Presioni i lartë i gjakut, i njohur edhe si hipertensioni, rrit rrezikun e atakut kardiak, goditjes dhe insufiçiencës renale (veshkave). Nëse nuk kontrollohet, presioni i lartë i gjakut mund të shkaktojë edhe verbim, çrregullime të ritmit dhe insufiçiencë kardiake (pamjaftueshmëri të zemrës). Rreziku i zhvillimit të këtyre komplikacioneve është më i lartë në prani të faktorëve të tjerë risk, si p.sh. diabeti.
Autoritetet shëndetësore raportojnë se 1 në 10 persona në mbarë botën, kanë hipertension. Numri i të sëmurëve rritet me moshën, nga 1-10 persona në grupmoshat nga 20-30 vjeç, në 5-10 persona tek moshat 50 vjeç e më shumë. Shifra alarmuese të përhapjes së hipertensionit raportohen edhe në vendin tonë, madje mjekët së fundmi kanë ngritur alarmin se është në ulje kufiri i moshës në të cilën ndodh shfaqja e simptomave të para të hipertensionit. Megjithatë, sipas tyre presioni i lartë i gjakut është i parandalueshëm dhe i trajtueshëm.
Në disa vende të zhvilluara, parandalimi dhe trajtimi i kësaj gjendje shëndetësore, së bashku me faktorët e tjerë risk kardiovaskular, ka sjellë një reduktim të vdekjeve nga sëmundjet e zemrës. Kështu, nëse tregohemi të kujdesshëm me disa veprime të përditshme mund të ndihmojmë në mbajtjen larg të kësaj së mundje. Rreziku i zhvillimit të hipertensionit mund të zvogëlohet, nëpërmjet: “Reduktimit të konsumit kripës, konsumit të një diete të ekuilibruar, shmangies së përdorimit të dëmshëm të alkoolit, kryerjes së aktivitetit të rregullt fizik, ruajtjes së peshës optimale të trupit, si dhe shmangies së përdorimit të duhanit”.