Borxhi publik është shumë më i lartë se niveli i shpallur dhe kjo është një tjetër arsye për të mos votuar Berishën. Në një deklaratë për mediat, anëtarja e kryesisë së PS-së dhe kandidate për deputete, Lindita Nikolla, tha sot se borxhi publik në Shqipëri nuk është vetëm ai i shpalluri nga qeveria në nivelin prej 62%, por është më i madh për shkak të kontratave të palikujduara nga qeveria karshi biznesit.
“Shumë borxhe të tjera të shtetit, si për shembull kontratat e palikuiduara ndaj biznesit, nuk përfshihen tek shuma e borxhit publik të shpallur.
Këto forma të detyrimeve të shtetit janë edhe më të rrezikshme për ekonominë dhe biznesin, sepse nuk vijnë nga një marrëveshje ligjore borxhi, por vijnë kryesisht nga një vullnet i munguar i shtetit për të mos zbatuar ligjin dhe detyrimet ligjore përkatëse.
Një nga detyrimet kryesore është pagesa e sipërmarrësve të investimeve publike dhe çdo lloj furnitori të shërbimeve publike.
Përfaqësuesit e dhomave të tregtisë dhe biznesit shprehen se qeveria i ka më shumë se 200 milionë euro (28 miliardë lekë) borxh rreth 660 kompanive të ndryshme. Kjo vlerë është diçka më shumë se investimet publike të financuara nga qeveria në 2012 (rreth 27.4 miliardë lekë).
Pra, rezulton se qeveria gjatë gjithë 2012 ka investuar vetëm me paratë e bizneseve dhe këta të fundit janë shtyrë drejt rrënimit. Në fakt, qeveria për shkak të arkëtimeve të ulta tatimore gjatë muajve të fundit ka marr borxh jo për të kryer investime publike, por për të paguar detyrimet minimale të shtetit, për të paguar rrogat dhe pensionet.
Një tjetër detyrim i shtetit ndaj biznesit është edhe mosrimbursimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Deklarimet në media nga grupe biznesi, që përfshijnë subjektet eksportuese, i vlerësojnë këto detyrime në mbi 150 milionë Euro. Ky lloj detyrimi është një nga rastet e mosfunksionimit të ligjeve fiskale që pengojnë edhe më shumë kompanitë eksportuese.
Kthimi i TVSH tek eksportuesit nuk është vetëm një favor që i bëhet atyre nga ligji, por është kryesisht një mekanizëm i cili siguron që eksportet shqiptare të mos paguajnë dy herë TVSH, një herë në Shqipëri për kostot e tyre dhe një herë në shtetin e destinacionit të mallrave ku eksportohen.
Ky fenomen po ndodh prej kohësh me eksportuesit shqiptarë, dhe qeverisja nëpërmjet sektori fiskal po e bëjnë edhe më të vështirë eksportin e produkteve shqiptare dhe ndaj tyre jo vetëm që mungon nxitja, por ngrihen edhe barriera jashtë frymës së ligjit vetëm e vetëm sepse financat publike janë në krizë buxhetore.
Vetëm në dy vitet e fundit, kemi rreth 17 mijë biznese që kanë kaluar në statusin e pasivit, pra nuk gjenerojnë asnjë aktivitet për ekonominë, ose 14 për qind e të gjithë tatim-paguesve të regjistruar”, tha Nikolla.
Nikolla tha se PS do të sjellë një model të ri partneriteti me biznesin pas ardhjes në pushtet. “Partia Socialiste do të mundësojë një model të ri partneriteti me biznesin e sipërmarrjen, bazuar në një axhendë katërvjeçare mbështetur në dialogim dhe bashkëpunim për të zgjidhur në mënyrë të qëndrueshme shqetësimet e tyre dhe krijuar klimë lehtësuese për bizneset; kontratë të qartë me sipërmarrësin dhe krijimi i kushteve që eliminojnë krejtësisht shantazhimin e tij nga administrate e pushteti; rimodelimin e të gjithë zinxhirit që bën të mundur rimbursimin e TVSH-së. Qeveria e re e majtë do të ndërtojë një aleancë në partneritet të plotë me sipërmarrjen, në mbrojte të interesave kombëtare dhe publike, në mbrojte të interesit të sipërmarrjes dhe bashkërisht në mbrojtje të vizionit për të ndërtuar një model të ri zhvillimi dhe marrëdhëniesh ekonomike”, tha ajo.
Mos u shqetsoni ose mos beni sikur shqetsoheni se ata do ti paguajn e jo ju.