(Lexohet pretenca nga Prokurori i Përgjithshëm Rrapi Mino)
Sipas Prokurorit të Përgjithshëm Rrapi Mino në vazhdim të leximit të akt-akuzës ndaj të pandehurve Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati, veprimtaria armiqësore e ‘grupit sabotator në ekonomi’, e bashkërenduar dhe e planizuar në detaje, është shtrirë dhe në blerjen me valutë jashtë vendit të makinerive e pajisjeve të pa nevojshme apo jo produktive për industrinë. Mino shton se si pasojë e kësaj veprimtarie armiqësore të pranuar nga të akuzuarit dhe të denoncuar edhe nga dëshmitarët, janë shkaktuar dëme ekonomike të konsiderueshme…
Dëshmitari Eqerem Beci, Drejtor i Bilancit pranë Komisionit të Planit të Shtetit, duke vënë në dukje këtë qëndrim të armikut Abdyl Këllezi, deklaroi: “Propozimet e bëra nga punonjësit e aparatit për të vendosur një nomeglaturë të përqendruar në artikujt e importit, Abdyl Këllezi i ka hedhur poshtë me arrogancë dhe prepotencë… Ai, direkt me firmën e tij, ka dhënë fonde në valutë për linja e reparte të reja, për makineri, pajisje apo materiale të pa studiuara e të pa argumentuara, në mjaft raste të pa kërkuara edhe nga vetë dikasteret, por direkt nga idetë e tij ose nga premtimet që bënte, duke e vënë shpesh aparatin para fakteve të kryera”.
Dëshmitari Genc Shkodra, po ashtu deklaron: “Në një mbledhje me gjithë drejtorët u ngrit problemi i përqendrimit të nomeglaturës së importit, me qëllim që kjo veprimtari të ishte e kontrolluar nëpërmjet planit të shtetit. Armiku Abdyl Këllezi, këtë propozim nuk e pranoi, duke thënë kjo nuk do të bëhet dhe nuk është e drejtë. Këtë mendim ai e shprehu më vonë edhe në një mbledhje të organizatës bazë ku u shqyrtua materiali ‘Mbi forcimin e karakterit shkencor të planifikimit’.”
Si konkluzion, në përdorimin e kuotave të importit, e gjithë veprimtaria e ndjekur nga armiqtë Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati ka qenë sabotuese, një veprimtari që godiste vijën e drejtë të Partisë në problemet e planifikimit dhe centralizimit të ekonomisë, që nxiste dhe inkurajonte metoda revizioniste të vetë administrimit, të shthurjes dhe decentralizimit, të dëmtimit të ekonomisë popullore.
Shokë gjyqtarë! Grupi antiparti i sabotatorëve në organizimin shtetëror dhe në ekonomi, është përpjekur ti sjellë dëme të mëdha edhe në drejtim të goditjes së planeve të shtetit, të sabotimit drejt për së drejti të metodologjisë dhe detyrave të planifikimit. Të ndërgjegjshëm se me planifikimin e ekonomisë popullore vihet në zbatim vija dhe programi i Partisë për ndërtimin socialist të vendit, për ngritjen e pa reshtur të nivelit material e kulturor të masave të gjera punonjëse, për të sabotuar këtë vijë me qëllim, kanë zhvilluar një veprimtari të pa ndërprerë për krijimin e përshpejtimeve dhe anomalive në sistemin e planifikimit, duek pasur për objektiv dëmtimin e ekonomisë popullore, dobësimin dhe shkatërrimin e pronës shoqërore mbi mjetet e prodhimit.
