“Krimi vrau një tjetër shërbëtor të shtetit”, u shpreh sot kreu i selisë rozë në lidhje me vrasjen e shefit të krimeve të Burrelit, Musa Skura. Gjatë një prononcimi për mediat, Rama tha se gjendja e sigurisë në vend është shumë e keqe, ndërsa lufta e policisë me krimin i ngjan një ndeshjeje të shitur futbolli. Sipas Ramës, kjo vjen për shkak të politizimit të policisë, një veprim ky që ka larguar profesionistët nga radhët e saj.
“Krimi vrau shërbëtorin e shtetit. Policia e Shtetit është e tradhtuar, e abuzuar, e rrënuar. Raporti profesionalizëm-klientelizëm partiak është përmbysur kokëposhtë dhe këto janë rezultatet. Kupola drejtuese është e inkriminuar dhe e paaftë. Ministri i Brendshëm është një partiak i rëndomtë i llojit më të keq, papagallon kryeministrin sa herë del në ekran dhe merret vetëm me vendosje njerëzish në struktura për zgjedhjet. Brenda policisë, këto dhe shumë më tepër se këto dihen. Lufta e tyre me krimin sot është si një ndeshje futbolli e shitur nga pronari i skuadrës. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë është fryrë mbi dyfish, duke u kthyer si një komitet partie ku janë sistemuar gjithfarë militantësh. 200 drejtorë me kompetenca të mbivendosura, që s’merret vesh kush bën çfarë. Janë drejtorë që nuk drejtojnë, por drejtohen, disa herë në një rrugë tjetër, në një kohë që në anën tjetër i hapet rruga krimit”, tha Rama.
“72 për qind e shqiptarëve mendojnë se gjendja e sigurisë në vend është e keqe. Kur PD erdhi në qeveri evidentoheshin 8250 krime, në 2012-n u evidentuan 20688 krime. Vit pas viti kemi një mesatare rritje prej 1500 krimesh. Policia e ka gjendjen si asnjëherë tjetër jashtë kontrollit pas vitit ‘97. Kemi koeficientin e vrasjes për banorë më të lartin në Europë”, tha Rama.
Duke u ndalur te pagesat e punonjësve të policisë, Rama ngriti shqetësimin e përsëritur të këtyre të fundit, të cilët prej kohësh ankohen për pagat e ulëta dhe mosshlyerjen e pagesave të orëve shtesë nga shteti. Sipas kryesocialistit Rama, me ardhjen në pushtet pas zgjedhjeve të 23 qershorit, qeveria e re do të nisë punën për ringritjen e dinjitetit të Policisë së Shtetit.
“Në 300 ditët e para të qeverisjes sonë shqiptarët do të shohin me sytë e tyre një polici shteti që nuk e kanë parë asnjëherë. Policia e Shtetit do vihet në shërbim të qytetarëve si një garanci për sigurinë e tyre. Nëse loja nuk shitet në kupolën e Ministrisë së Brendshme, skuadra e Policisë së Shtetit fiton në çdo ndeshje me krimin dhe kriminelët”, përfundoi Rama.