Kur ra telefoni, ora nuk kishte shkuar dhjetë. Ishte doktori, telefononte nga spitali. Më pyeti, nëse, mund ta takoja atë ditë në orën dy. “Po… po, natyrisht”, thashë dhe e mbylla. E mpirë e tëra, nga dritarja e dhomës shikoja qiellin gri. Sytë nuk më shihnin asgjë.
Unë jam me AIDS! I madhi Zot, më ndihmo! Kujt mund t’i telefonoj që të kërkoj ndihmë? Dikush duhet të vijë me mua tek doktori. Nuk mund të jem vetëm, kur fjala të më ikë nga goja.
Që nga kjo sekondë, jeta, kurrë, nuk ka për të qenë për mua siç ishte. Jam dyzet e katër vjeçe dhe do të vdes. Brenda katër orëve do të marr dënimin. Jo, tanimë, atë e kam marrë. Ishte telefonata nga spitali.
Nuk i telefonova askujt. Thellë brenda vetes ndjej se ne të gjithë jemi vetëm, që nga lindja deri në vdekje. Këtë e ndjejmë, veçanërisht, në momentet më të rëndësishme të jetës. Ndihmën duhet ta gjesh thellë tek vetja, në energjitë e tua jetësore.
Mora autobusin. Shkova në punë, ashtu siç e kisha planifikuar. Nuk mbaj mend çfarë bëra atë ditë në punë. Atje isha me njerëz që i njoh dhe më duhej të dukesha dhe të veproja normalisht, ndonëse, kaosi ishte tërbuar brenda meje. U përpoqa të arsyetoj: Çfarë ka ndryshuar, tani, tek unë? Thirrja telefonike nuk ndryshoi asgjë. Kam shumë kohë që jam e sëmurë. Personeli i spitalit bëri çdo gjë, për të gjetur diçka që nuk shkonte mirë me trupin tim, por pa rezultat. Tani, e vetmja gjë e re është, se sëmundja ime ka një emër.
Doktori më priste. Gjithmonë, do ta kujtoj ashtu siç qëndronte atë pasdreke në krye të korridorit të gjatë, me duart e tij të hapura në një mënyrë që tregonin dëshpërim. E dashurova në atë moment, për humanizmin. Ai ishte i mërzitur dhe i shokuar, ashtu siç isha edhe unë.
Unë jam heteroseksuale, një grua në dukje “normale”, me formim akademik, e lindur dhe e ushqyer në anën me diell të shoqërisë. Nuk i takoj asnjë grupi me rrezik, që mendohet të kenë lidhje me AIDS. Vetë kërkova ta bëj testin dhe për këtë më ndihmoi sugjerimi i Vesës, motrës time. Ajo, diku kishte parë një fotografi të një pacienti shumë të dobësuar me AIDS dhe iu duk se ngjante me trupin tim të hollë. Gjithnjë, kam qenë e hollë, por në gjashtë muajt e fundit kisha humbur shumë kilogramë.
Doktori qeshi kur i kërkova të testohesha për AIDS, por ra dakord me mua, ngaqë kjo do të më qetësonte. Më morën gjakun. I kisha harruar të gjitha këto, deri atë ditë në mëngjes.
Doktori im, nuk ishte specialist për AIDS-in. Ne qëndruam për një moment me duart rreth njëri-tjetrit. Biseduam dhe përpara se të largohesha, ai rregulloi një takim me një specialist. Duhej të shkoja përsëri në spital, nesër në orën 9 në mëngjes.
Thirra një taksi. Shoferi, një burrë i moshës time, u bë nevrik nga trafiku. I binte gjatë borisë në çdo rast dhe ishte i irrituar me të gjithë njerëzit në rrugë. Më vinte ta goditja e t’i ulërija. Desha t’i thosha, se duhet të jetë shumë mirënjohës për çdo sekondë të jetës së tij, por e mbajta gojën mbyllur. Çfarë vlere do të kishte?
