Tendenca e njerëzve për të gënjyer sa herë që krijohet mundësia, mund të jetë çështje zakoni ose leverdie. Një studim na zbulon se kjo sjellje u kushton kompanive amerikane rreth 3.5 miliardë dollarë në vit.
Prirja e njeriut për të gënjyer ka njohur shembuj të shkëlqyer përgjatë harkut kohor të historisë. Nuk mund të harrohen rastet e presidentëve të SHBA-së, Riçard Nikson e Bill Klinton. Nikson gënjeu për përfshirjen e tij në çështjen e përgjimeve “Watergate”, ndërsa Klinton edhe pse nën betim i mohoi akuzat se kishte pasur një lidhje jashtëmartesore me Monika Levinskin. Lens Armstrong gënjeu mbi përdorimin e substancave me doping. Grupi muzikor “Mili Vanili” nuk i këndonte vetë këngët që publikonte. Shën Pjetri e mohoi Jezusin tri herë. Uliksi gënjente për të mos shkuar në luftë. Letërsia e cila më shumë anon nga fantazia dhe sajesa sesa nga realieti, ka nxjerrë përfaqësuesin më të denjë të gënjeshtrës “Pinokun”, por edhe ‘Kalin e Trojës’ (një dhuratë paqeje që kishte brenda luftën) te “Iliada”.
Jetojmë në një fluks të pandërprerë të informacioneve të rreme.
Pikasja e një të pavërtete në ditët tona është bërë më e vështirë se një përllogaritje shkencore. Një studim i “Association of Certified Fraud Examiners” tregon tendencën në rritje të njerëzve për të gënjyer dhe për gjurmët negative që lë në shoqëri kjo sjellje e përgjithshme. “E vërteta e vetme është se ne të gjithë gënjejmë”, thotë Pamela Meier, udhëheqësja e studimit.
Shpesh gënjejmë në mënyrë spontane dhe të padëmshme. Gratë u thonë bashkëshortëve se nuk e kanë problem kur ata shohin futboll gjithë ditën, ndërsa burrat i lajkatojnë gratë për prerjen e re të flokëve edhe kur s’u pëlqen.
Përse të thuash një të vërtetë të hidhur? Flokët, gjithsesi do të duan disa muaj që të rriten. Por Meier synon të pikasë mënyrat dhe kohën kur një gënjeshtër bëhet një instrument i kriminalitetit. “Jetojmë në një kohë kur sajesat dhe mashtrimet po tolerohen gjithnjë e më shumë e nuk përbëjnë më raste të izoluara. E kur bëhet fjalë për biznesin e kompanitë e mëdha, gënjeshtrat kushtojnë shumë shtrenjtë”, thotë Meier.
Sigurisht që ato mund të jenë një mundësi e mirë për të fituar shuma të majme. Sipas studimit të “Association of Certified Fraud Examiners” çdo shoqëri humbet gati 5% të fitimeve vjetore për shkak të mashtrimeve, përqindje që në të ardhura përllogaritet me rreth 3.5 miliardë dollarë. Një e dhënë tjetër interesante është se secili nga ne mund të jetë shënjestër e 10-200 informacioneve të rreme në ditë.
Një amerikan në katër i shikon si të pranueshme gënjeshtrat ndaj eprorit të tij, një e treta e kurrikulumeve (C.V.) janë të modifikuara, ndërsa një punëtor në pesë pranon se është në dijeni të mashtrimeve në ambientin profesional, por nuk ua raporton ato eprorëve.
Nuk është i pabesueshëm numri i madh i gënjeshtrave se sa fakti që ato janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë. Pesha e rëndë e gënjeshtrave nuk ndihet vetëm në fushën ekonomike, por është një çmim i rëndë për t’u paguar edhe në aspektin emocional e psikologjik. Në fund, të gjithë do të paguajmë për të pavërtetat tona.
“Duhet të kemi parasysh se një gënjeshtër në vetvete nuk ka asnjë fuqi, por e merr atë vetëm kur dikush vendos t’i besojë”, thotë Pamela Meier.
Somario: Një e treta e kurrikulumeve (C.V.) janë të modifikuara, ndërsa një punëtor në pesë pranon se është në dijeni të mashtrimeve në ambientin profesional, por nuk ua raporton ato eprorëve.