Ashtu siç ishte paralajmëruar dje, konferenca për shtyp live në Tuiter e kreut të opozitës ka nisur në mesditë. Rama i është përgjigjur pyetjes së parë të ardhur nga ndjekësit. Në lidhje me frikën e manipulimit të votës më 23 qershor, Rama u përgjigj: “Jam i bindur se do të fitojë bindja se çdo votë vlen. Sa më shumë në votim, aq më pak mundësi për manipulim”.
Pyetje të tjera dhe përgjigjet e Ramës
Besnik Hasanaj: Si emigrant do të dëshiroja që çdo parti të futet në zgjedhje pa aleatë. Që të mos bëhen kompromise e pazare.
Rama: Jemi përballë një regjimi. Duhet një front opozitar pa paragjykime. Prioriteti ynë është largimi me votë mbarëpopullore i këtij regjimi.
Geri Burn: Pas sa kohësh që do të vini në pushtet do të vendosni subvencionin për energjinë elektrike për personat me aftësi të kufizuara?
Rama: Jemi angazhuar për uljen e taksës mbi energjinë në 6 për qind. Por fillimisht duhet të ristrukturojmë sektorin. Dhe jo disa të paguajnë e disa jo.
Andi Musta: Aleancat parazgjedhore do të jenë vetëm majtas apo më gjerë? Ka një strategji për ruajtjen e votës?
Rama: Sot ndarja s’është majtas djathtas, por regjim-opozitë. Opozita duhet të bëjë front të gjerë nga e majta në të djathtë për rotacion.
Ismail Ademi: Pse jo një takim çdo javë në Tuiter që tani e deri në zgjedhje? 30 minuta javore për cicërimat e shqipove
Rama: Ide e mirë, do ta mendoj seriozisht.
Edlira Kukali: Çfarë opinion keni për Bashën si kryetar bashkie?
Rama: Më kujton Tit Sojlin, marifetçiun e rrugëve të Tiranës që gjente derdimenë dhe u shiste çfarë nuk kishte. U pat shitur Sahatin disa herë.
Editaelira: A është e mundur që PS për zgjedhje të bëjë koalicion me FRD?
Rama: FRD duhet të çlirohet nga kompleksi se bashkimi në frontin opozitar mund të shihet si tradhti. Barazlargimi ndihmon regjimin.
Franc Llakaj: Çfarë e përligj koalicionin me LSI-në? Sepse shqiptarët më shumë se duan rrëzimin e Saliut, s’duan rilindjen e vjedhjes me zë e figurë.
Rama: LSI duhet të zgjedhë. Patericë e regjimit apo krah opozitar! Duke zgjedhur opozitën do të bënte edhe një akt vullneti të mirë për t’u ndarë nga hija e një të shkuare të palavdishme në pushtet.
Matilda Qosja:Kam mbaruar mësuesi me master. Kur ju të vini në pushtet a do të arrij të punësohem pa paguar 5 mijë euro?
Rama: Kjo pyetje e ka përgjigjen brenda, ndryshe për çfarë po flasim. Ky është ndryshimi ku besojmë.
Ceco Labi Kapedani: A eshte e vërtetë që keni vetëm 3 000 euro pasuri?
Rama: Jo pasuria ime s’është 3 mijë EU. Është spekuluar turpshëm me një deklaratë kursimesh. Po pse sa mund të kursejë në vit nga rroga një zyrtar i lartë? Në djall kush s’beson!
Bela Elba: Si ka mundësi që kursimet tuaja janë vetëm 3000 euro?
Rama: S’jetoj për të bërë para, po për të mos ikur pa lënë gjurmë!
Agimhoxha: Do bëhet aleancë me LSI? Dhe ç’qëndrim kemi për Çamërinë dhe detin?
Rama: Jemi partia që marrëveshjen e detit e kemi çuar në Gjykatë Kushtetuese si antikombëtare. Dhe e kemi rrëzuar! Flasin faktet për ne. Jemi e vetmja alternative reale qeverisëse që çështjen çame e kemi futur në programin tonë qeverisës. Të tjerët i kujtoi fushata!
