Prefekti i Vlorës, Besnik Dervishi, është thirrur për herë të dytë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për të shpjeguar raportet e tij me të pandehurit e bandës së tritolit, dy prej të cilëve në arrati dhe katër të arrestuar. Deklaratat në gjykatë të të pandehurit Marion Mitro, ish-inspektor i Bashkisë së Vlorës për shumë vite, i larguar muaj më parë nga detyra, se kishte mik Dervishin dhe të penduarin vrasës me pagesë Julian Sinanaj, kanë detyruar grupin hetimor që të thërrasë sërish prefektin.
Pyetja e Dervishit
Dervishi ka qenë dje në mesditë për një orë në Krimet e rënda, ku ka dhënë shpjegime të tjera. Mësohet se Dervishi i ka qëndruar deklaratave të tij të mëparshme publike dhe në këtë organ, se nuk e njeh të arrestuarin Marion Mitro dhe për më tepër ekzekutorin Julian Sinanaj. “Nuk i kam takuar dhe as parë kurrë më parë këta njerëz. Madje as për fytyra s’i kam parë”, mësohet të ketë thënë prefekti, ashtu sikurse në qëndrimet e tij publike. Dervishi është pyetur edhe nëse ka njohje me dy kushërinjtë Genis dhe Andon Mëhillaj, të kërkuar si personat që përcillnin apo jepnin porositë tek Sinanaj dhe ndihmësi i tij N. Gj. Prokurorët e kanë pyetur gjithashtu rreth deklaratave për klanet me të cilat është i përfshirë Mitro, por prefekti mësohet të jetë shprehur se këto hetime i takojnë drejtësisë për t’i zbardhur. Kreu i qeverisjes vendore i ka qëndruar deklaratës së tij se është sulmuar për shkak të detyrës dhe për betejën kundër informalitetit që ka nisur prej kur ka marrë detyrën si prefekt.
Deklarata e Mitros
Një javë më parë, Marion Mitro doli për masë sigurie në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku u la në “arrest në burg” për pjesëmarrjen në grupin e organizuar kriminal dhe aktet terroriste. Sipas dëshmisë të të penduarit Julian Sinanaj, ish-inspektori i bashkisë kishte porositur një bombë me celular për prefektin Besnik Dervishi dhe e kishte paguar me 20 mijë euro, të cilat ia kishte dhënë për të kryer më parë një tjetër eleminim fizik të dështuar ndaj një kontigjenti kriminal. “Unë nuk kisha pse ta vrisja prefektin Dervishi, kam miqësi me të dhe e njoh. Edhe Julian Sinanajn e njoh dhe nuk e prisja prej tij këtë gjë”, mësohet të jetë shprehur Mitro në gjykatë. Pikërisht kjo deklaratë ka detyruar hetuesit që të thërrasin prefektin për të dhënë shpjegime, por Dervishi i është përmbajtur reagimeve të mëparshme se nuk e njeh ish-inspektorin personalisht. Sipas Sinanaj, porosia është dhënë nga Mitro pasi i ishte prishur parkingu i lokalit te Uji i Ftohtë, por mund të fshihen edhe motive të tjera. Mitro u kap duke u arratisur nga Shqipëria më 29 janar, në Rinas.