Prefektura e Tiranës ka nisur një hetim të thellë për tokën e bregdetit që është dhënë në mënyrë të padrejtë duke përdorur ligjin 7501 për tokën bujqësore. Prefekti i këtij qarku, Sadi Vorpsi në një intervistë për DITA, sqaron se përse ishte i nevojshëm ky hetim dhe se i ka kërkuar qeverisë shqiptare të shtyjë afatin e aplikimit të këtij ligji deri në vitin 2016. Gjer tani prefektura Tiranë gjatë procesit të verifikimit ka anuluar pronësinë e 55 personave të cilët e kane fituar pronën në mënyrë të padrejtë. Hetimi që do të shtrihet në të gjithë bregdetin shqiptar, pritet të çojë para drejtësisë zyrtarët që kanë abuzuar në emër të ligjit 7501.
Z. Prefekt, mund të na jepni një panoramë të përgjithshme të institucionit tuaj dhe konkretisht të Komisionit Vendor të Verifikimit të Titujve të Pronësisë dhe punës që po bëhet për verifikimin e këtyre titujve?
Fillimisht dua të sqaroj se Komisioni Vendor i Vlerësimit të Titujve të Pronësisë pranë Prefektit të Qarkut Tiranë ( KVVTP ) e ushtron veprimtarinë e tij sipas ligjit nr. 9948, dt. 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore” i ndryshuar, të Udhëzimit nr. 1, datë 13.01.2010 “Për mënyrën e verifikimit apo të shqyrtimit të vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokat bujqësore të ish-NB dhe të zonës së zhvillimit me përparësi turizmin” dhe akteve nënligjore në zbatim të tyre. Ligji i mësipërm parashikonte përfundimin e verifikimit të titujve të pronësisë në 31 dhjetor 2013, por pas konstatimit të problematikave të mëdha në fushën e pronësisë që prekte ky ligj, abuzimit të bërë me lëshimin e akteve të marrjes së tokës në pronësi nga ish-komisionet e ndarjes së tokës bujqësore dhe zgjidhjen që ofron zbatimi i këtij ligji, me iniciativën time të drejtpërdrejtë është shtyrë nga parlamenti afati i verifikimit të titujve të pronësisë deri më 30 qershor 2016. Puna konkrete e Komisionit Vendor konsiston në verifikimin e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë, kryesisht në rastet e parashikuara nga ligji, bazuar në elementë dhe kriteret ligjore që ka sanksionuar ligji nr. 7501, datë 19.07.1991 ”Për tokën”. Konkretisht verifikimi i subjekteve përfituese dhe sipërfaqet e tokave për të cilat ata janë pajisur me AMTP ( akti i marrjes së tokës në pronësi ).
Aktualisht cili është prioriteti i punës tuaj?
Në zbatim të bazës ligjore të sipërcituar dhe me urdhrin tim të drejtpërdrejtë Komisioni Vendor ka ushtruar kontroll në zonën e zhvillimit me përparësi turizmin që përfshin Qarku i Tiranës, konkretisht Komunat Kryevidh, Golem dhe Gosë. Nga puna voluminoze e mbledhjes dhe përpunimit të dokumentacionit, hetimit administrativ të edhe në bashkëpunim me institucionet e treta si p.sh. Departament Antikorrupsion, pranë Këshillit të Ministrave, ka rezultuar se ka pasur shkelje të mëdha ndër vite në procesin e ndarjes së tokës bujqësore sipas ligjit nr. 7501.