Gjelosh Kasa: A ekzistojnë mekanizma që neutralizojnë qëndrimet politike të KQZ, në dëm të zgjedhjeve dhe vullnetit politik të shqiptarëve?
Rama: Po! TË FITOJMË ME NJË DIFERENCË TË PACENUESHME NGA ÇFARËDO INSTRUMENT MANIPULIMI! Fjala vjen +10 e Tiranës ta bëjmë +10 mijë:-)
Tea Selmanaj: A do t’ju tregohet vendi atyre të paaftëve, militantë partie që kanë uzurpuar të gjitha institucionet kur të vijmë në pushtet??
Rama: Kush e ka vendin e punës pa meritë s’do e mbajë dot. Taksat s’mund të përdoren për të mbajtur me rroga e majmur ushtarët e partisë.
Alban Tahiri: Po heq një paralele me Francën. Depardieu vs Hollande. Ç’do të ndodhe me “Depardieu-t” tanë pas 23 qershorit? Faleminderit
Rama: S’ka paralele të mundshme! Supertaksa për të stërpasurit në Francë nuk hyn gjëkundi me Shqipërinë e me planin tonë të taksimit.
Tela Paluka: Si mund të pretendoni se jeni i pastrehë z. Rama?
Rama: S’kam qenë kurrë i pastrehë. Por kam pasur fatin të mos rri në një vend, falë miqsh që më kanë ofruar mikpritje në kohë të beqarisë sime pa derte. Tani po ndërtojmë edhe ne një shtëpi.
Rama: Konferenca e parë për 2013, live në Tuiter. Pyetjet i bëjnë qytetarët
Kreu i PS-së paralajmëron konferencën e parë të shtypit për vitin 2013, e cila do të zhvillohet sot, në orën 12:00. Por ndryshe nga konferencat e zakonshme, të cilat Rama zakonisht i mban të premteve, ajo e të dielës do të ketë në rolin e gazetarëve vetë qytetarët.
Rama do t’u përgjigjet pyetjeve live në Tuiter. Rama e hodhi fillimisht idenë dje në një mesazh të postuar në profilin e tij dhe pasi pa reagimin pozitiv të ndjekësve vendosi që konferencën ta zhvillojë në ditën kur njerëzit kanë më shumë kohë.
“Ide: A e bëjmë në Tuiter konferencën e parë të shtypit për këtë vit, me pyetje nga të gjithë ju? Pres reagimet/ pyetjet tuaja për të vendosur”, shkroi Rama fillimisht. Pak më vonë erdhi edhe përgjigja nga kreu i opozitës.
“Reagimet janë të panumërta. E drejtë të përfshijmë pyetjet nga FB përmes një adrese Tuiter e hapur enkas për të kaluar pyetjet e tyre”.
“Atëherë konferencën do ta bëjmë live nesër, e diel 6 janar, në 12:00. Vazhdoni të çoni pyetjet përmes Tuiterit ose në Facebook”.
Mendimi im personal eshte qe duhen bere shume ndryshime dhe ndryshimi i pare
duhet te jete tek ju vete si kryetare i opozites. A e dini se c’fare do te thote opozite:
ajo qe te ngreje njerzit peshe per te jetuar jeten qe s’e jetojne dot ashtu si kudo ne
bote, se njerzit jane te barabarte kudo qe jane dhe jo nen urdherat e njerezve qe
mendojne vetem per interesat e tyre personale. Me vjen keq per cdo njeri qe shpreson
dhe nuk arrin asgje vec jetes rutine, kur vjen uji, s’ka apo ka drita, dita e pensionit……
Eshte e tmershme te shtyhet jeta keshtu e te thuash po jetoj. Kjo duhet te ndryshoje,
si dhe kur kete nuk e di, por shpresoj, shpresoj, dhe si une jane shume.
Ju lutem shume, mendoni per ne qe akoma shpresojme.