Hiperaktiviteti është një ndër çrregullimet që prek shëndetin mendor të fëmijëve që në moshat shkollore. Fëmijët kanë mungesë të theksuar përqendrimi, janë të lëvizshëm, shpërqendrohen shpejt, janë të rrëmbyer e shfaqin rezultate të dobëta në mësime. Mjekët psikiatër u kërkojnë prindërve që të jenë të kujdesshëm, pasi trajtimi i këtyre çrregullimeve nuk funksionon përmes qortimeve e ndëshkimeve.
Pranvera Kola
Rezultatet e dobëta dhe vështirësia në përqendrim janë çrregullime të shpeshta që shfaqen tek fëmijët shqiptarë, të cilat shpeshherë thellohen edhe më shumë si pasojë e reagimeve ndëshkuese që prindërit marrin ndaj fëmijëve të tyre.
Në një studim të bërë nga Instituti i Shëndetit Publik së fundmi rezulton se humbja e përqendrimit, ose siç njihet ndryshe hiperaktiviteti është një ndër çrregullimet e lehta që shfaqet në shëndetin mendor të fëmijëve. Mjekët psikiatër pohojnë se ndaj këtyre rasteve duhet bërë shumë kujdes dhe jo të qortohen apo të ndëshkohen, pasi këto çrregullime nga forma të lehta mund të kalojnë drejt formave më të komplikuara që manifeston shëndeti mendor i fëmijëve.
Simptomat e këtyre çrregullimeve bëhen edhe më të dukshme me kalimin në adoleshencë të fëmijës. “Një fëmijë që të mësojë normalisht duhet të ketë vëmendje e përqendrim. Por ky çrregullim i vëmendjes e çorienton fëmijën. Pra, vëmendja e përqendrimi janë të dëmtuara tek fëmijët hiperaktivë. Në ecurinë e këtyre fëmijëve ka ndryshime sidomos në periudhën e adoleshencës.
Një pjesë e fëmijëve eliminojnë lëvizshmërinë e tepruar, por vëmendja vazhdon t’i pengojë dhe këta nuk formohen dot”, shprehet mjeku psikiatër në Qendrën Kombëtare të Shëndetit Mendor nr.3 në kryeqytet. Fëmijët të cilët janë hiperaktivë dhe kanë mungesë përqendrimi të theksuar, janë të lëvizshëm, shpërqendrohen shpejt, nuk mund t’i ndalosh gjatë aktivitetit të tyre të rrëmbyer dhe e kanë të pamundur të presin qoftë edhe për pak sekonda.
Pothuajse në të gjitha rastet ata shfaqin shenja padurimi, nervozohen dhe lëndohen shumë shpejt. Sa më shumë të përballen me ambiente të reja dhe të ndihen të huaj në të, aq me të vështirë e kanë të heqin dorë nga veset tekanjoze dhe agresive ndaj bashkëmoshatarëve të tyre. Janë pikërisht këto shenja që kanë sinjalizuar shumë prej prindërve për çrregullimet nga të cilat vuajnë fëmijët e tyre.
“Ky hiperaktivitet i tepruar krijon dhe incidente. Për shembull nuk janë në gjendje të mbajnë radhën, fillojnë një punë, por nuk e mbarojnë dot. Mirëpo këta janë në përqindje të konsiderueshme, gati 3 për qind në adoleshencë. Mund të bëhen delinkuentë, të përdorin alkool, duhan dhe drogë. Ballafaqohen me vështirësi, kanë problem me ligjin. Futen në rrafshe të fuqishme depresive”, shton më tej Deraj.
Sipas udhëzimeve të dhëna nga ekspertët e shëndetit publik rezulton se janë të shumta rastet në të cilat komplikacionet e shëndetit mendor shfaqen që në mosha të vogla. Ndërkohë që numri i prindërve që arrijnë t’i identifikojnë në kohë është i pakët, pasi pjesa dërrmuese e tyre nuk kanë informacione në lidhje me këto sëmundje.
Lidhur me faktin se si ndihmohen këta fëmijë, disa nga këshillat e shpeshta që prindërit nuk duhet t’i neglizhojnë kanë të bëjnë me fakte të tilla: fëmijëve nuk u duhet vënë në dukje çdo veprim i gabuar, është e rëndësishme që ky fëmijë të kuptojë se është si gjithë të tjerët, ka kapacitet për të qenë i suksesshëm, e për këtë nuk u duhen kursyer lëvdatat në drejtim të tyre. Gjithashtu nuk duhet t’u kursejmë kritikat dhe t’u shpjegojmë që “saktësia në jetë është më e rëndësishme se shpejtësia”, por edhe ky veprim duhet bërë me kujdes.
