Përfytyroni vite e vite më parë, një zonë e shkretë, e egër; dhe, për shkak të klimës dhe lartësisë së madhe mbi nivelin e detit, edhe e varfër, me mungesë të theksuar të produkteve bujqësore, që vetëm shuante kuriozitete ekzotike të evropianëve me udhëtimet e tyre, tani jo vetëm konceptohet dhe shikohet ndryshe, por vërtet është ndryshe. Sot Alpet Shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë, janë shndërruar në një destinacion turistik në çdo stinë të vitit, dimri shfrytëzohet si dimër, vera si verë dhe vjeshta si vjeshtë me resurset, me pasuritë dhe veçoritë e tyre.
Peizazhe të mrekullueshme mirëpresin vizitorët e Alpeve Shqiptare, pasi ata nuk janë njëlloj si në dimër dhe në verë. Aventurat e një udhëtimi në dimër nuk u ngjajnë atyre në verë. Dikur zonë e shkretë, me dimër të ashpër, deri në 6 muaj të pakalueshëm, pa strehë për vizitorët, përveç në oda kullash, sot falë investimeve që kanë nisur të marrin jetë në zemër të Alpeve Shqiptare, me rrugët, hotelet, motelet, hanet dhe shtëpitë pritëse të malësorëve, krijojnë të gjitha komoditetet e nevojshme, çlodhëse, përtëritëse për t’i shijuar bukuritë e kësaj zone.
Të bësh një udhëtim tani në pranverë në Luginën e Valbonës, të Cemit, të Shalës, të Currajt, të Gashit të duhet të përgatitesh jo vetëm materialisht për çfarë do të marrësh me vete, por në radhë të parë shpirtërisht, për të përballuar dhe shijuar nga ana emocionale bukuritë befasuese të këtyre anëve. Vlerat shkencore, turistike dhe kurative janë të kombinuara me një bio-diversitet të rëndësisë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Gjelbërimi i mrekullueshëm në luginat dhe lugjet, në shkrepat dhe malet, të cilëve bora e paktë u qëndron si kurorë, uji i lumit të rrëmbyeshëm është lajmëtari që të uron mirëseardhjen, tregojnë se pranvera ka nisur ta prekë këtë zonë, bukuritë natyrore të së cilës nuk kanë fund me peizazhet dhe panoramat e gjalla. Ujëvarat, shpellat, lumenjtë janë vetëm disa nga ato çka natyra u ka falur këtyre vendeve.
Bjeshkët e larta, të përfaqësuara nga një reliev malor me kontraste të shumta, përshkuar nga lugina lumenjsh me ujëra të kristalta, gryka dhe qafa malesh, të intrigojnë të vazhdosh më tej për të eksploruara natyrën me një bimësi tejet të pasur.
Vendet që mund të vizitohen tani në pranverë janë: Lumenjtë si Shala, Valbona, Curraj, Cemi, Moraça, etj. si dhe në liqenet akullnajore të tilla si ato të Pejës, Jezercës, Dobërdolit, Sylbicës etj. Bukuri të shumta kanë hapësirat e majave të maleve si Radohima, Maja Hekurave, Maja e Arapit, Maja e Shkelzenit, etj. Monumentet e shumta natyrore si kanioni i Shoshaj, i Valbonës, i Cemit, Shpella e Dragobisë, e Majës së Arapit, Shpella e Rrathëve, Shpella e Akullit, Shpella e Haxhisë, Shpella e Njerëzve të Lagur, Burimi i Shoshaj, Valbonës, Okolit, Shtrazës, Kirit, Koprishtit, Vuklit etj., ujëvara e Thethit, Grunasit, si dhe biomunumentet e shumta si Ahishta e Gurrës e Hasan Gashit, rrobulli në liqenin e Ponarëve, bredhishta e Rragamit, pisha Flamur e Qafës së Pejës, habitati i Salamandrës, Rrapi i Toplanës nuk duhet të ngelen jashtë itinerarit të sudhëtimit në këtë pranverë. Një potencial tjetër i çmuar i Alpeve shqiptare është pasuria kulturore, mikpritja dhe bujaria e madhe banorëve të zonës.