Që nga ajo kohë, në situata të ngjashme, kam reaguar me qetësi, pa zemërim. Zemërimin e kam larguar. Kush jam unë që duhet të zemërohem me njerëzit, vetëm, sepse ata bëjnë si të çmendur, ashtu siç bëjmë edhe ne të tjerët? Duket që kemi shumë kohë të lirë dhe ndjehemi të sulmuar nga kotësitë. Jeta na duket pa fund.
Më pas…
Përsëri në shtëpi. Një tjetër problem pret brenda derës. Si t’u thuash njerëzve që i ke të afërt se ti ke AIDS? Si t’i thuash nënës së moshuar, se vajza e saj është e sëmurë me sëmundjen më të frikshme të kohës tonë? Si t’i thuash motrës që e ke larg? Po vëllait dhe familjes së tij?
Po atyre miqve me të cilët ke ndarë kënaqësitë seksuale? Njerëzve, të cilët, paditur, mund t’i kesh tërhequr në këtë vend të panjohur të AIDS-it? A e kanë dhënë ata virusin në të tjerë, siç e mora unë? Me kë kam qenë? Kë duhet të paralajmëroj? Si do të jetoj e mbuluar nga faji, që këta njerëz që i kam dashur i kam futur në ferrin, në mes të cilit ndodhem? Jo, nuk jam fajtore. Nuk di të jem fajtore. Nuk mund ta dija. Intelektualisht, e kuptoj që nuk është çështje faji, por, emocionalisht… ndjehem e rënduar.
Siç ka ndodhur normalisht edhe më parë, njëri nga miqtë e mi të mirë, por jo intim, njëri nga ata që nuk është në “zonën time të rrezikut” më telefonoi.
-“Si jeni?”
– “Jam me AIDS”. Këto fjalë u thanë për herë të parë. Antenat u ngritën pa kaluar as pesë orë nga verdikti. Ai, fatmirësisht, reagoi bukur.
– “A mund të vi? Telefonomë në çdo kohë”.
Ai e mbajti premtimin, me telefonata të shpeshta dhe vizita. Faleminderit i dashur. Faleminderit, të gjithëve ju, që keni qëndruar me mua gjatë gjithë rrugës. Ju jeni qirinj të ndezur në errësirë. Ju i mbushni ditët e mia me ngrohtësi dhe i pasuroni ato.
Në atë kohë punoja me reklamat.
Vendosa t’ia thosha shefit, akoma, pa u mësuar mirë me fjalën AIDS. Komenti i tij i parë ishte diçka e tillë: “Oh, dreq”. Disa ditë më vonë u bë edhe më keq. Ai, në emër të kompanisë, më kërkoi ta ruaj sëmundjen sekret. “Ne, nuk kemi patur, kurrë, një tjetër me këtë sëmundje në kompani. Kjo mund të krijojë panik dhe po qe se do të vish përsëri në punë, kolegët do të të shohin si lebroze dhe do të kenë frikë të të afrohen”.
Ky ishte një bisedim i ndershëm por, gjithsesi, shokues. U ndjeva buzë një humnere të gjerë injorance dhe provova ndëshkimin që i bëhet çdo gjëje që është jashtë konvencionales.
Jo, zotëri, unë nuk do të jetoj anonime. Madje, krejt ndryshe, ndjej detyrimin të tregoj historinë time dhe me mënyrën time të thjeshtë, të ndihmoj të rrëzoj murin e tabuve që mbështjellin AIDS-in. Murin, që është ndërtuar mbi besimin se AIDS, është problem i njerëzve që nuk jetojnë “në mënyrë të merituar”.
Nënës, jo, asaj nuk mund t’ia them. Jo, akoma! Më duhet të mësoj më shumë për AIDS dhe situatën time. Dëshiroj, që kur t’i them të vërtetën, ajo të jetë e qetë dhe e ndjeshme si gjithnjë. Kur më vdiq babai gjashtë vjet më parë, në mes të natës, ajo qëndroi vetëm deri në mëngjes, me një kupë kafe dhe me cigaren e saj të pahequr. Vetëm në mëngjes më telefonoi mua. Mundet, ka dashur të jetë vetëm, me mendjen e përqendruar tek burri, që e deshi dhe jetoi me të për më shumë se pesëdhjetë vjet.
