(Vazhdim i seancës së parë. Prokurori Rrapi Mino lexon pretencën)
Në vazhdim të pretencës, në seancën e parë të gjyqit më 3 maj 1977,
Prokurori Rrapo Mino, akuzon Abdyl Këllezin, Koço Theodhosin, Kiço Ngjelën dhe Vasil Katin për një krim tjetër, atë të sabotimit të mbrojtjes së vendit, nëpërmjet boshatisjes së Rezervave të Shtetit, duke ua dhënë ato falas (pa të drejtë kthimi) ndërmarrjeve, institucioneve dhe kooperativave. Sipas akuzës, në rast të një agresioni të mundshëm të armiqve ndaj Shqipërisë, Qeveria nuk mund të rezistonte gjatë por do të kapitullonte, pasi nuk kishte rezerva ushqimore…
Rrapi Mino(Prokuror i Përgjithshëm):Vazhdim i pretencës kundër të pandehurve Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati, akuzuar për veprimtari armiqësore në kuadër të grupit sabotator në fushën e ekonomisë.
Grupi i armiqve Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati, në realizimin e qëllimit kundër revolucionar, janë udhëhequr në gjithë veprimtarinë e tyre nga rruga e ndjekur prej revizionistëve sovjetikë, nga tezat revizioniste të mohimit të karakterit proletar të klasës punëtore në vendet ku sundojnë, të zhdukjes së diktaturës së proletariatit dhe të zëvendësimit të saj nga i ashtuquajturi “pushtet i popullit”, gjë të cilën e pohon si më poshtë kreu i grupit armiqësor.
Abdyl Këllezi deklaroi: “Kam pasur pikëpamjen se në socializëm futen në përbërjen e klasës punëtore edhe shtresat e tjera si inteligjenca, nëpunësit, etj. Dhe për pasojë, Partia dhe shteti në socializëm nuk është më reparti i organizuar dhe organ i klasës punëtore, por i gjithë popullit”.
Hetimet e zhvilluara për sabotimin në fushën e ligjshmërisë, vërtetuan se në realizimin e kësaj detyre armiqësore, të pandehurit Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati, jashtë çdo kompetence, kanë nxjerrë një numër urdhrash e udhëzimesh, rregulloresh, që tërësisht ose pjesërisht vinë në kundërshtim flagrant me ligjet dhe aktet nën ligjore të organeve të larta shtetërore, nuk përputhen e nuk mbështeten në to, paraqiten me kërcime e devijime. Në praktikën e tyre armiqësore, këtë karakter kanë pasur dispozitat e Rregullores së nxjerrë nga armiku Koço Theodhosi “Mbi detyrat dhe të drejtat kryesore të Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës”, ku drejtorisë në fjalë i jepej e drejta e përcaktimit të rregullave të sigurimit teknik dhe të mbrojtjes nga zjarri, e studimit, miratimit dhe ndjekjes së zbatimit të projekteve të shfrytëzimit të vendburimeve të naftës dhe të gazit, ose e lëvizjes së makinave dhe materialeve nga një ndërmarrje në tjetrën brenda sistemit të naftës si dhe një të drejtash të tjera, që sipas ligjeve janë kompetencë e organeve më të larta të administratës shtetërore.
I pandehuri Koço Theodhosi, në kundërshtim me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 194 datë 25-26/XI/1970 “Mbi zgjerimin e mëtejshëm të kompetencave”, ka lejuar që rregullat e sigurimit teknik, të mbrojtjes nga zjarri, etj, t’u jepen të drejta me rregullore të veçanta Drejtorisë së Përgjithshme të Kombinatit Metalurgjik, Drejtorisë Qendrore të Kromit e Bakrit, si dhe Drejtorisë së Furnizimit Materialo-Teknik, në një kohë kur këto kompetenca, me ligje, nuk janë të tyre, por të organeve të tjera.