Në këtë problem parimor të ekonomisë sonë popullore, provat e mbledhura në çështje, vërtetuan se armiku Abdyl këllezi, një rëndësi të veçantë i kushtoi punës armiqësore për lejimin e aparatit të Komisionit të Planit të Shtetit nga detyrat funksionale të tij, për mos vënien e këtij aparati në detyrat e hartimit, kontrollit dhe zbatimit në praktikë të planeve të shtetit… Për këtë qëllim, me porosi të tij, në projekt planet përkatëse ka parashikuar ndërtime linjash dhe repartesh që nuk figuronin në planin 5 vjeçar, siç është për shembull rasti i linjave dhe reparteve të Industrisë së Lehtë, ku ka orientuar që në plane të ulet vlefta e plotë e veprave, me qëllim që më vonë Qeveria të shtonte vleftën fillestare të tyre. Ai ka vendosur që në organet e tregtisë së jashtme, Komisioni i Planit të Shtetit të mos ushtrojë kontroll për përdorimin e fondeve në valutë si dhe një numër veprash të tjera, që në tërësinë e tyre e bënin Komisionin e Planit të Shtetit një organ jo veprues, të largët nga realizimi i detyrave që i ishin ngarkuar.
Taktika e armikut Abdyl Këllezi, për zbatimin e kësaj veprimtarie, ka qenë futja e aparatit të Komisionit të Planit të Shtetit në rrugën e euforisë dhe të vetë kënaqësisë, mbulimi i të metave dhe shkeljeve të vërtetuara dhe mos dalja jashtë e tyre. Në këtë drejtim, për të ulur vigjilencën në aparat, për të realizuar planet armiqësore dhe për të mos lejuar të rrezikohej vepra kriminale që zbatonte, ai orientonte se mendimet dhe veprimet e paraqitura prej tij në çështjet e planifikimit, gjoja “ishin miratuar dhe legalizuar nga lart”, dhe në këtë kuadër, nuk lindte gjoja nevoja që ato të diskutoheshin, të mos gjenin zbatim. Kjo taktikë armiqësore, e përdorur sistematikisht, në mënyrë të qartë u vu në dukje si dhe nga vetë pohimet e të pandehurve:
Armiku Abdyl Këllezi, duke pranuar këtë veprimtari deklaroi: “Kam punuar për të shmangur aparatin e Komisionit të Planit të Shtetit nga detyra e hartimit dhe kontrollit të zbatimit në praktikë të planeve të shtetit, me qenë se kryerja e rregullt e detyrës nga aparati do të vështirësonte e rrezikonte veprimtarinë armiqësore që unë me armiqtë e tjerë bënim… Jam përpjekur ta fus aparatin në rrugën e euforisë e vetë kënaqësisë dhe evitoja çdo dalje të dobësisë së punës së aparatit jashtë… Me shprehjet se për këtë ose atë çështje ishte ‘në dijeni dhe udhëheqja e Partisë dhe Qeverisë’, se për këtë apo atë veprim që kryeja unë, gjoja, ishte ose porosi e udhëheqjes ose e aprovuar nga ajo, kam synuar dhe jam përpjekur të ul vigjilencën e punonjësve në aparat se çdo veprim i imi ishte miratuar dhe legalizuar nga lart”.
Shokë gjyqtarë! Në vështrim të këtyre thënieve del qartë se për të maskuar dhe ruajtur nga demaskimi dhe zbulimi, këta armiq kanë përdorur çdo mjet që ishte në shërbim të qëllimit të tyre. Dhe kjo, shokë gjyqtarë, ishte plotësisht e kuptueshme. Si armiq të Atdheut, popullit dhe socializmit, në gjuhën dhe veprimet e tyre nuk mund të gjeje gjë tjetër veçse gënjeshtrën dhe mashtrimin, përdorimin e atyre formave dhe metodave të djallëzuara që krijojnë të çara për të luftuar dhe goditur, për të dobësuar frontin tonë të brendshëm me synim që të realizojnë qëllimet e tyre anti socialiste, kundër revolucionare.
Në zbatim të kësaj taktike, veçanërisht e thellë ishte puna
armiqësore e të pandehurve Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati në goditjen e parimit të patundur të Partisë dhe shtetit tonë mbi pjesëmarrjen e drejt për drejtë të punonjësve në planifikim; që lidhet me metodën e drejtimit të ekonomisë socialiste, me ngritjen e vetë dijes së klasës punëtore dhe me nevojën për të shmangur çdo shfaqje arbitrare dhe të spontanitetit.