Komisioni Vendor është fokusuar aktualisht për shkak të numrit të madh të akteve në proces verifikimi kryesisht në sipërfaqet e tokave PF (pa fryt), pyll, ranishte të cilat ndodhen brenda zonës me përparësi zhvillimin e turizmit, konkretisht Komunat Kryevidh, Golem dhe Gosë, në mënyrë që të rivendoset e drejta e pronësisë së shtetit shqiptar mbi këto sipërfaqe. Në fshatrat e këtyre komunave kryesish afër vijës bregdetare si Spille, Rreth-Greth, Karpen, Qerret, Vilë-Bashtovë janë ndarë tituj pronësie në toka jo bujqësore në vijën e parë bregdetare, si pyll, ranishte, toka të pafrytshme. Mbi këto sipërfaqe kryesisht janë kryer transaksione në favor të të tretëve. Një pjesë e tyre figuron në pronësi të përfituesve gjë që mundëson kthimin e pronësisë në emër të shtetit. Konkretisht Komisioni Vendor po procedon fillimisht me shfuqizimin e akteve të cilat figurojnë në pronësi të mbajtësit të parë të titullit të pronësisë ( përfituesit me akt ), ç’ka sjell shfuqizimin e këtyre akteve dhe kthimin në pronësi shtet të këtyre pasurive. Për këtë qëllim, Prefekti i Qarkut Tiranë ka kërkuar pezullimin e veprimeve ( shitjeve, transkriptimeve ) nga ana e ZVRPP-Kavajë me qëllim shmangien e cenimit të pronësisë shtetërore deri në përfundimin e procedurave të shqyrtimit administrativ nga Komisioni Vendor. Aktualisht janë shfuqizuar dhe kthyer pasuri në pronësi shtet në zonën turistike brenda 2 muajve një sipërfaqe prej 132 600 m2. Ndërsa është kryer hetim administrativ mbi një sipërfaqe toke prej 2 milion m2 dhe është në proces shtetëzimi pas shkeljeve të gjetura. Në vazhdim të punës së sipërcituar Komisioni Vendor, pranë institucionit tonë ka në proces vendimmarrje edhe 150 akte të marrjes së tokës në pronësi (AMTP) për të cilat ka përfunduar hetimi administrativ dhe për të cilat në mbledhjen e ardhshme do të shprehet me vendim përfundimtar të arsyetuar sipas kërkesave procedurale të ligjit.
Mund të na sqaroni specifikisht se ku konsiston problematika brenda zonës turistike?
Problematika kryesore mbi të cilën është fokusuar Komisioni Vendor është ndarja e tokës jo bujqësore me akt të marrjes së tokës në pronësi, tokë e cila nuk mund të ndahej në asnjë rast dhe është pronësi ekskluzive e shtetit shqiptar. Prefekti të Qarkut Tiranë nga hetimi paraprak ka konstatuar se: vetëm në fshatin Spille është ndarë tokë me akt të marrjes së tokës në pronësi në parcela të caktuara ( 35, 37, 38, 178, 1, 65, 90 ) që kanë figuruar në zërin kadastral PF në datën 01.08.1991, në total 991 900 m2. Në fshatin Domen janë ndarë tokë me akt të marrjes së tokës në pronësi në parcelat 73 dhe 96 në total 390 000 m2. Në Komunën Gosë vetëm në parcelën 295 janë ndarë akte të marrjes së tokës në pronësi 600.000 m2. Këto sipërfaqe janë vetëm një pjesë e vogël e sipërfaqes e cila është duke u verifikuar nga Komisioni Vendor.
A do të verifikohen zona të tjera problematike brenda Qarkut të Tiranës?
Në bazë të Udhëzimit nr. 1, datë 13.01.2010 “Për mënyrën e verifikimit apo të shqyrtimit të vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokat bujqësore të ish-NB dhe të zonës së zhvillimit me përparësi turizmin”, Prefekti i Qarkut Tiranë, nëpërmjet Komisionit Vendor ka planifikuar kontrolle të drejtpërdrejta mbi veprimtarinë e veprimeve të kryera nga ish-komisionet e tokës të të gjitha niveleve në proçesin e ndarjes së tokës bujqësore për sipërfaqet e tokave të ish-ndërmarrjeve bujqësore. Aktualisht ka dalë urdhri i kontrollit për verifikimin e ndarjes së tokës në ish NB “Gjergj Dimitrov”, që përfshin kryesisht fshatrat e Komunës Farkë. Gjithashtu në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë po verifikohen një numër aktesh në zonën e Linzës, në Komunën Dajt të cilat nga shqyrtimi paraprak rezultojnë se subjektet përfituese janë pajisur me tokë më shumë nga sa i takon sipas ligjit nr. 7501. Gjithashtu vlen për tu përmendur se institucioni i Prefektit të Qarkut Tiranë sipas sugjerimeve të ardhura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ka shfuqizuar në Bashkinë Kamëz, në fshatin Laknas 25 akte të marrjes së tokës në pronësi me një sipërfaqe të përgjithshme 50 000 m2.
Ç’ndodh me marrëdhënien e pronësisë mbi këto sipërfaqe toke që kthehet shtet?
Komisioni Vendor pasi kryen një hetim administrativ në kuptimin procedural dhe material, mbledh të gjithë dokumentacionin e nevojshëm nga organet apo institucionet që merren dhe janë marrë me administrimin e pronave në Shqipëri që nga viti 1991, përpilon një dosje konkrete dhe merr një vendim të arsyetuar për shfuqizimin e një titulli pronësie dhënë një subjekti në kundërshtim me ligjin.
