Prokuroria e Rrethit Tropojë dërgoi dje për gjykim 8 persona, ndër ta 6 janë zyrtarë, përfshirë edhe kryetarin e komunës Tropojë e Vjetër, si edhe 2 të tjerë që janë përfaqësues të një subjekti privat, të akuzuar për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës”, dhe “falsifikim të dokumenteve”. Në përfundim të hetimeve, organi i akuzës mori të pandehur Ram Kërtoçin, kryetar i komunës Tropojë e Vjetër, Haki Nezaj, nënkryetar komune, Man Malaj, shef i Financës, Zeqir Hykaj, teknik ndërtimi, Resmi Mulaj, sekretar, Fitim Peçi, sektori i Pyjeve, Sami Isufi, administrator i firmës “Besimi” dhe Ukë Kortoçi, punonjës i firmës “Besimi”. “Fillimisht, ndaj këtyre personave, hetimi është zhvilluar nën masën e sigurisë “arrest në burg”, të cilat janë ekzekutuar në mars të vitit 2014. Më pas, gjykata vendosi të zbusë masat e sigurisë dhe hetimi i prokurorisë ndaj këtyre personave ka vijuar me masat “garanci pasurore”, apo në gjendje të lirë”, tha organi i akuzës. Nga hetimet ka rezultuar se zyrtarët lokalë, kanë kryer pagesat e plota për llogari të shoqërisë “Besimi”, duke i konsideruar 6 punime infrastrukturore të përfunduara, ndërkohë që nga verifikimi në terren rezulton se këto punime nuk kanë filluar, ose nuk kanë përfunduar. Pagesat janë kryer duke falsifikuar dokumentet dhe me shpërdorim detyre.