Thethi, i pari në dhjetë fshatrat turistikë më të mirë të Shqipërisë
Shqipëria e vogël në sipërfaqe, por e bekuar me bukuri të pafundme. Ndër mjediset natyrore malore, përzgjedhja e parë për të vizituar është Paku Kombëtar i Thethit në zemër të Alpeve. Thethi është një ndër zonat më të veçanta të turizmit malor. Në Theth mund të gjeni një natyrë praktikisht të virgjër, mund të vizitoni kishat, kullat, shtëpitë tradicionale dhe mjaft monumente të natyrës. Aty ju presin njerëz mikpritës dhe të dashur. Thethi listohet i pari në dhjetë fshatrat turistikë më të mirë të Shqipërisë i ndjekur nga Voskopoja në Korçë dhe Bënja në Përmet. Ky vlerësim është bërë duke marrë në konsideratë elemente të tillë si: natyra dhe ekosistemi, tradita e kulinaria, infrastruktura dhe mundësitë akomoduese.
Sezoni i ri, bëni gati valixhet, Thethi ju pret!
Thethi është i bukur dhe i veçantë në çdo stinë të vitit. Ky hatër i natyrës ka bërë që ai të vizitohet në çdo kohë sipas preferencave të turistëve, kush do dimër, dëborë dhe sporte të kësaj stine, pistat aty janë fantastike, ushqimi po gjithashtu karakteristik, origjinal, në formën e zahires, që vetëm banorët e alpeve dinë t’i bëjnë. Pranvera këtu është shpërthyese, vera e freskët dhe vjeshta përndezëse. Tani është fillim pranvere, sa kanë filluar të zmadhohen sythat e pemëve e të çelin lulet e livadheve. Bëni gati valixhet, Thethi iu pret!
Me vendim të Këshillit të Ministrave, Nr. 96, datë 21.11.1966, zona malore e Thethit, me sipërfaqe 2 630 ha, shpallet “Park Kombëtar” dhe administrohet nga DSHP, Shkodër.
Parku i Thethit ndodhet në Alpet e Shqipërisë, pranë Bjeshkëve të Nemuna. Thethi është qendra turistike-alpinistike më e rëndësishme e zonës veriore, 70 – 75 km larg qytetit të Shkodrës. Ai kufizohet nga majat e larta shkëmbore, që bien thikë në luginë dhe krijojnë pamje të papërsëritshme; të tilla janë maja e Radohimës (2568 m), Arapit (2217 m), Paplukës (2569 m), Alijes (2471 m) etj. Në lartësitë 750 – 800 m, poshtë në luginë, shtrihet fshati piktoresk i Thethit. Këtu buron, lumi i Thethit, i cili, pasi bashkohet me përroin e Kaprrekut, në fshati Nderlysaj, formojnë lumin e Shalës, i cili derdhet në Drin. Lumi i Thethit, i kthjellët e i shkumëzuar, me prurje 1000 – 1300 l/sek e temperaturë mesatare uji 70C, është i pasur edhe me troftën e malit. Kanioni në grykën e Shkallës së Thethit, vend i pëllumbave të egër, ka lartësi rreth 40 m e gjerësi 1 m. Ujëvara e Grunasit është piktoreske e mahnitëse, me rënie të ujit mbi 30 m lartësi.
Bien afro 2400 – 2500 mm shi në vit. Shtresa e dëborës arrin në 1.5 – 2.5 m dhe zgjat 130 – 160 ditë, kurse në disa pika të veçanta të parkut dëbora është e përhershme, gjë që shton vlerat për turizëm.
Parku është kompleks, me larmi habitatesh dhe tipe vegjetacioni, ku pjesën më të madhe e zënë ato të pyjeve të ahut, por ka edhe formacione shkurrore me mbizotërim boronice apo kullotash subalpine që bashkëshoqërohen dhe me shkurre xhuxhe dhe të zonave alpine, etj. Në këtë park ka rreth 1500 lloje bimësh, që përfaqësojnë gati gjysmën të florës së vendit tonë. Nga bimët, rreth 100 lloje janë bimë mjekësore e tanifere shumë të dobishme. Rreth 70 lloje janë të rrezikuara për zhdukje, të rralla etj. Për t’u vlerësuar është prania e drurit relikt të tisit (Taxus baccata) brenda katit drunor të pyllit të ahut, megjithëse në ekzemplarë të rrallë, si dhe e bimëve endemike (Wlfenia baldaccii; Viola dukagjinica, Lilium albanicum). Bimë subendemike janë: Aquilegia dinarica dhe Teucrium arduini.
Fauna e parkut është e pasur dhe e larmishme. Ka rreth 20 lloje gjitarësh, 50 lloje shpendësh folenizuese, afro 10 lloje zvarranikësh, rreth 8 lloje amfibësh. Rendësi paraqesin gjitarët dhe shpendët e lidhur me pyjet e lartë dhe ekosistemet malore e alpine. Ndër gjitarët e mëdhenj të parkut të Thethit përmendim praninë e ariut (Ursus arctos), ujkut (Canis lupus), rrëqebullit (Lynx lynx), dhisë së egër (Rupicapra rupicapra) dhe kaprollit (Capreolus capreolus).
