Partia Socialiste e cilëson të dështuar qeverinë “Berisha” në përkrahjen e emigrantëve. Në një konferencë shtypi, Erion Veliaj tha se Berisha ka pasur tetë vjet kohë për të punuar për futjen e votës së emigrantëve në Kodin Zgjedhor, por nuk e ka bërë, pasi ajo është një vullnet që nuk e transformon dot. “Për të qenë korrekt dhe të ndershëm me 1.5 milionë emigrantë, ne duam të bëjmë rezymenë e qeverisjes Berisha në tetë vjet. Sali Berisha premtoi se shqiptarët nuk do të kishin asnjë problem në kufi. Histori të panumërta të zyrtarëve shqiptarë që nuk respektojnë dot konventat ndërkombëtare për toponimet ka pasur gjatë këtyre tetë viteve. Ambasadat janë kthyer në konvikte për familjarët e pushtetarëve shqiptarë Është premtuar unifikimi i pensioneve dhe sigurimeve shoqërore. Nuk është ngritur asnjëherë në tetë vjet një problem i tillë nga qeveria. Në tetë vite udhëtime për hesap të shtetit shqiptar dhe me paratë e taksapaguesve nuk ka ndodhur njëherë që kryeministri të takohet me emigrantët për të dëgjuar hallet e tyre. Qeveria shqiptare nuk ka ngritur as një shkollë të vetme për fëmijët e emigrantët. Vetë emigrantët arrijnë të mbajnë në këmbë me shumë sakrifica një rrjet vullnetar mësuesish që u mëson nxënësve gjuhën shqipe”, tha Veliaj.
Më tej, ai u shpreh se PS ka kërkuar dy herë përfshirjen e votës së emigrantëve në Kodin Zgjedhor, por është refuzuar nga maxhoranca, e cila tashmë që kanë mbetur vetëm 60 ditë nga zgjedhjet thotë se duhet të nisin negociatat.
“Në vitin 2008 dhe në vitin 2012, ne kemi propozuar në Komisionin e Ligjeve paketën për votën e emigrantëve. Votim me postë duke shmangur ambasadën e politizuar. Në të dyja rastet, me unanimitet, PD refuzoi propozimin tonë. Sot, kur kanë ngelur vetëm 60 ditë nga zgjedhjet, Berisha kërkon të dakordohemi për votën e emigrantëve”.
Veliaj dha arsyet se pse PS nuk pranon të diskutojë propozimin e Berishës për votën e emigrantëve. “Ambasada shqiptare në SHBA nuk ka para për energjinë elektrike. Si mund të ketë para të procesojë votat e shqiptarëve. Në tetë vite, kur koha ka qenë e mjaftueshme për të bërë disa nga këto gjëra për emigrantët, qeveria nuk ka bërë asgjë. Saliu tallet me emigrantët sepse e di se votën e tyre nuk e blen dot, nuk do një votë të lirë të cilën nuk e transformon dot.
Ne do të bëjmë pjesë të ligjit votën e emigrantëve, do të transformojmë ambasadat. Rritja e buxhetit të arsimit do të shkojë në favor të arsimit në emigracion. Ne do të fillojmë negociatat me Greqinë dhe Italinë për pensionet dhe sigurimet shoqërore. TVSH 2 të kalojë në menaxhim nga emigrantët. U kërkoj emigrantëve që edhe një herë të fundit të vijnë për të votuar për të realizuar të gjitha këto”, tha Veliaj.