Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, prezantoi një kandidate të re për deputete. Ajo është kryetarja e njësisë bashkiake nr 1 në Tiranë, Lindita Nikolla. Rama tha se futja e Linditës në ekipin e deputetëve të ardhshëm të PS-së do ta bëjë këtë të fundit akoma më të afërt me qytetarët.
“Sot na takon jo vetëm të flasim për gratë, por edhe të bëjmë një akt të ri besimi ndaj tyre, prandaj sot skuadrës sonë të rilindjes i shtohet një grua tjetër. Lindita Nikolla nuk është e panjohur për publikun, edhe pse shumë më mirë e njohin qytetarët e njësisë numër 1, ku ka drejtuar qysh prej vitit 2007. Kush e njeh historinë personale të Nikollës ka vetëm respekt për këtë grua. Kush di sadopak për administrimin e asaj zone mund të tregojë raste të panumërta të kryetares Nikolla për të zgjedhur hallet e tyre. Trokasin tek Lindita për faturën e ujit, dritave, Lindita shkon me ta në zyrat e KESH-it, Ujësjellësit. Askush që troket tek Lindita nuk merr përgjigjen se kjo nuk i takon njësisë bashkiake. Drama e rinisë së të vëllait të burgosur politik në vitet e diktaturës nuk ka nxitur urrejtjen tek Lindita, por dashurinë dhe hapjen tek të tjerët”, tha Rama.
Ndërsa vetë Nikolla tha se do të kontribuojë në realizimin e Rilindjes, duke trokitur në zemrën e çdo qytetari. “Unë do trokas në zemrën e çdo qytetari që do Shqipërinë e rilindur, e pas 23 Qershorit do vazhdoj sërish për të bërë të mundur rilindjen shqiptare”, tha Nikolla.