Në ditën Kombëtare të Rinisë, gjimnazistë të Forumit të Rinisë Eurosocialiste të Shqipërisë kanë protestuar para Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar lirimin e hapësirave publike.
Të rinjtë kanë kërkuar nga kryebashkiaku mbajtjen e premtimeve për më shumë hapësira të gjelbra për qytetarët.
“Protestojmë paqësisht, por me indinjatë të thellë, duke kërkuar të na kthehen hapësirat publike të cilat janë pushtuar si dhe krijimin e hapësirave të reja në shërbim të komunitetit e në veçanti të të rinjve.
Tre vjet më parë, asokohe kandidat për Kryetar të Bashkisë Tiranë, zoti Lulzim Basha na premtoi më shumë hapësira publike, hapësira të gjelbra dhe argëtuese për qytetarët e Tiranës.
Ndaj sot, ne jemi këtu në kërkim të hapësirave që na u premtuan dhe që qytetarët e kryesisht ne të rinjtë meritojmë”, kanë thënë të rinjtë e FRESSH.
Ata deklaruan se hapësirat publike janë minimizuar, ndërsa të rinjve u ofrohen vetëm tavolinat e bizneseve që kanë pushtuar trotuaret.
“Na u premtua shumë, por rezultatet e një vëzhgimi që mund ta bejë secili prej nesh, tregon se hapësirat jo vetëm që nuk janë shtuar, por përkundrazi, janë minimizuar. Akuzohemi shpesh se jemi duke iu larguar gjithmonë e më shumë aktiviteteve sportive.
Por, çfarë na ofrohet ne sot më shumë se sa tavolinat e bizneseve që zaptojnë trotuaret anë e mbanë qytetit? Ku janë premtimet, 10 kinematë, 11 bibliotekat dhe terrenet sportive që duhet të ishin gati brenda vitit të parë të mandatit? Kërkojmë përgjigje nga ju zoti kryetar!”, ka deklaruar FRESSH.
***
Bashkia e Tiranës: Sulm politik për të mbuluar dështimin e Ramës
Sulm politik ndaj Bashkisë është konsideruar protesta e disa të rinjve të FRESSH në lidhje me mosmbajtjen e premtimeve nga ana e Kryebashkiakut Lulzim Basha.
“Ish-kryebashkiaku Rama iu rikthye të vetmes dajre të vjetër që di t’i bjerë, të akuzojë gjithkënd për paaftësinë e tij. Njeriu që për 11 vjet betonizoi Tiranën nxorri sot nëpunësit e administratës për të kërkuar fusha.
Nëse zoti Rama nuk do të betonizonte mbi 65 mijë metra katrorë lulishte në zemër të Tiranës vetëm në 4 vitet e tij të fundit si kryebashkiak do të kishte hapësira të shumta për pushim dhe argëtim për qytetarët e Tiranës.
Nëse zoti Rama nuk do t’i bllokonte paligjshmërisht për 7 muaj buxhetin Bashkisë, derisa u zhbllokua me vendim gjykate, dhjetra blloqe banimi do rehabilitoheshin duke u kthyer qytetarëve ambjente çlodhëse dhe argëtimi në lagjet e tyre.
Nëse zoti Rama nuk do të bllokonte paligjshmërisht projektin e Bulevardit të ri, Tirana do kishte 7 parqe dhe mbi 300 mijë metra katrorë gjelbërim për kryeqytetasit dhe gjithë vizitorët e saj. Nga bllokimi i terminalit dhe i tramit u ka hequr mundësinë qytetarëve të Tiranës të kenë trafik të lehtësuar dhe 9 ton dioksid karboni më pak çdo ditë.
Edi Rama ka dëshmuar jo vetëm për Tiranën po për gjithë Shqipërinë se di vetëm të bllokojë, shkatërrojë dhe varfërojë qytetarët duke rritur taskat, çmimet dhe papunësinë.
Dështimin e tij kryeministri Edi Rama nuk mund ta mbulojë me sulme politike ndaj Bashkisë së Tiranës”, thuhet në një reagim të Bashkisë së Tiranës.
More po ky Lulushi që qesh na premtoi se sapo të bëhej kryetar bashkie do të na e ulte çmimin e bukës ?