Mosha kur simptomat bëhen më të dukshme
Fëmijët hiperaktivë arrijnë kulmin e shpërqendrimit të tyre në moshën 7-8 vjeç. Duke filluar nga mosha 9 vjeç dalëngadalë ndërgjegjësohen dhe fillojnë të tërhiqen nga lëvizjet e tepërta, por tashmë të qenit i shpërqendruar dhe i hallakatur është një pjesë e karakterit të tyre që vazhdon gjatë gjithë jetës.
Çrregullimet e të nxënit
Pak kohë më parë në një studim të ISHP-së u vu në dukje se 2 deri 10 për qind e fëmijëve vuajnë nga çrregullimet e të nxënit. Çrregullimi i aftësisë së të lexuarit, matematikore, dhe të shkruarit: Karakteristika kryesore e këtyre çrregullimeve është se leximi, aftësitë matematikore, aftësitë për të shkruar janë dukshëm nën nivelin e pritur, duke pasur parasysh moshën kronologjike, inteligjencën e matur dhe shkollimin e individit në përputhje me moshën e tij.
Duhet kuptuar që fëmijët me çrregullime në të nxënë nuk janë fëmijë me prapambetje mendore. Ata mund të kenë inteligjencë mesatare ose të lartë dhe sërish të kenë probleme në lexim, shkrim apo matematikë. Mund të ndodhë që fëmija të ketë edhe vështirësi në të nxënë dhe njëkohësisht edhe prapambetje mendore, por këto janë dy gjëra të ndryshme.
Simptomat e fëmijëve hiperaktivë dhe me mungesë përqendrimi
1. Kanë mungesë përqendrimi, kohëzgjatjen e përqendrimit e kanë të limituar, gjatë studimit janë shumë të ndjeshëm nga bezdisje të vogla mjedisore, meditojnë për diçka tjetër duke parë drejt tabelës së klasës ose duke të parë edhe në sy.
2. Këta fëmijë e kanë të pamundur të rrinë në një vend dhe të dëgjojnë me qetësi. Ata lëvizin sa majtas-djathtas, të shpërqendruar pa asnjë qëllim. Luajnë me duar dhe gishta, kërcasin gishtat, hanë thonjtë, shkarravisin diku ose godasin me ndonjë mjet për të nxjerrë një zhurmë ritmike. Mundohen në të njëjtën kohë të bëjnë shumë gjëra (kur mësojnë, shikojnë televizor ose gjatë mësimit bëhen pjesë e një diskutimi të bërë në shtëpi).
3. Një aktivitet të nisur nuk e vazhdojnë dot për një kohë të gjatë. E kanë shumë të vështirë të ulen dhe të dëgjojnë, kjo është pothuajse e pamundur për ta. Para se të fillojnë një punë, nuk mendojnë gjatë për përfundimin e saj.
4. Janë këmbëngulës dhe i mbrojnë idetë e tyre. Ndërkohë që nuk kujdesen sa duhet për sendet e tyre, shpeshherë humbasin diçka dhe janë të pavëmendshëm.
5. Megjithëse mund të kenë inteligjencë normale, nuk janë të suksesshëm në mësime.
6. Fëmijët hiperaktivë kanë dëshirë të mësojnë gjëra të reja (veçanërisht në shkencat ekzakte) dhe të eksplorojnë me to, por mungesa e përqendrimit, parregullsia, mungesa e aftësisë për organizimin e punëve, i bën ata të mos jenë të suksesshëm.
7. Mendojnë se mësuesi nuk i ka më me sy të mirë si më parë. Një shok tjetër në klasë bën të njëjtat gabime, por atë nuk e kritikon. E njëjta logjikë është edhe në familje, mendojnë se prindërit duan vëllanë ose motrën më shumë se ata dhe se atyre nuk u bërtasin për asnjë gabim.
8. Mendimi se nuk i kuptojnë të tjerët i shtyn që të bëhen të ndjeshëm dhe të mbyllur në vetvete. E vuajnë shumë kritikën e bërë në publik.
PERSHENDETJE ! SI DUHET TE SILLEM ME DJALIN TIM 6 VJEÇ E GJYSEM ESHTE HIPERAKTIV DHE AGRESIV NUK NDEGJON QA FLASIM GJITHASHTUBEDHE NE SHKOLL VEQ MENDJA E VET QA TI THOT . A KA MUNDESI ME MI DHAN DISA UDHEZIME SI TE VEPROI PA E LENDU