Krimi është trefishuar gjatë tetë viteve të qeverisjes së Berishës dhe kjo i ka bërë qytetarët të ndjehen më të pasigurtë se kurrë. PS e cilëson rendin si një nga 100 dështimet për të cilat Berisha nuk duhet votuar në 23 qershor. Në një konferencë shtypi, deputeti socialist, Piro Lutaj, tha se pasiguria në rrugë është rritur me 220 për qind, ndërkohë që është përkeqësuar lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sipas tij, emërimet e militantëve të Policinë e Shtetit e kanë mbytur profesionalizmin, ndërsa kupola e Ministrisë së Brendshme ka lidhje me krimin.
“Sot Policia e Shtetit ka dështuar keq dhe me mbrojtjen e grupeve më në nevojë, siç janë fëmijët dhe gratë nën rrezikun e provuar e të përsëritur të dhunës. Profesionalizmin dhe motivimin e Policisë së Shtetit, Berisha e mbyti me emërimet dhe rekrutimet që plotësonin vetëm një kriter, atë të militantit (ose tre nëse shtojmë nepotizmin e krahinarizmin). Raportet e Bashkimit Europian në vitin 2010 dhe 2011 për progresin e bërë nga Shqipëria dhe raporti i Departamentit Amerikan të Drejtësisë (2012) theksojnë qartë se Policia e Shtetit vuan si pasojë e korrupsionit dhe të mungesës së profesionalizmit, me gjithë trajnimet e shumta të ofruara nga misionet që asistojnë policinë. Ndershmëria e personelit u godit rëndë kur Policia e Shtetit u kap nga kupola e Ministrisë së Brendshme me lidhje të shkurtra me botën e krimit. Drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit sot janë të lidhur me krimin e organizuar. Kjo kupolë ka tradhtuar Policinë e Shtetit, duke tradhtuar njerëzit e ndershëm e më të përgatitur brenda saj. Këta ose janë larguar, ose janë hedhur në katër rrugë, ose janë detyruar të heshtin, duke shkaktuar një shkatërrim moral të gjithë Policisë së Shtetit. Drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit sot garantojnë rrugët e kontrabandës dhe administrojnë të gjitha të ardhurat nga korrupsioni. Tradhtia e përditshme që i bëhet Policisë së Shtetit, ka fytyrën e trios Flamur Noka (Ministër i Brendshëm), Hysni Burgaj dhe Agron Kuliçaj. Kjo është dora e rrënimit të vazhdueshëm të Policisë së Shtetit,” vijoi deputeti socialist, duke theksuar se tani komisarët këputen rrugëve nga plumbat dhe asgjë nuk ndryshon.
Lutaj u shpreh se PS pas 23 qershorit do të rilindë Policinë e Shtetit. “Pas 59 ditësh, qeveria e majtë, që në 300 ditët e para do ta rivendosë Policinë e Shtetit në krye të detyrës dhe Shqipëria do të shohë me sytë e saj një polici të rilindur. Riorganizimi rrënjësor i Policisë së Shtetit dhe i të gjitha forcave të sigurisë, rritje të trajtimit financiar për policinë shqiptare dhe do e çlirojmë atë nga kupola e krimit”, tha Lutaj.