Thethi është vendbanim shumë i hershëm i lidhur me atë të fisit ilir të Labeatëve. Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura ngushtë edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Thethin, si vend shumë të përshtatshëm për turizëm, krahasohet me viset e bukura të Tirolit, Austri.
Ja ç’u ofron Thethi!…
Janë me dhjetëra mjedise që ofrojnë mundësi për fjetje, ushqim, për të udhëhequr guidat në mjedisin natyror të Thethit apo dhe në luginën e Shalës. Vendasit në të shumten e rasteve kanë përshtatur shtëpitë e tyre duke i kthyer ne bujtina, hotele apo vila, për vizitorët familjarë apo grupe të organizuara. Vitet e fundit po bëhen dhe ndërtime të reja hoteliere me projekte.
Duke u nisur nga veçoritë e tij dhe nga vendndodhja pranë kufirit, Parku Kombëtar i Thethit është propozuar që të jetë pjesë e një parku ndërballkanik të quajtur Parku i Paqes, ku të përfshihen territore edhe nga Kosova dhe Mali i Zi.
Por se ç’është Thethi e tregojnë përshtypjet dhe komentet e vizitorëve të shumtë në Theth, të cilat shërbejnë edhe si udhërrëfyes për ata që nuk kanë qenë ndonjëherë aty. Ja çfarë shkruajnë disa nga këta vizitorë:
Koha ime me pushime në Shqipëri ishte e shkurtër, dhe unë kam qenë i pasigurt nëse kam kërkuar për të kaluar ditët e mia të fundit në “Villa Gjecaj Theth” Dhe unë mund të them se çdo sekondë të vetme të kohës sime atje ishte e mahnitshme, dhe unë nuk pendohem asgjë. Përveç mjedisit fantastike, takova njerez qe me mirëpriten më i ngrohtësi qe nuk kisha provuar kurrë…(Ela W., Sweden 11 nëntor 2014)
Kam qëndruar 2 net në Thethin e Shqipërisë në Villa Gjecaj. Nga villa, ku jam akomoduar ka një pamje të shkëlqyer lugina e Thethit kjo duket nga dritarja ime. Strehimi ishte i pastër, i mirë-pajisur. Ushqimet tradicionale shqiptare të gatuara në shtëpi ishin me shume me shije. Mjediset e gjelbra që qarkonin vilen ishin magjepse….( O.W . Orlando, Florida, 11 nëntor 2014)
“Ushqim Exellent, dhoma të rehatshme, shërbim exellent. Kam mbetur i kënaqur me mikpritjen dhe dhoma të rehatshme…Gjithashtu, shërbimet e tjera për të mundësuar vizitën sa më të mirë të Thethit ishin të mira. Villa Gjecaj është e vetmja guesthoues në Theth … (Arditi nga Tirana, 31 tetor 2014)
“Vendi i Madh, mikpritjen e madhe. Vendi më i mirë që kam vizituar ndonjëherë. Pamje te mrekullueshëm malore, ushqim i shkëlqyer dhe ujë, njerëz të bukur dhe ajër shumë të shëndetshëm. Çaj mali, mjaltë bletë dhe luleshtrydhe janë përtej çdo imagjinate” (Dritan K, Tirana nga Tirana (29 tetor 2014)
Alpet Shqiptare të Kosovës
Bjeshkët e Nemuna (gjithashtu e njohur si Alpet shqiptare dhe Bjeshkët e Nâmuna) janë vazhdimësi e Maleve Dinarite shtrihen në veri të Shqipërisë, në perëndim të Kosovës dhe në jug-lindje të Malit të Zi. Bjeshkët e Nemuna shtrihen deri te lugina e Ibrit rreth 50 km në gjatësi. Në anën e Kosovës ngritën nga fundi i fushës (500-600 m) dhe arrijnë lartësinë mbi 2,000 m, në disa vende prehen nga luginat të thella lumore, të lumit të Pejës, Deçanit, Erenikut dhe kanë si kufi jugor Drinin. Ky grup malor përbëhet prej disa malesh: Gjeravica (mali më i lartë në Kosovë 2,656 m), Mali i Junikut, Strellci, Lumbardhit, Kopranikut, Hajlës, Zhlebit, Rusolinës, Moknës etj. Të gjitha këto male e tejkalojnë lartësinë prej 2,000 m. Ato janë të pjerrëta, në pjesën e sipërme janë në formë të rrafsheve, ku gjenden kullota të mira dhe gjatë dimrit mund të bëhet ski.
