Krahas dyndjes së madhe të pacientëve drejt shërbimeve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, mjekët thonë se së fundmi po përballen edhe me një tjetër fenomen shqetësues, e që ka të bëjë me referimin e dhjetëra rasteve në gjendje shumë të rëndë shëndetësore nga spitalet private. Mjekët e këtyre spitaleve kanë tentuar për ditë të tëra që të japin ndihmën mjekësore, dhe kur shohin që gjendja e pacientit është e rënduar, i përcjellin drejt QSUT-së. Shefi i Shërbimit të Kirurgjisë Vaskulare Edmond Kapedani, në analizën 1-vjeçare të punës së bërë nga kjo qendër spitalore, ka pohuar se një problem më vete mbetet ardhja e pacientëve në gjendje të rëndë shëndetësore për të marrë ndihmën finale në klinikat e QSUT-së. Sipas tij, ministria dhe dikasteret e tjera përgjegjëse duhet të ndërhyjnë në këtë rast, pasi lulëzimi i klinikave private po mbart një kosto tepër të lartë për shërbimin publik, të cilat rastet në gjendjen më të rëndë i përcjellin drejt QSUT-së. “Unë kam një shqetësim që nuk po e zgjidh dot, shumë pacientë operohen në spitalet private, dhe kur janë në stadin e fundit i përplasin me ambulance tek shërbimi ynë. Në këtë rast çfarë kontributi mund të jap unë apo vartësit e mi, për një gjendje shëndetësore që ne nuk e dimë se si është, dhe se çfarë i është ofruar nga mjekët e mëparshëm. Diçka duhet bërë me këto spitalet private që në parim duhet të jenë kompatibël me spitalet shtetërore. Për arsye objektive dhe subjektive lulëzojnë edhe në mënyrë të pa drejtë. Pa qenë të aftë të bëjnë atë punë që duhet të bëjnë, vijnë dhe i përplasin pacientët këtu”, shprehet Kapedani. Sipas tij, kjo praktikë jo vetëm ngarkon mjekun pritës me përgjegjësi, por mbart edhe kosto të lartë, duke qenë se këta pacientë kanë nevojë për trajtime të kushtueshme për shkak të gjendjes së rëndë në të cilën ndodhen. Duke i cilësuar këto si ngarkesa të pajustifikueshme, si të tilla duhet të marrin fund. Sa i takon uljes së përdorimit të antibiotikëve, Kapedani shton se për mbërritur drejt këtij objektivi, drejtoria e QSUT-së duhet të jetë më e kujdesshme që të sigurojë higjienën e duhur, si dhe të pajisë sallat me mjetet e nevojshme që sigurojnë mbrojtjen nga ngarkesat mikrobiale. Kjo pasi vetëm në këtë formë mbahen larg infeksionet spitalore dhe antibiotikët që duhen për shërimin e tyre.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Bajram Hysa është edhe disiplinimi i punës së mjekëve. Sa i takon kësaj çështje Hysa shton se nuk duhet të ndalet puna në disiplinimin e mjekëve, të cilët duhet që në orën 8 të jenë në punë në shërbimet e spitalit publik, e jo pranë klinikave private sikundër ka ndodhur në shumë raste. Ministri Beqaj, dhe drejtoresha e QSUT-së Ogerta Manastirliu, kundrejt shqetësimeve të mjekëve kanë deklaruar se do të marrin masat përkatëse për të përmirësuar cilësinë e kujdesit të ofruar ndaj pacientit. Sasitë e stoqeve të mbetura, apo barnave të skaduara e të mbetura për vite me radhë në depot e spitalit, por edhe rrugët për të mundësuar shmangien e këtyre problemeve në të ardhmen, ishin disa nga pikat e ngritura për diskutim nga Manastirliu, gjatë bashkëbisedimit të zhvilluar me mjekët. Drejtoresha e QSUT-së tregoi gatishmërinë për të punuar duke garantuar se dyfishimi i fondeve për ilaçet dhe ndërhyrjet në infrastrukturë, ndërkohë që ka konfirmuar se kur mori detyrën, gjeti një administratë të fryrë me 95 punonjës me shumë, si dhe 205 kontrata të përkohshme të personelit mjekësor të hartuara në kundërshtim me ligjin.
