Punëtorët i vëmë re, edhe në borë e në shi, edhe ditën e natën, duke u ngjitur skelave të ndërtimit, duke hedhur katet e ndërteseve të banimit, të objekteve, të bizneseve e të shërbimeve të ndryshme; duke nxjerrë minerale të dobishme nga thellësitë e nëntokës. Ata i shohim buzë rrugëve kur udhëtojmë, duke i mirëmbajtur ato ose duke ndërtuar dhe asfaltuar rrugë të reja. Punëtoret, kryesisht, i ndeshim duke pastruar e mirëmbajtur mjediset publike të qyteteve tona, një punë e rëndomtë kjo në dukje, por le të përfytyrojmë për një çast: Si do të katandiseshin ato pa këtë punë?! Sa vlerësohen dhe shpërblehen ata nga shteti, shoqëria jonë, bizneset e padronët? Gjuha e shifrave nxjerr në dritë një realitet absurd dhe paradoksal, i paraqet ata si personazhe të shpërfillur, të nëpërkëmbur, të shfrytëzuar deri në palcë. A reflektojnë ndonjëherë pushtetarët e shtetarët tanë, ministrat e deputetët, apo u duket e pabesueshme që një kategori e madhe e tyre në sektorin e shërbimeve, si banakierë, kamarierë e pastruese-pjatalarëse marrin vetëm nga 10-15 mijë lekë në muaj? Ndërkaq një kategori tjetër veçse nga 15-20 mijë lekë? Ndërsa në ndërtim, miniera e transport pagat nga 25-30 mijë lekë në muaj konsiderohen “të mira”?! Paga më e lartë mujore e punëtorit tonë, pushtetarëve e politikanëve VIP,-a nuk do t’u mjaftonte për një ditë!!
Opinion i nënshkruar: Avdyl Sulaj