Në këtë kontekst cilat janë pasojat konkrete që pasqyron vendimi i Komisionit Vendor dhe a janë këto vendime menjëherë të ekzekutueshme?
Vendimet e Komisionit Vendor janë dy llojesh, të cilat lidhen me statusin juridik aktual të pronave të përfituara në mënyrë të padrejtë. Në rastin kur mbajtësi i titullit të pronësisë nuk ka kryer transaksion mbi pronën përfituar me akt të marrjes së tokës në pronësi, Komisioni Vendor vendos kthimin e pronës në pronësi shtet, në rastin kur mbajtësi i titullit të pronësisë ka kryer transaksion mbi pronën ligji sanksionon detyrimin e përfituesit të parë me akt të paguajë vlerën e tokës në favor të buxhetit të shtetit, duke mos cenuar kështu blerësit të cilët konsiderohen në mirëbesim. Dua të sqaroj se vendimi i Komisionit Vendor nuk është përfundimtar, ky vendim për t’u bërë i ekzekutueshëm duhet të kalojë edhe shkallën gjyqësore.
Konkretisht për të gjitha vendimet e pavlefshmërisë së akteve që ka marrë Komisioni Vendor dhe vendimet që është duke marrë të cilat janë duke ndjekur rrugën ligjore të verifikimit në gjykatë. Kjo zgjidhje ligjore që ka parashikuar ligjvënësi është një mbrojtje më shumë për çdo shtetas nga vendimet arbitrare të administratës. Pra përfundimisht është gjykata ajo që vendos nëse verifikimi nga ana e administratës është bërë në përputhje me ligjin dhe nëse përfituesi e ka marrë tokën në përputhje me ligjin. Me fillimin e funksionimit të gjykatave administrative proceset gjyqësore janë shumë më të shkurtra në kohë. Nga përvoja e deritanishme vendimet e gjykatës janë në përputhje me vendimet e Prefektit.
Gjithashtu vlen të përmendet se në referim të ligjit nr. 9948, datë 07.07.2008, janë përpiluar dhe dërguar pranë organit të prokurorisë kallëzimet penale ndaj personave të cilët kanë ndarë dhe përpiluar aktet e marrjes së tokës në kundërshtim me ligjin. / Intervistoi: Erion Habilaj
* * *
Ligji 7501 për tokën bujqësore
Neni 1
Në Republikën e Shqipërisë toka ndahet në:
a) Toka bujqësore të zëna me bimët e arave, pemishtet, vreshtat dhe ullishtet,
kudo që ndodhen, në fshatra, në qytete e në qendra të tjera të banuara, pavarësisht nga
madhësia e tyre;
b) toka të zëna me pyje, kullota e livadhe;
c) toka jobujqësore: ato të zëna nga ndërtimet ekonomike, socialkulturore, repartet ushtarake dhe oborret e tyre etj., tokat e zëna nga ndërtimet e banimit dhe oborret (avllitë) e tyre, tokat në përdorim të përgjithshëm (rrugët, autostradat, aerodromet, hekurudhat, sheshet, parqet, lulishtet, fushat sportive, varrezat); vende shkëmbore, rërat bregdetare, plazhet; tokat me ujë (liqenet, rezervuarët, hauzët), kanalet e ndryshme, lumenjtë, përrenjtë, zallishtet, kënetat; sheshet e ndërtesave e të monumenteve me interes historik e arkeologjik etj.
Neni 2
Shteti u jep tokë personave fizikë a juridikë. Këta gëzojnë të drejtën e pronësisë dhe të gjithë të drejtat që përmbahen në këtë ligj. Ndalohet shitja dhe blerja e tokës.
Shkeljet i gjeni ne shkrimin e meposhtem:
http://gazetadita.al/abuzimet-me-pronat-rera-ne-bregdet-e-falur-ne-emer-te-7501/
Ka 23 vjet qe ligji 7501 vazhdon te beje kerdine!Na eshte bere si vorrezat e ushtareve greke,si vorio epiri.Kur ky ligj eshte cfuqizuar me kohe perse nuk i arrestoni dhe sekuestroni tokat e grabitura me ane te ketij ligji/?Ky ligj ka prodhuar me shumu vrasje se lufta 2 boterore ne Shqiperi.