Anila Godo: Pacientët i çoj drejt privatit sepse nuk kemi barna
Mungesa e barnave është problem më vete për pjesën dërrmuese të shërbimeve të QSUT-së. Pavarësisht punës së bërë drejtuesit e shërbimeve theksojnë se janë të shumta mungesat e barnave që shfaqen në pavijonet e tyre. Shefja e shërbimit të Onkohematologjisë Pediatrike, Anila Godo ka pohuar dje se ky shërbim ka mungesa të theksuara medikamentesh dhe ekzaminimesh të thjeshta, siç është elektroforeza e hemoglobinës. “Përballë kësaj mungese, si dhe të atyre të ekzaminimeve të thjeshta jam e detyruar që të afërmit e fëmijëve të sëmurë t’i çoj drejt privatit, pasi në shërbimin tonë kemi mungesa”, u shpreh Godo. Ajo është ndalur edhe tek plani i shpërndarjes së stafit mjekësor, pasi po punohet me më pak punonjës se sa janë nevojat reale të çdo shërbimi. Sipas saj QSUT duhet të shërbejë si spital i nivelit terciar, dhe jo të përplasen të gjithë aty. Sa i takon mungesave ajo ka marrë premtimin e ministrit për plotësimin e shpejtë të tyre.
Laboratori nuk mund të përballojë çdo ditë kryerjen e 800 analizave
Laboratori i analizave Klinike-Biokimike po përballet me një fluks të lartë kërkesash çdo ditë, të cilat janë bërë të papërballueshme. Qoftë edhe për analizat shumë të thjeshta, të cilat mund të kryhen edhe në shërbimin e poliklinikave apo spitalet rajonale, pacientët dynden drejt laboratorit të QSUT-së. Shefi i shërbimit laboratorit Klinik – Biokimik në QSUT Ndok Marku, thotë se kjo situatë në të vërtetë vetëm sa e rëndon punën e këtij laboratori, jo vetëm sa i takon mbingarkesës, por edhe pamundësisë financiare për të përballuar reagentët që duhen për kryerjen e analizave. si rrjedhojë e këtij fluksi (mbi 800 analiza të kryera në ditë), ndodh që reagentet të mbarohen dhe shpesh herë bllokohet kryerja e disa analizave. Marku, thotë se drejtoria e spitalit, dhe Ministria e Shëndetësisë nuk duhet ti lejojnë pacinmetët që të vijnë të gjithë drejt QSUT, për shërbime që mund të merren edhe në poliklinika.
Absurde që në turnin e natës një infermier kujdeset për 60 pacientë
Një ndër problematikat e ngritura nga drejtuesit e shërbimeve është edhe mungesa e personelit mjekësor që u vjen në ndihmë pacientëve. Shefi i Shërbimit të Reanimacionit, Ilir Ohri ka bërë me dije se drejtoria e këtij spitali duhet të ndalet në rishikimin e planit të ndarjes së mjekëve specialistë dhe infermierëve që shërbejnë për pacientët e çdo pavijoni. Sipas tij, nuk mundet që një infermier t’u vijë në ndihmë 60 pacientëve të një pavijoni, aq më tepër nëse bëhet fjalë që ky infermier është i vetëm në turn e natës. Kjo gjendje shqetësuese raportohet në pjesën dërrmuese të shërbimeve të QSUT-së. Ndaj në raport të përmirësimit të cilësisë së shërbimit duhet ndrequr detyrimisht ky raport, veçanërisht në shtimin e stafit të personelit infermieror. “Kjo edhe në drejtim të pakësimit të mjekëve”, thotë Ohri, duke marrë parasysh që është kjo pjesë e stafit mjekësor që merret më së shumti me pacientin. “Kjo ndarje është absurde, pasi rrëzon tërë punën e mjekut. Në spital duhen shtuar infermierët më mirë të pakësojmë mjekët dhe të shtojmë infermierët nëse duam të ofrojmë shërbim cilësor për pacientin”, ka përfunduar Ohri.
Përdorimi i strukturave dhe shërbimeve të QSUT
Gjatë një viti, fluksi i pacientëve të shtruar është afërsisht 60 000.
Ndërhyrjet Kirurgjikale
Numri i përgjithshëm i ndërhyrjeve kirurgjikale që kryhen gjatë një viti është 18.342, prej të cilave:
Ndërhyrje neurokirurgjikale 1001;
Ndërhyrje kardiokirurgjikale 525;
Ndërhyrje vaskulare 891;
Shërbimi i Urgjencës
Numri i përgjithshëm i rasteve urgjente është mbi 210 460 raste
Urgjenca pediatrike me 45 % të rasteve;
Urgjenca të sëmundjeve të brendshme 28 % të rasteve
Urgjenca kirurgjikale 16% të rasteve
Urgjenca të sëmundjeve infektive 9 % të rasteve
Në shtator rikthehen specializimet e mjekëve
Çështja e specializimeve është një ndër më të përfolurat sa i takon kualifikimit të profesionistëve të rinj të shëndetësisë. Ministri Beqaj ka deklaruar se në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit është vendosur që duke nisur nga muaji shtator të rikthehen specializimet në mjekësi, të cilat janë ndërprerë gjatë dy viteve të fundit. Sa i takon kësaj çështje dekani i Mjekësisë, Bajram Hysa ka pohuar se specializimet duhet të funksionojnë si një cikël i pandërprerë, duke pasur parasysh edhe nevojat reale që kanë spitalet e rretheve për drejtues të këtij shërbimi.