Finlandezi me Lotus starton botërorin me fitore, Alonso e Vetel në podium
Kimi Raikonen ka fituar garën e parë të botërorit në Formula 1, në Grand Prix të Melburnit, Australi. Piloti finlandez i Lotusit i befasoi të gjithë, teksa arriti fitoren surprizë, në një kohë që të gjithë parashikonin një fitore të kampionit Sebastian Vettel, i cili startoi në pole position. Raikonen u shfaq agresiv në pjesën e dytë të garës, atëherë kur shumë pilotë nuk kishin strategji të qartë mbi gomat. Në vendin e dytë doli Fernando Alonso, ndërsa piloti tjetër i Ferrarit, Felipe Masa, u rendit i katërti. Midis tyre, në vendin e tretë, doli Vettel. Një garë pozitive edhe për Lewis Hamilton, ndër më agresivët në pistë dhe me gjithë problemet teknike arriti të marrë vendin e pestë në garën e Australisë. Zhgënjimi më i madh erdhi nga McLaren, me Button në vendin e nëntë dhe Perez në të 11-tin. “Ne krijuam një plan të mirë dhe iu përmbajtëm atij. Skuadra ka bërë një punë të shkëlqyer dhe gjithçka në fund doli më së miri”, tha fituesi Raikonen. Lotus vendosi për dy pit stop, gjë që rezultoi si strategjia e duhur, ndërsa të tjerët u detyruan të hyjnë tri herë në bokse. “Ishte gara më e lehtë që kam fituar. Shpresoj ta përsëris edhe herë të tjera gjatë këtij kampionati”. Ndryshe nga finlandezi, Vettel është shprehur i pakënaqur me gomat dhe punën e skuadrës për to. “Pas dy apo tre xhirove në të cilët eca mirë, gomat u bënë copë dhe nuk kisha shpejtësinë e të tjerëve. Dy hyrje në boks ishin plotësisht jashtë planit”, tha kampioni gjerman. Alonso u pa i kënaqur me vendin e dytë: “Jam shumë i lumtur. Edicionin e kaluar e nisëm shumë keq, ndërsa sivjet jemi optimistë. Do të jemi rivalë seriozë. Synimi ynë ishte të ngjiteshim në podium dhe ia arritëm”.