Hipertensioni është një term që përdoret për të përshkruar presionin e lartë të gjakut në arteriet tona. Leximet për presionin e gjakut jepen zakonisht si dy numra për shembull 120/80 mmHg (mm shtyllë zhive, mërkuri). Këto janë dhe shifrat e një presioni arterial ideal. Vlerat e presionit arterial mund të ndryshojnë edhe sipas moshës. Ato pësojnë një rritje fiziologjike deri në moshën 20 vjeç. Te disa njerëz këto vlera mbeten të pandryshuara gjatë gjithë jetës, ndërsa te disa të tjerë presioni arterial vazhdon të rritet me rritjen e moshës. Hipertensioni arterial diagnostikohet atëherë kur vlerat e tensionit janë të barabarta ose më të larta se 160/95 mmHg. Megjithatë shumë studiues këto vlera i gjejnë shumë të larta për të ndarë gjendjen e shëndoshë nga sëmundja e shfaqur. Është vënë re se te njerëzit me vlera të presionit arterial TA ndërmjet 140/90 mmHg dhe 160/95 mmHg, rreziku për të pësuar sëmundje kardiovaskulare dyfishohet, prandaj vlerat maksimale të presionit arterial normal tek i rrituri janë deri në 140/90 mmHg. Presioni arterial pëson ndryshime të theksuara edhe te njerëzit e shëndetshëm. Veprimtaria fizike, ankthi, emocionet mund t’a rrisin deri në 220 mmHg, por në këtë rast ai normalizohet shpejt me largimin e shkakut.
Cilët janë faktorët e rrezikut për këtë sëmundje?
- Streset e shumta psiko-emocionale çojnë me kohë në shfaqjen e hipertensionit arterial.
- Obeziteti shoqërohet shpesh me rritjen e presionit arterial.
- Përdorimi pa kriter i kripës së gjellës gjithashtu ndikon në rritjen e presionit arterial. Sasia ditore normale e kripës që përdoret ndryshon nga 3-12 gram, por ka njerëz që përdorin sasi edhe më mëdha kripe (mbi 20 gram). Pikërisht te këta persona mundësia për të pësuar hipertension arterial është më e madhe. Nevojat e organizmit për kripë mund të plotësohen edhe vetëm me atë që përmbajnë vetë ushqimet, pa pasur fare nevojë për shtesë gjatë përgatitjes dhe ngrënies së tyre. Megjithatë duhet thënë se hipertensioni nuk shfaqet te të gjithë njerëzit që përdorin shumë kripë. Ai shfaqet veçanërisht tek ata persona që kanë defekte gjenetike të pompës sodike (pompa e ekuilibrit të molekulave të kripës në organizëm).
- Një faktor i rëndësishëm rreziku në shfaqjen e hipertensionit arterial është përdorimi i duhanit. Oksidi i karbonit që çlirohet dhe lëndët e tjera toksike, dëmtojnë enët e gjakut. Ky është gjithashtu edhe një faktor mjaft i shpeshtë rreziku edhe për sëmundjet ishemike të zemrës (infarktet).
- Jeta sedentare është një faktor tjetër që shkakton prirje për shfaqjen e hipertensionit arterial. Studimet epidemiologjike kanë treguar se njerëzit që merren me punë fizike janë më të mbrojtur karshi kësaj sëmundjeje.
- Tjetër faktor risku është përdorimi i alkoolit. Personat që përdorin shumë alkool janë të predispozuar për sëmundjen (më shumë se një pije në ditë për femrat dhe më shumë se dy pije në ditë për meshkujt).
- Sëmundje të ndryshme favorizojnë hipertensionin arterial (sëmundje kronike të veshkave, të gjendrave mbiveshkore, diabeti), shtatzania, medikamente të ndryshme (si pilulat kontraceptive, medikamentet antimigrenoze, etj).
Cilat janë shenjat më të shpeshta klinike të kësaj sëmundjeje?
Për vite me radhë hipertensioni arterial zhvillohet në mënyrë të heshtur megjithëse dëmtimet e enëve të gjakut janë përparuese. Nuk janë të rralla rastet kur ai zbulohet për herë të parë në ndërlikimet që ai shkakton në tru apo në zemër. Shenjat klinike më të shpeshta të sëmundjes janë : dhimbja e kokës, zhurma në vesh, marrje mendsh, gjak nga hundët, lodhje, nervozizëm, valë skuqjeje dhe nxehtësie në kokë. Megjithatë asnjë nga këto shenja nuk janë specifike për hipertensionin arterial sepse këto shenja janë po aq të shpeshta edhe tek ata persona që nuk vuajnë nga kjo sëmundje. Prandaj këshillohet që kur kemi shenja të tilla, të bëjmë matje të rregullta të tensionit për një kohe të gjatë dhe duke u konsultuar me mjekun e familjes.
Çfarë duhet të kemi parasysh kur masim tensionin arterial?
Këshillohet që 4-5 minuta përpara se të matet tensioni duhet të qetësohemi, pasi në njerëzit emotivë mund të gjendet tension i lartë edhe në njerëzit që nuk janë hipertonikë. Mansheta e aparatit duhet të puthitet mirë me krahun e zhveshur dhe në asnjë mënyrë të mos vihet mbi rroba. Gjatë matjes duhet të qëndrojmë shtrirë ose ulur. Ambienti ku kryhet matja duhet të jetë i ngrohtë në dimër. Në çdo matje presioni i gjakut matet jo më pak se dy herë.
Parandalimi !
Shumica e njerëzve e dinë tashmë lidhjen midis tensionit arterial normal dhe një stili të shëndetshëm jetese dhe mënyre të ushqyeri. Siç e thamë edhe më lart duhet bërë kujdes me përdorimin e duhanit dhe alkoolit, kripës së gjellës, duhen shtuar lëvizjet në ajër të pastër, parandalimi i obezitetit. Këto këshilla mund të konsultohen mjaft mire me mjekun e familjes dhe asnjëherë të mos ndërmerren dieta drastike që mund të kenë pasoja. Ushqyerja e shëndetshme konsiston në përdorimin e zarzavateve, pakësimin e mishrave të kuq dhe përdorimin e pulës dhe peshkut, kufizimin e yndyrave dhe sheqernave dhe mbi të gjitha qëndron një jetë aktive dhe jo-sedentare.