Motra dhe vëllai, natyrisht, ishin të shokuar dhe reaguan në mënyra të ndryshme, ashtu sikundër janë.
Motra, ka kohë që është larguar. Ne kemi shumë vite që grindemi hidhshëm, ulërijmë, qajmë por edhe qeshim. Këto sjellje kanë qenë të frytshme për të dyja dhe na kanë bërë të dyjave më të pjekura. Sot, ne këmbyem dashuri të ngrohtë, sepse e kuptuam dhe e njohëm më mirë njëra-tjetrën. U çliruam të dyja prej së kaluarës. Ajo u lotua, u pajtua me fatin dhe nxitoi tek unë. Donte të ishte me mua. Shkroi një ese, ku përshkruante frikën e saj për humbjen time dhe frikën se nuk do të jetë e fortë për të më ndihmuar. Me fjalë të tjera, psikologjikisht, ajo u pajtua me mua.
Vëllai ishte i pakënaqur dhe menjëherë filloi një proces të brendshëm represioni. Me atë, kurrë, nuk kemi patur ndonjë përplasje. Ai ishte i martuar me dy fëmijë dhe në fakt, unë jam më e afruar me gruan e tij, sesa me të. Marrëdhëniet tona nuk kanë qenë gjithmonë të mira, por gjithsesi të qeta, në mënyrën e tyre të tendosur. Ai rrallë më telefononte, por, kurrë, nuk më vizitoi, edhe pse ai jeton shumë afër me mua. Ai, kurrë, nuk foli për mua në shtëpinë e tij.
Mendoj, se në këtë mënyrë, ai kërkon me insistim të gjejë forcën për të refuzuar që unë jam e sëmurë. Unë e shoh traumën që ai ka përpara. Çfarë do të ndodhë kur unë të kem ikur? A do të ndjehet fajtor? A do të ndjejë që më braktisi? Si mund të them se sjellja e tij është në rregull, kur ne të gjithë sillemi sipas forcës që kemi brenda vetes? Nuk është çështja që ai të më dojë mua, po si mund të jetojë pa dashuri për motrën? Sjellja e tij u bë aspekti më i vështirë i marrëdhënies time me AIDS-in.
Më tmerronte mendimi se mund të kem dëmtuar, fatalisht, njerëz të tjerë, duke u dhënë virusin. Por, e pata një ngushëllim. Janë testuar si negativë. Pas kësaj, ata më kanë thënë se kjo gjëmë që i goditi në fillim, tani, u ka dhënë jetëve të tyre një dimension të ri. Ata janë të çliruar dhe të kënaqur që katastrofa ka kaluar. Vogëlsirat kanë pak rëndësi. Tani, ata e kuptojnë më mirë gjendjen time dhe kjo i bën të ndjehen më afër se kurrë me mua.
Unë, vetja ime
Javët e para, pasi mora dënimin fatal, kalova në një gjendje mendore, që do ta quaja euforike. Miqtë vinin dhe iknin. Telefonat binin dhe kokën e kisha plot me fjalë që vinin pafund. Ndjehesha më energjike, më e fortë dhe më e qetë. Ndjehesha më e çliruar, nga që tani e dija që kisha një sëmundje konkrete. Për shumë muaj, kisha kaluar nëpër ekzaminime që nuk zbuluan gjë, edhe pse isha e bindur që isha e sëmurë. Këtë e dinin edhe doktorët, që më kot kërkonin për kancer, derisa u analizua për AIDS ai porcion i vogël gjaku.
Fillova të grumbulloj informacionin e mundshëm për AIDS. Specialistja në spital, një grua e drejtpërdrejtë dhe mendje hapur, iu përgjigj pyetjeve të mia të panumërta, në mënyrën më të mirë të mundshme. Por një gjë kuptohej pa mëdyshje: doktorët, akoma, kanë njohuri të pamjaftueshme për këtë vrasës tinëzar.