Shkelja e parimit të ligjshmërisë, në forma të tilla armiqësore dhe përmasa të rëndësishme, është bërë dhe nga armiqtë Kiço Ngjela dhe Vasil Kati. Sipas sektorëve ku kanë punuar, me qëllime të caktuara armiqësore, këta të pandehur kanë nxjerrë një numër urdhrash dhe udhëzimesh, të cilat duke mos iu përmbajtur kërkesave të ligjeve dhe akteve nën ligjore të organeve të larta shtetërore, kanë cënuar rëndë parimin e ligjshmërisë. Në numrin e shumtë të akteve të kundër ligjshme të nxjerrë nga këta armiq, këtë karakter kanë pasur Udhëzimi Nr. 1635/1 datë 7/7/1971 “Mbi firot natyrale të mallrave gjatë shitjes dhe qëndrimit në depo”. Urdhri Nr. 3111 datë 9/5/1973 “Mbi kthimin e mallrave nga rrjeti i shitjes me pakicë”, Udhëzimi Nr. 2636 datë 25/4/1975 “Mbi përcaktimin e përgjegjësisë personale të punonjësve, etj… Të gjitha këto, ishin në kundërshtim me Vendimet dhe Udhëzimet e Qeverisë, e sillnin veprime të dëmshme e armiqësore…
Shokë gjyqtarë! Në konfirmim të këtij konkluzioni, le të shikojmë Udhëzimin e Përbashkët të Ministrisë së Tregtisë, Ministrisë së Minierave dhe Ministrisë së Financave Nr. 821/1 të marsit 1971 “Mbi nomenklaturën e artikujve të rinj”. Në këtë udhëzim, në kundërshtim të hapur me Vendimin e Këshillave të Ministrave Nr. 194 datë 25-26/XI/1970, që përcakton se kushtet teknike dhe çmimet e artikujve të tyre, duke përfshirë këtu dhe institucionet dhe ndërmarrjet që janë në vartësi të Komitetit Ekzekutiv, armiku Abdyl Këllezi, me Urdhrin Nr 155 datë 22/2/1971, këtë kompetencë të ministrive ia jep Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit Tiranë, duke arritur deri në atë pikë që t’i krijojë Komitetit edhe të drejtën për të bërë lëvizjen e fuqisë punëtore nga një sistem në tjetrin. Qëndrime të tilla të kundra ligjshme dhe thellësisht armiqësore, i pandehuri Abdyl Këllezi ka mbajtur edhe në një numër çështjesh të tjera të rëndësishme, si në problemin e rezervave shtetërore, etj, ku mbi bazën e urdhrave e udhëzimeve të paligjshme i ka hapur rrugë veprimeve arbitrare, decentralizimit të kompetencave.
Shokë gjyqtarë! Tërësia e provave vërtetoi se duke shfrytëzuar funksionet që i pandehuri Abdyl Këllezi mbulonte në Komisionin e Planit të Shtetit grupi i sabotatorëve, nga viti në vit ka kryer veprime të kundër ligjshme që në tërësinë e tyre kanë goditur disiplinën në administrimin e fondeve materiale dhe monetare të parashikuara në planet e shtetit, administrimin e përqendruar të tyre si dhe kriteret e vendosura lidhur me përdorimin dhe qëllimin që këto ndiqnin. Kjo veprimtari, veçanërisht vërehet në prekjen e rezervave shtetërore, ku jashtë çdo kriteri rigoroz të përcaktuar, mallrat dhe materialet e destinuara për këtë qëllim janë shpërndarë në drejtime të ndryshme.
Nisur nga hetimi, rezulton se në marrëveshje paraprake me bashkëpunëtorët në krim, armiku Abdyl Këllezi i ka dhënë gjatë vitit 1969 me kusht kthimi Ministrisë së Tregtisë 33.000 ton grurë dhe 1.275 ton yndyrna ushqimore, ndërsa Ministrisë së Mbrojtjes 200 ton gazoil. Në vitin 1971, po Ministrisë së Tregtisë 5.000 ton sheqer dhe 1.000 ton oriz, ndërsa Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Komunikacionit 500.000 litra gazoil, në vitin 1972 Ministrisë së Industrisë dhe Minierave 1.500 ton vajguri, etj…
E gjithë kjo prekje e rezervave shtetërore, me ose pa kusht kthimi, ka qenë e gjitha e kundër ligjshme dhe tërësisht rezultat i punës armiqësore. Në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 243 datë 8/7/1959, në Urdhrin Nr 2 datë 2/2/1969 të Kryetarit të Këshillit të Ministrave si dhe një numër aktesh të tjera të rëndësishme juridike, në mënyrë të qartë, të plotë dhe me rigorozitetin më të madh është vendosur rregulli se pakësimi i mallrave dhe materialeve të caktuara si rezerva shtetërore nuk mund të bëhet ndryshe, vetëm me urdhër të Këshillit të Mbrojtjes, të Kryetarit të Këshillit të Ministrave ose me vendim të Kryesisë së Këshillit të Ministrave, pasi më parë të jetë marrë dhe mendimi i Byrosë Politike të KQPPSH. Mbi këto kompetenca, lëvizja dhe shpërndarja e rezervës kryesisht mbi bazën e urdhrave të dhëna nga armiku Abdyl Këllezi, pa vënë në dijeni këto organe, është një veprimtari e jashtëligjshme, thellësisht armiqësore.
Sikurse u vërtetua, rezerva shtetërore dhe ajo operative në vend që të ruhej e paprekshme sipas kritereve të vendosura, të ndiqte destinacionin dhe përdorimin e saj sipas qëllimit të caktuar, ka lëvizur në miliona lekë mallra dhe materiale me një firmë të vetme, me një urdhër që armiku Abdyl Këllezi jepte për t’u shpërndarë në këtë apo atë drejtim. Kështu, duke e shikuar këtë çështje për periudhën 1969-1975 del se me urdhër të këtij armiku, në mënyrë të kundërligjshme dhe pa të drejtë kthimi(falas) dikastereve, institucioneve të ndryshme, ndërmarrjeve, kooperativave dhe komiteteve ekzekutive të rretheve, u janë dhënë mallra dhe materiale për vitin 1969 në 93 raste, për vitin 1970 në 73, për vitin 1971 në 60, për vitin 1972 në 53, për vitin 1973 në 56, për vitin 1974 në 62 raste dhe për vitin 1975 në 31 raste.