Armiku Abdyl Këllezi, në këtë çështje parimore, për të mënjanuar zbatimin e vijës së masave në hartimin dhe zbatimin e planeve, përdori taktikën se gjoja aparatit të Komisionit të Planit të Shtetit nuk i takonte detyra të merrej me këtë problem, se pjesëmarrja e punonjësve në planifikim gjoja nuk është detyrë funksionale e këtij aparati, por e organeve të tjera.
Dëshmitari Xhevdet Mingomata, për këtë çështje, deklaron: “Punën për hartimin e planeve e pengonte armiku Abdyl Këllezi, duke e mbytur aparatin me cingërima në vend që të ndihmonte që plani të hartohej që me bazë mirë dhe i mbështetur në vijën e masave. Në mbledhje deklaronte se vija e masave nuk na takon ne të Komisionit të Planit, ajo i takon Partisë”.
Shokë gjyqtarë! I gjithë ky qëndrim armiqësor i të pandehurit Abdyl Këllezi dhe bashkëpunëtorëve të tij në krim ndaj zbatimit të vijës së masave në problemet e planifikimit dhe vetë planifikimit si tërësi, natyrisht, nuk është pa kuptim. Pjesëmarrja e drejt për drejtë e punonjësve në planifikim është një çështje parimore me përmbajtje të thellë ideologjike, politike, ekonomike dhe organizative. Ajo lidhet me metodën e drejtimit të ekonomisë socialiste dhe ka në themel të saj vijën e masave, ka të bëj me kërkesën për të shmangur çdo shfaqje të spontanitetit në çështjet ekonomike, është shprehje e faktit se punonjësit në vendin tonë janë zot të vetvetes, i ekonomisë dhe ndërmarrjes ku punojnë, shprehje e demokracisë socialiste në veprim. Prandaj, jo pa qëllim, armiku Abdyl Këllezi godiste këtë parim, duke e paraqitur atë të huaj për organet shtetërore dhe aq më tepër për një organ të tillë sikurse është Komisioni i Planit të Shtetit, i cili është i ngarkuar drejt për së drejti me problemet e planifikimit.
Armiku Abdyl Këllezi, duke goditur metodën e planifikimit të shtetit tonë socialist, për të shmangur aktivizimin dhe pjesëmarrjen e klasës punëtore dhe gjithë masave punonjëse në procesin e planifikimit, parashikonte se ky planifikim gjoja nuk i takonte organeve shtetërore, Komisionit të Planit të Shtetit, por organeve të Partisë. Ky është një drejtim tjetër i punës së këtij armiku që synonte në ndarjen e organeve shtetërore nga Partia, që kishte në themel bazën revizioniste të eliminimit të rolit udhëheqës të Partisë, të përgatitjes së organeve shtetërore ‘të pavarura’ nga Parti dhe të paraqitjes së Partisë si ‘faktor thjesht ideologjik’”.
Shokë gjyqtarë! Shqyrtimi gjyqësor i çështjes vërtetoi se në sabotimin e metodologjisë dhe detyrave të planifikimit, grupi armiqësor i kryesuar nga Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati, është përpjekur gjithashtu që statistikën ta largonte nga detyrat e saja kryesore. Për të mos marrë vendime të drejta lidhur me caktimin e detyrave dhe mjeteve që duhen për realizimin e tyre, për të mos ndërtuar një planifikim të drejtë dhe të saktë në treguesit e ndryshëm dhe për të mos u mbështetur ato në të dhëna mbi gjendjen reale të fenomeneve dhe proceseve ekonomike, këta armiq bënë që statistika të mos luaj rolin e saj të caktuar në problemet e planifikimit, të mbetet një fushë jo ndihmëse e analizave të treguesve të ndryshme dhe e ndjekjes në vazhdimësi të detyrave të caktuara për plotësimin e planeve. Për më tepër, edhe për rastet kur shërbimi statistikor vihej në funksion të rolit të caktuar, armiku Abdyl Këllezi mundohej që veprimet e konstatuara të mos dilnin jashtë dyerve dhe drejtorive të Komisionit të Planit të Shtetit, por të mbeteshin çështje të brendshme, të mbyllura brenda për brenda dikasterit.
