Kryeministri Edi Rama inspektoi pasditen e së hënës fazën e dytë të punimeve për ndërtimin e bypass-it të Durrësit, një investim me vlerë 8 milionë euro, financuar nga Fondi Saudit për Zhvillim. Kryeministri ka karkuar nga kompania intensitet maksimal të punës për të përmbyllur këtë projekt në afatet e parashikuara në kontratë.
“Gjëja që ne e kemi shqetësim është që duhet t’i japim intensitet maksimal punës, dhe këta duhet të vishen me kostum dhe me kaska jo vetëm kur vjen Ministri me Kryeministrin, por duhet të vishen me kostum e me kaska ditën dhe natën dhe duhet të punojnë në mënyrë sistematike në bazë të kontratave.Ky lloj “teatri” këtu se po vijmë ne, nuk duhet të jetë “teatër”, duhet të jetë e përditshmja e punës së kompanisë. Deri tani kemi pasur objektivin që të garantojmë borxhet që ju kemi, të garantojmë edhe financimet për të vazhduar punën. Ndërkohë që tani që edhe borxhet e garantuara edhe financimet për një pjesë janë të garantuara, të gjithë duhet t’i përgjigjen një më një kushteve të kontratës dhe duhet të jenë në krye të detyrës, drejtuesit e kompanive, supervizorët, Drejtoria e Rrugëve, të gjithë me radhë që të bëjnë punën”tha Rama.
Projekti i bypass-it të Durrësit parashikon ndërtimin e mbikalimit në rreth rrotullimin e Shkozetit, që lidh atë me autostradën Tiranë – Durrës, si dhe ndërtimin e kolektorit të grumbullimit të ujërave në zonën e Plepave. Bypass-i i Durrësit parashikohet të përfundojë në muajin qershor 2014, ndërsa punimet për ndërtimin e tij rifilluan në muajin janar 2014, pas një ndërprerje për arsye të mosrealizimit të procesit të shpronësimeve në zonën e rreth rrotullimit të Shkozetit.
Gjatë vizitës së tij në Durrës, Kryeministri Rama është ndalur në një kompani Call Center e cila ka hapur 200 vende pune, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për qytetin e Durrësit. I shoqëruar nga Ambasadori Italian, Massimo Gaiani dhe nga Ministri Veliaj, Rama ka folur me të rinjtë dhe të rejat e punësuar në këtë kompani. Kryeministri është njohur nga ambasadori Gaiani lidhur me nevojën e përhapjes së gjuhës italiane ndër brezat e rinj, pasi kompanitë e reja italiane të cilat do të vijnë të investojnë në Shqipëri kanë interes për profesionistë e teknicienë që njohin këtë gjuhë