Shokë gjyqtarë! Në vazhdim të këtyre të dhënave del qartë se rezerva shtetërore ishte kthyer në një mall dyqani “shit-blerje”, në një magazinë furnizimi ku sipas kërkesave të të tjerëve mund të tërheqësh pa asnjë vështirësi mallra dhe materiale të ndryshme. Çfarë vepre kriminale! Nga njëra anë Qeveria vendos rregulla rigoroze për ruajtjen dhe lëvizjen e saj, nga ana tjetër, armiku Abdyl Këllezi dhe grupi i tij, duke i shkelur këto rregulla, krijojnë mundësi që rezerva të merret si pa gjë të keqe, të shpërndahet në mënyrë të kundra ligjshme në institucione, ndërmarrje dhe kooperativa të ndryshme. Këtë e deponuan në hetuesi vetë të akuzuarit dhe dëshmitarët si më poshtë:
Armiku Abdyl Këllezi deklaroi: “Kapërcimi i kompetencave dhe spostimi i organeve në përdorimin e rezervave shtetërore jo vetëm më krijonte mundësi t’i shmangia pagesat, për të futur pikëpamjet, konceptet e praktikat revizioniste…, por kjo ishte rruga me të cilën unë mund të kompensoja njerëzit për t’i futur nën ndikimin tim”.
Dëshmitari Rustem Zereci(Ekonomist pranë Rezervave të Shtetit) deklaron: …Armiku Abdyl Këllezi ka shkelur e shtrembëruar Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 243 datë 8/7/1959 dhe Urdhrin Nr. 2 datë 26/2/1969 të Kryetarit të Këshillit të Ministrave, duke u përpjekur të kthejë rezervën e shtetit në një magazinë për të dhënë mallra me e pa kusht kthimi me qëllim që të nxisë rrugën decentralizuese e vetë administruese në ekonominë tonë dhe të rrisë influencën e kultit të tij… Ndër dikasteret që kanë përfituar nga kjo veprimtari kanë qenë Ministria e Industrisë dhe e Minierave dhe ajo e Tregtisë, ku në krye ishin armiqtë Koço Theodhosi e Kiço Ngjela”.
Nga këto thënie del qartë se prekja e rezervës shtetërore ka ndjekur si qëllim zbatimin e praktikave revizioniste, nxitjen e rrugës decentralizuese, vetë administrimin në ekonomi, kompensimin e njerëzve për mbështetjen e vijës revizioniste që këta armiq ndiqnin dhe në këtë kuadër, dobësimin e drejtimit unik e të centralizuar të ekonomisë.
Shokë gjyqtarë! Në këtë çështje, të udhëhequr nga platforma e tyre armiqësore, bashkëpunëtorët e organizatës kriminale Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela dhe Vasil Kati kanë sjellë punë armiqësore e dëm ekonomik të konsiderueshëm… Qëllimisht, ata kanë mbajtur nga fusha e investimeve një rezervë fondesh të pashpërndara, e cila duke mos u paraqitur si zë më vete në pasqyrat përkatëse të projekt-planit, është përfshirë në shumën e përgjithshme të investimeve themelore. Kjo rezervë e pashpërndarë, e përqendruar për vitin 1974 në masën 18.6 milion lekë dhe për vitin 1965 në masën 45.6 milion lekë, i ka hequr mundësinë Qeverisë për të gjykuar drejt mbi destinacionin dhe përdorimin e saj. Këtë veprimtari kriminale, të pandehurit Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela dhe Vasil Kati, e kanë ndjekur dhe në drejtime të ndryshme në fondet e investimeve nga një zë në tjetrin…
NESËR DO TË LEXONI:
-Vazhdim i pretencës së Prokurorit të Përgjithshëm Rrapi Mino: Si abuzonin financiarisht të pandehurit Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati në fushën e investimeve.
-Urdhri i firmosur nga Abdyl Këllezi që përjashtonte nga kontrolli financiar ndërtimin dhe investimet në objekte kapitale.
-Dëshminë e të akuzuarit Koço Theodhosit në hetuesi: Si bashkëpunonim unë dhe Abdyl Këllezi për të sabotuar investimet në fushën e ekonomisë dhe fshehjen e kontrollit financiar në këto investime.
Tani vetiu me lind pyetja per Av.Ngjelen junior {pak me thinja po nejse ..junior}
JU ,ZT NGJELA …KUR U BETE RILINDAS PARA SE PANDELI MAJKO TE DEMSHPERBLENTE SHOKUN tRRAPI MINO …APO ME PAS SE U SHPERBLYE ????
Me aq sa kam llogaritur une …i bie me pas ..sepse me pare nuk kishit kohe …ishit minister i ariut ..ops Saliut …apo Saliu demshperbleu ty dhe ti u bere rilindas qe te demshperblehej dhe tRRapi Mino ?
Uh ,cfare corbe …me skjaron dot te lutem kur te kesh kohe ?
Tani pa pune jeni ,rilindasit te hapen dosjen …dhe pane qe ishe …armik i kllases .
Mos u merzisni avv…keto pune keshtu e kane …partia me pare ha kelyshet e vet !