Spitali më dha mjekime të cilat, fillimisht, hezitova t’i merrja, nga që dija se ato kanë efekte anësore. Kisha lexuar se ky lloj mjekimi, duhet të jetë zgjedhja e fundit, kur është bërë e qartë që çështja shtrohet për jetë ose vdekje.
Jetën, gjithnjë, e kam vlerësuar nga cilësia e saj dhe jo nga vitet sa ajo zgjat. Lashë mjekimet dhe për një kohë të gjatë u shkëputa me spitalin. Refuzova të bëhesha pjesë e statistikave të tyre. Preferova mjekësinë alternative dhe u përpoqa të rrit energjitë e mia jetësore, të cilat do të më mbanin gjallë.
Më vonë, kur shkova përsëri në spital, ata u treguan më të interesuar se më parë dhe donin të dinin për mjekimet e mia alternative. Më thanë: “të kemi pritur të vije e të kërkoje diçka nga ne”. E dija se nga asnjë prej barnave që merrja, nuk do të kisha dëm. Nuk prisja prej tyre efekte negative. Ndjej se ato më ndihmojnë. Disa herë, trupi im, luftoi me të ftohta dhe sëmundje të lehta. Duket se sistemi im imun funksionon akoma. Fillova mjekimin antiretroviral, që më rekomanduan mjekët.
Duhet të pranoj, se që nga periudha fillestare euforike, vazhdimisht, ka patur momente që ndjeja se vdekja më ishte afruar. Nga frika, shpesh, në netët e gjata kam qarë. Nuk kisha frikë nga vdekja, por e habitur si më ndodhi kjo, frikësohesha se a do të isha aq e fortë që ta lija këtë jetë me dinjitet dhe me integritet mendor të pacenuar?
Shqetësohesha, se a do të kem dhimbje aq të forta, sa do të më duhet të përdor barna kundër dhimbjeve, me efektet e tyre që mpijnë mendimin? A jam gati të vdes? A do të jem e zonja të shkoj pa zemërim? A jam kaq e fortë dhe plot vetëbesim, sa të shkoj nëpër këtë proces pa panik?
Që nga dita e parë, kam zgjedhur të bashkëpunoj e vetme me frikën dhe tërbimin. Për t’u ndjerë më mirë, mund të thërrisja dikë afër meje. Por, për mua, ishte e rëndësishme të bëja ashtu siç bëja kur isha fëmijë, kur akoma dhe hëna në qiell më tmerronte: Gjithçka, e kaloja vetë. Sa herë kishte hënë të qartë, që të mposhtja frikën ndaj saj, dilja në dritaren e një dhome të veçuar dhe e dredhur, e kundroja e vetmuar. Në fillim u bëmë të njohura dhe pastaj u miqësuam.
Ekuilibri i jetës u rivendos, por me një humbje. Humba jetën time seksuale. Trupi im, nga që është i sëmurë, nuk më pëlqente më. Rrëqethem sa herë mendoj për seksin, sepse ai është arsyeja dhe origjina e sëmundjes time, (ah, ajo intermexo e shkurtër me atë muzikantin e bukur, vite më parë!). Humba seksualitetin si shprehje e mrekullueshme e afeksionit dhe dashurisë. Ndjehem keq, sepse jam e paaftë të jap e të marr njërën nga dhuratat më të mira të jetës.
Kam, akoma, disa ditë plot me lumturi, ashtu siç kam ditë të tjera, që i quaj neutrale.
Por çdo ditë, fillon e mbaron duke bërë plot falënderime. Kam privilegjin të jem e gjallë dhe e zonja të gëzoj të gjitha gjërat e vogla të jetës. Reflektimin e qiellit në një pikë uji mbi fijen e barit. Gëzimin e jetës tek një fëmijë, madje, edhe tek një qen. Fjalët e bukura e të mençura që lexoj në shumë libra. Format e ndryshime që merr natyra. Muzikën që dëgjoj. Dhe mbi të gjitha, dashurinë dhe butësinë me të cilën jam e rrethuar.