Kjo veprimtari armiqësore, duke ndjekur si qëllim mos zbulimin e punës së kryer kriminale, të sabotimit që ata realizonin në çështjet ekonomike, bënë që treguesit e rëndësishëm të realizimit të planit si kosto, kuotat e importit, etj, të mos ndiqen nga Komisioni i Planit të Shtetit, të mos i nënshtrohen analizave përkatëse të tyre,, studimeve nëpërmjet të dhënave statistikore. Nën pretekstin se këto detyra nuk i përkasin komisionit të Planit të Shtetit, se këta tregues ndiqen nga Ministria e Financave, armiku Abdyl Këllezi e orientoi statistikën në ndjekjen e çështjeve jo të rëndësishme, në mos shfrytëzimin e burimeve të të dhënave kryesore, në drejtimin e zhvillimit të ankesave dhe vrojtimeve për gjera që nuk kishin asnjë lidhje me kontrollin e realizimit në praktikë të planeve.
Puna armiqësore mbi mënjanimin dhe pengimin e Komisionit të Planit të Shtetit nga problemet themelore të tij dhe ngarkimi i këtij institucioni me detyra të tjera, jashtë hartimit dhe ndjekjes së planeve, duke nxjerrë si qëllim goditjen e drejtimit dhe zhvillimit me plan e në mënyrë të centralizuar të ekonomisë popullore, në vet vete i hapte rrugë qëndrimeve arbitrare, futjes në ekonomi të metodave revizioniste të vetë administrimit, mënjanimit të ushtrimit të kontrollit mbi realizimine planeve, mos njohjen e gjendjes, krijimit të shpërpjesëtimeve dhe anomalive. Pikërisht, këto pasoja dëshironin të arrinin të pandehurit dhe është për këto arsye, që ata, me të gjitha format e tyre, u munduan ta godisnin parimin e planifikimit dhe metodologjinë e tij në të gjitha drejtimet, anët dhe treguesit që formojnë përmbajtjen konkrete të tij.
NESËR DO TË LEXONI:
-Pretenca e Prokurorit të Përgjithshëm Rrapi Mino: Si planifikuan dhe realizuan armiqtë Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi e bashkëpunëtorët e tyre sabotimin ekonomik në industrinë e naftës.
-Dëshmitë në hetuesi të Këllezit e Theodhosit për bllokimin e shfrytëzimit të puseve naftëmbajtëse, me qëllim uljen e prodhimit dhe bllokimin e ekonomisë.
-Si u braktisën vend kërkimet që kishin rezerva nafte dhe u investua në zona që nuk njiheshin dhe nuk ishin parashikuar
Interesante!
krijimtari politike……me dirigjent ENVER HOXHA ……………
keto jane rrena te besushme vetem nga injoranca dhe nga ata qe i krijonin…….shpifje te daluna boje……..
si ne te gjithallojet e diktaturave edhe ne diktaturen tone kishte viktima………kurban ………
Tagjikomedi edhe idiote edhe e felliqur, kanibale te ndyre!!
Kemi jetuar nje kohe te cmendur!!!
Diktatura e diktoatori i asaj kohe nuk kane asnje dallim me diktaturen dhe diktatorin e tanishem Sali Berisha, atehere sulmohej PPSH sot armiqte sulmojne PD. Perpara behej nje gjyq formal i paravendosur me nje mal me genjeshtra dhe kishte nje “vendim” gjyqi per pushkatim, sot ekzistojne vrasje politike si Azem Hajdari, Remzi Hoxha, KostaTrebicka etj, per te mbajtur te pacenuar pushtetin e Sulltanit Sali, por qe populli me 1 milion vota e syrgjenosi ne skuten e shpellareve nga ku ka dale dhe po ben rolin e kacakut duke gjuajtur me gure, pas ferre. Si i pafytyre qe eshte shkon per vaki morti ne Europe dhe si i pa bese, shan e shpif per 1 milion shqiptare qe zgjodhen qeverine e Rilindjes te drejtuar nga Edi Rama edhe ne varreza merret me politiken e perbaltjes dhe te shpifjes se perfaqesuesve legjitim te popullit shqiptar.