Kuvendi ka miratuar projektligjin për armët me 66 vota pro dhe 56 kundër. Deputetët e opozitës kanë votuar kundër projektligjit, pasi e cilësojnë të papërshtatshme lejimin e armëmbajtjes për zyrtarët dhe biznesmenët, për më tepër në një kohë kur zgjedhjet po afrohen. Gjithashtu, gjatë seancës së sotme u miratua edhe ndryshimi i emrit të komunës Liqenas në Korçë. Komuna me minoritet maqedonas do të mbajë tashmë emrin Pustec.
Deputeti socialist, Paulin Sterkaj, u shpreh se ky ligj ka për synim rritjen e bizneseve të pushtetarëve përmes tregtisë së armëve.
“Po mbyllim legjislaturën dhe jam i bindur se me 23 qershor, populli do i japë vendit një parlament konsensual. Gjendja e rendit dhe sigurisë ka ardhur duke u përkeqësuar. Objekt ka qenë jeta, prona dhe familja. Qeveria dhe strukturat e rendit duken të gjunjëzuara përballë mafies dhe krimit.
Zonja kryetare, në 1997-n, unë isha komandat i forcave speciale. E pashë me sytë e mi që depot u hapën nga deputetët e maxhorancës sot në Shqipëri. Projektligji që vjen sot synon të armatosë pushtetarët. A nuk ju mjaftojnë 300 mijë armë që ia dhatë popullit në ’97-n. Siguria rritet nga çarmatosja e popullsisë dhe jo nga armatosja e zyrtarëve. Ky ligj ka për synim rritjen ekonomike të zyrtarëve nëpërmjet tregtisë së armëve. Ky ligj vjen për t’u dhënë biznes pushtetarëve”, tha Sterkaj.