Jam e privilegjuar që mësova se jeta ka kufizime dhe është detyrim të marrësh prej saj, sado pak, në çdo moment. Jam e privilegjuar që kuptova, se të gjitha ngjitjet dhe zbritjet e jetës duhet t’i presësh si dhurata, por jetën tënde, kurrë, mos e shpenzo sikur ta kanë dhuruar.
Ndjehem e rilindur. Për herë të parë, në të gjithë jetën time, i lejova vetes të jem unë, me më të mirën që mundem. Tani nuk ka më kohë për maskarada. Nuk ka më kohë për cikërrima. Nuk ka më kohë për politesën që ngjan me pandershmërinë dhe na bën të themi po, kur duhet të themi jo. Nuk ka më kohë që të bëj diçka, vetëm, se duhet ta bëj.
Ndonjëherë pyes veten: A duhet t’i detyrosh njerëzit rreth teje të pranojnë, gjithçka, që të ka ndodhur ty; kur je ti dhe vetëm ti, ajo që përcaktove mënyrën si e jetove jetën tënde?
Po, përgjigjem unë. Jo vetëm duhet, por është gjëja më e mirë që mund të bëhet Në të shkuarën, unë i dhashë, gjithkujt, më të mirën që mund të jepja. U dhashë veten time të vërtetë, madje, pa u ndrojtur, se ata që i desha mund të mos më donin. Për mua, kjo mënyrë të jetuari ishte mënyra e vetme ku jepet dhe merret dashuri. Pa pranuar çdo person (përfshi veten time), pavarësisht, individualitetit të tij të veçantë, nuk mund të ketë dashuri të vërtetë, nuk mund të ketë miqësi të frytshme.
Tani, siç e shihni, unë jam vetja ime. U tregova të vërtetën time dhe me mirënjohje do pranoja tuajën. D.M.
*****
I dashur lexues i DITA-s,
Kjo është historia e një gruaje të re, ashtu siç ajo e shkroi vetë. Duke vozitur në këtë det plot me ndjenja, kuptoni, se sëmundja e dobëson trupin, por lartëson shpirtin e kujtdo, që përpiqet t’i bëjë ballë me dinjitet asaj.
Dr.Adem Harxhi
Mjat prekese! Nje grua me integritet dhe e forte.
Njerezit duhet të kuptojnë rrezikun që fshihet diku dhe qe mundet heshtazi dhe fshehurazi t’ju hyje ne trup dhe t’ju ktheje jeten në një torturë të pafundme duke pritur per diten e fundit.
Njerëz jini të kujdesshem! Jeta jepet vetem nje here.
Rrofte kapitalizmi qe shpenzon ….mijra miliarda per armatime dhe …….disa qindarka per shendetesine!
FALENDERIME DOKTOR !
Faleminderit qe na sollet kete shkrim…Shume prekes dhe dinjitoz ! Nje histori qe ne cdo fjali ,permban brenda ,filozofine e jetes .I uroj zonjes ne fjale ,zoti qofte me te .
Nje shkrim , qe te tensionon , te solidarizon dhe te afteson , per te mos rrezikuar jeten , ne te tera veshtrimet . Autori I shkrimit dhe vete gazeta po I bejne sherbim efektiv shendet publik . Humanizmi dhe aftesa komunikuse e mjekut kane shenuar nje maje te larte , qe nuk ishte arritur nga ndonje shkrim tjeter me natyre te ngjashme . I. Foto
Dr. Harxhi, e ke shkruar bukur. Kam menduar se mund te shkruash mire. Ketu je treguar nje Cvajg “i ri” me “letren e nje ta panjohure”. Natyrisht, perballja e personazhit eshte tjeter, eshte me nje armik te jetes.
Para se njeriu te mendoje perçmimin arrogancen ose skllavrimin e tjetrit duhet te mendoje se jeta e tij dhe e tjetrit eshte vlera me e madhe e jetes dhe se jeta eshte prova se si e respektojme ate para njerezve dhe Zotit . Shoqeria e konsumit dhe pasurimit mbi tjetrin po largon njeriun nga njeriu .