Kolegji Zgjedhor ka pranuar kërkesën e LSI-së për qarkun e Kukësit ku kjo forcë politike pretendon se i është marrë padrejtësisht një mandat deputeti të fituar nga zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013, sëbashku me provat filmike ku shfaqen mospërputhjet e votave dhe ka vendosur që në këtë qark të kryhet akt-ekspertimi i provave deri më 25 korrik.
Akt-ekspertimi do të bëhet nga përfaqësues të LSI-së dhe PD-së, emrat e të cilëve i janë paraqitur Kolegjit në orën 18:00. Ekspertët janë të fushës së elektronikës: Ardian Pollo i LSI-së dhe Zamir Hoxha i PD-së. Ata do të bëjnë betimin sot në mbrëmje, para Kolegjit.
Eksperti i LSI-së, Ardian Pollo deklaroi para anëtarëve të Kolegjit se nga pamjet filmime dallohet qartë për kë është votuar pasi 3 sekondat që fleta e votimit qëndron në monitor e vërteton këtë fakt qartë.
Ndërkohë, ai është kundërshtuar nga eksperti i PD-së, Zamir Hoxha i cili tha se në pamje filmime nuk dallohet numri i Qendrës së Votimit, ndaj pretendimi i LSI bie.
LSI-ka kërkuar rinumërimin e votave në 15 qëndra votimit të rrethit të Tropojës, pasi ka konstatuar papërputhmëri midis tabelave të KQZ-së dhe pamjeve filmike që vetë LSI-ja posedon. Janë rreth 155 vota të dyshimta, që LSI-ja pretendon se i përkasin asaj ndërkohë që i janë dhënë PD-së. Mandatet në qarkun e Kukësit, janë 3 për aleancën e djathtë dhe një për Partinë Socialiste. Në këtë qark, LSI-ja pretendon një mandat, i cili mund te merret me nje diference shumë të vogël, vetëm me 15 vota të cilat do ta ndryshonin raportin në 2 me 2.
Ndërkohë, paraditen e sotme kolegji Zgjedhor pranoi kërkesën e Partisë Socialiste për pushimin e hetimit të çështjes për qarkun e Shkodrës.
Në një prononcim për mediat, përfaqësuesi i PS-së Koli Bele theksoi se tashmë që KQZ-ja ka mbaruar me rinumërimin e votave të Shkodrës ankesa e PS-së nuk do të jetë më për tabelat por për procedurën e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
“Iu drejtuam kolegjit, pasi KQZ mori vendim të kundraligjshëm si për qarkun e Shkodrës dhe atë të Lezhës. Një nga arsyetimet ishte edhe vonesa në daljen e rezultatit përfundimtar. Nuk ia vlente ta vazhdonim si këtë çështje, se ne si PS s’kemi pasur probleme me hapjn e kutive” tha Bele.
Gjithashtu Bele u shpreh se në ankimimin e ri në Kolegjin Zgjedhor, Partia Socialiste
kërkon pavlefshmëri të procesit zgjedhor në qarkun e Lezhës.
Ndërkohë Kolegji pritet që sot në orën 16:00 të japë vendimin në lidhje me provat e paraqitura nga LSI për Kukësin.
Dy ditë më parë kolegji pranoi provë materiale filmike dhe vendosi që akti i ekspertimit të bëhet nga dy ekspertë të caktuar nga 2 forcat politike të interesuara, LSI dhe PD.
LSI caktoi Ardian Pollon ndërsa Partia Demokratike Zamir Hoxha.
Sipas përfaqësuesve të LSI, Ilirjan Muho dhe Spartak Braho, në 15 Qendra Votimi në rrethin e Tropojës ka mospërputhshmëri të rezultatit final, të tabelës përmbledhëse të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe pamjeve filmike.
Po sipas përfaqësuesve të LSI-së, bëhet fjalë për një total prej 155 votash, të cilat sipas tyre janë manipuluar, duke shkuar në favor të koalicionit të djathtë.