Gazeta boshnjake “Avaz” sjell një artikull mbi prostituimin e nxënëseve në Preshevë, Bujanoc dhe Vranja. Kushtet e vështira ekonomike me të cilat përballen familjet e tyre, i detyrojnë këto të mitura të shesin veten edhe për një palë xhinse
Në pjesën jugore të Serbisë, një rajon i lënë pas dore në të gjitha drejtimet, ka filluar të përhapet gjithnjë e më shumë fenomeni shqetësues i prostituimit të vajzave të vogla, në këmbim të ndonjë veshjeje apo sasie të vogël parash. Papunësia dhe rrogat, të cilat nuk i kalojnë disa dhjetëra euro, bëjnë që familjet të mos i plotësojnë dot të gjitha kërkesat e vajzave adoleshente dhe kështu ato zgjedhin rrugë alternative për të bërë para të lehta.
Nga Presheva dhe Bujanoci vijnë dëshmi të trishta të nxënëseve të kthyera në punonjëse seksi që e japin trupin e tyre edhe për 10 euro. “U çmenda kur më tha se me çfarë merrej. Jemi shoqëruar gjatë shkollës dhe pas saj, por jo gjithmonë. Në shkollë frekuentojmë kafeteri të njëjta dhe kjo është e tëra”, thotë nxënësi serb me inicialet N.A. për të përditshmen boshnjake “Avaz”, në lidhje me shoqen e tij, e cila ofron shërbime seksuale.
Në botën e prostitucionit P.F. e ka tërhequr shoqja e saj e ngushtë. Ajo tregon se ka shumë vajza të reja që merren me të njëjtën gjë si ajo. “Ato kishin parë se unë isha shumë e dëshpëruar nga jeta dhe nuk kisha asnjë lek në xhep. Dilja me pantallona dhe xhup të vjetëruara. Dinin pothuajse gjithçka për mua dhe pëlqenin tipin tim. Nuk e dija se ishin edhe narkomane”, rrëfen P.F. Shoqet e saj e dërguan vajzën e re në Preshevë, me makinë. Herën e parë ajo shkoi me një shqiptar të ri, nga i cili përfitoi 30 euro dhe një palë xhinse të reja. U kthye nga Presheva shumë e lumtur. Sot mjekohet nga varësia ndaj drogës dhe përballet me një jetë shumë më të vështirë sesa ajo që bënte para se të fillonte të shiste trupin.
“Me parë kishte bastisje të policisë, në të cilat kapeshin shumë persona përgjegjës në Preshevë, Tërnoc dhe fshatrat përreth. Informoheshin edhe prindërit e vajzave. Një pjesë e madhe e tyre nuk besonin se fëmijët e tyre mund të bënin gjëra të tilla dhe kësisoj kërcënonin inspektorët e policisë, se do t’i padisnin”, shprehet një burim anonim i policisë për gazetën. Kur në një rast, policia pyeti njërin nga prindërit se ku i kishte gjetur vajza e tij aq shumë unaza floriri të cilat i mbante në gishtërinj, ai i qetë u përgjigj se “ia ka blerë i dashuri”!
Një pjesë e madhe e këtyre vajzave shpesh të mitura, vijnë nga familje me marrëdhënie të paqëndrueshme bashkëshortore. Shkolla për to është vetëm një stacion transit në jetën e tyre. Prostitucioni dhe drogimi i të rejave po kthehen në faktorë dominues edhe për qytetin e Vranjës (në jug të Serbisë, afër Bujanocit dhe Preshevës). “Një shoqe më tregonte se në një shtëpi prapa shkollës, kanë qenë 20 vajza të cilat kaluan aty 7 ditë. Drogoheshin, nuk kuptohej se cila shkonte me cilin, kush hynte e kush dilte. Tutori kryesor kontrollonte gjithçka. Mungesën e saj në shtëpi, prindërit e kishin denoncuar në polici dhe pavarësisht kërkimeve nuk e kishin gjetur. Ditë më vonë, vajza ishte kthyer në shtëpi në gjendje thuajse gjysmë të vdekur”, dëshmon sërish për të përditshmen N.A..
Në të shumtën e rasteve prindërit nuk e kuptojnë mungesën e vajzave në shtëpi, pasi ato tregohen aq të shpejta sa i bëjnë gjërat brenda disa orësh pa rënë në sy. Nisen për në shkollë, marrin taksi dhe drejt e në Preshevë ku kanë një bazë të përhershme. Orët e pasdites dhe darkës i gjejnë në shtëpi, të lodhura. “Sot kishim tetë orë dhe mësim shtesë, thonë dhe shkojnë për të fjetur. Prindërit për këtë ‘lodhje’ shajnë profesorët”, përfundon nxënësi N.A./D.Gjuzi
Zhbwrje pwr shkaqe ekonomke dhe kuptim swprapthi i lirive nga tw rinjtw. Fatkeqwsi kombwtare.
Keqardhje po pak i ka hanger b…. vet.
Eshte hajvan ai qe e ka postuar ne kete menyre se nuk jane nga Presheva dhe Bujanovci por serbe nga Vranja qe shkojne ne Bujanovc dhe Presheve per tu feshehur larg Vranjes.