Në kuadër të fushatës së PS-së “100 arsye për të mos votuar Berishën”, një tjetër argument vjen nga selia rozë. Në një deklaratë për mediat, ekspertja për programin në PS, Milena Harito, tha se mënyra sesi qeveria “Berisha” i ka trajtuar emigrantët është një arsye e fortë për të mos e votuar në 23 qershor. Harito tha se qeveria nuk ka bërë asgjë për të zgjidhur problemet e emigrantëve, si e drejta e votës apo çështja e pensioneve.
“Sali Berisha nuk ka bërë asgjë për të adresuar çështjet që i shqetësojnë emigrantët. Ai nuk i sheh ata si një grupim që kërkon vëmendjen e veçantë të qeverisë. Kur ata janë ndër kontribuesit kryesorë në ekonomi, duke ndihmuar në uljen e varfërisë dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomik, por Sali Berisha i shpërbleu duke i lënë në harresë. Edhe pse i paralajmëruar që në 2008 nga PS-ja për rrezikun që u kanosej emigrantëve si pasojë e krizës, ai nuk ka marrë asnjë masë. Edhe pse fali 300 km det, ai nuk bëri kurrë një marrëveshje me Greqinë dhe Italinë për pensionet e emigrantëve. Ambasadat janë mbushur me militantë dhe familjarë të pushtetarëve. Emigrantëve u është refuzuar e drejta e votës, pasi Sali Berisha nuk ka asnjë shpresë t’i blejë e t’i frikësojë me vendin e punës, për t’u marrë votën. Ne do t’u japim të drejtën të votojnë. Do të negociojmë për pensionet”, tha Harito.