq e afërt. Diferencimin e bën një pasqyrë. E majta vs e djathta apo vetvendosja e Lidershipit/shipave për të ushqyer, secili grigjën e vet me të korrat e 28 mijë metrave katrorë. Ptu. Punon shteti – ha mbreti. Me syrin e lindjes Afrikane dhe vendeve që mbarojnë me Stan shteti ynë i vogël është modeli që duhet ndjekur. E parë nga Perëndimi(që aty ku filon Adriatiku e deri në SHBA) shteti ynë i vogël mbetet një prostitutë belhollë, e parrudhur ende, megjithatë. Të shkundur fort nga një mendim i vjetër e ruajmë truallin dhe krenohemi, por mbi krye të larta shpohemi nga feçe të vogla fluturuese dhe e quajmë fat, prapësëprapë.
Të dua të ngjall ndonjë njeri a të kthej ndonjë kohë do të sillja zjarrin Pellazgjik sepse padijen time kombëtare nuk do guxonte ta shkelte askush. Ashtu mes sendeve të gurta e e lëkurëve të ngrohta do të thithja ajrin më të pastër të botës e do të gulçoja i lirë, por i lirë ama. E do krenohesha me të vërtetë që emrin tim do ta mbante një duzine burrash provincialë 2000 apo 5000 vite më vonë. Ai rituali i përjetshëm për jetesë a mbijetesë do të ishte më pak i turpshëm se ai i sotmi, ai për të cilin fola.
Fjalori enciklopedik FYROM-as për popullsinë shqiptare i shkon për shtat karakterizimit, por e thënë nga ata tingëllon e pahijshme, e thënë nga kushdo po njëlloj tingëllon. Pikërisht sepse jemi krenare(ballkanas) nuk ja lejojmë vetes të përkulemi, por kur lindi nevoja e përuljes, me rreptësi të hijshme e bëmë. Do të kalojnë dhe 2000 vite të tjerë kalendarikë dhe do të qajnë pasardhësit tanë për mëkatet tona, për ritet tona por diç nuk kanë për ta bërë me siguri. Nuk do të pagëzojnë mes veti e as mes bijve emrat Ahmet, Enver, Ramiz, Fatos, Sali… këtu ndërpritet. Vijon…
Email nga adresa: [email protected]