Alpet Shqiptare të Malit të Zi
Alpet shqiptare në Mal të Zi kanë një sipërfaqe përafërsisht rreth 250 km² dhe shtrihen nga Shkodra deri në Bogicevicë, në kufi me Kosovën. Masivi malor i Alpeve Shqiptare të Malit të Zi është i kufizuar nga lumenjtë Cijevna, Lim dhe Ibër. Në veri, Alpet fillojnë nga vargu malor Visitor, Goleshm, Greben dhe Zeletin. Alpet Shqiptare në Mal të Zi ngrihen mbi dy lugina të bukura në afërsi të qytetësisë Guci pranë qytetit të Plavës. Lugina e parë quhet Gërbaja (Grebaje); lugina tjetër quhet Ropoja e cila fillon nga fshati Vuthaj dhe shkon në drejtim të kufirit ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë, dhe mandej në drejtim të masivit qendror të majave më të larta të Alpeve Shqiptare të lokalizuara në territorin e Shqipërisë. Majat malore të Alpeve shqiptare në Mal të Zi karakterizohen me maja të thepisura malore të cilat ngritën vertikalisht nga luginat e ngushta .
Alpet Shqiptare të territorit të Republikës së Shqipërisë
Alpet Shqiptare të territorit të Republikës së Shqipërisë shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8% të tij; kanë pozitë gjeografike tepër të izoluar, sepse rrugët që i lidhin ato me rajonet e tjera të vendit dhe trevat shqiptare jashtë kufirit, janë të pakta dhe në gjendje të keqe. Alpet përbëjnë grumbullin malor më të fuqishëm, më të lartë, më të ashpër dhe më të copëtuar të vendit. Lartësia mesatare e tyre mbi nivelin e detit arrin në 1500 m. Këtu ndodhen shumica e majave të Shqipërisë me lartësi mbi 2000 m. Në vështrim të parë Alpet duken një zonë malore tepër e ngatërruar, por një udhëtim në brendësi të tyre të bind për të kundërtën: kurrizet malore dhe shumica e luginave zënë fill në pjesën qendrore më të lartë të Alpeve dhe shpërndahen, duke u ulur, në drejtim të rrethinave në formën e rrezeve të një rrethi të madh. Tek Alpet dallohen këta blloqe, kurrize malore dhe lugina:
Blloku i Jezercës shtrihet në qendër të Alpeve dhe ka reliev më të lartë, më të ashpër dhe më të thepisur. Aty ndodhet maja e Jezercës 2694 m, më e larta në Alpet dhe e dyta në Shqipëri, pas majës së Korabit.
Malësia e Madhe shtrihet në veriperëndim të Alpeve, Bjeshkët e Namuna me lartësi 2400 – 2500 m, pllaja (Veleçik – Bridashë) dhe luginat e Vermoshit, Cemit, Përroit të Thatë etj.
Lugina e Shalës është ndër më të mëdhatë në Alpet Shqiptare, Thethi, Bregu i Lumit etj.
Kurrizet malore midis luginës së Shalës e Valbonës, që ndahen nga Lugina e Currajt, kanë reliev të ashpër dhe bimësi të dendur pyjore.
Lugina e Valbonës, ka formën e një harku të madh, ku janë vendosur qendrat e banuara si: Ragami, Valbona, Dragobia etj.
Malësia e Gashit me forma të shumta akullnajore, në të cilat ka liqene të vegjël me bukuri të rrallë, pyje dhe kullota të pasura.
Nji bravo te madhe o gjon.Nji pershkrim me dashuri e kopetenc shkencore.Duke qene seune kam pasut kenaqesin te udhetoj ne nji pjese te mire te alpev shqiptare u kenaqa shumfish nga ky pershkim shkencor te ber nga ti skencetar i ardheshm i natyres dhe pylltarise shqiptare.Une kame ber nji dokumentar televiziv per thethin dhe per tegjith parqet kombetare pyjire te shqiperise 20vjet me pare.peshkrim qe l beni bjeskeve te namuna esht mahnites.Duke tu uruar qe te vazhdosh me keto shkime te bukura te peshendes Fort e Fort Fadil llubani.
Ju falenderoj inxhinier Fadil Llubani. Dokumetari juaj tashme sherben per te treguar si parqet tona kombetre ishin 20 vite me pare. Do qe me interes qe ai te cfaqej diku