Fotoja e djeshme ku shfaqen drejtuesit më të lartë të policisë së bashku me vrasësin e kryekomisarit Dritan Lamaj fakton se kupola e policisë në këtë vend është organizata më e rrezikshme kriminale. Kryesocialisti Rama tha sot se fotoja tregon arsyet se përse komisarët vriten rrugëve. Rama tha se personat në foto duhej të ishin shkarkuar, ndërsa ministri i Brendshëm duhet të japë dorëheqje. Kreu i selisë rozë tha se korrupsioni ka rrënjë të thella në polici, ku merren para për para për shkarkimet e drejtuesve të policisë.
“Fotoja tregon se policia është e kapur në grykë nga korrupsioni. Ajo luan me jetën e qytetarëve dhe të policëve,” tha Rama.
“Alibia e djeshme e Kuliçit famëkeq dhe e deklaratave të Burgajt hileqar janë mëshirimi i policisë së shtetit. Dorëheqja nga hetimet është mënyrë e padenjë për të fshehur të vërtetën që duket haptas nga alibia e zv.drejtorit dhe nga deklarata vetëdiskretituese e drejtorit për ndodhinë. Ndërsa heshtja e Ministrit të Brendshëm është kapaku i një historie që duhet të vazhdojë me dorëheqjen e të treve minimalisht. Kjo trio është mallkimi i Policisë së Shtetit, fytyra e tradhtisë së përditshme, dora e rrënimit të saj, truri i korrupsionit dhe kontrabandës që e ka kapluar, veshi që merr fjalë nga krimi dhe goja që i çon fjalë krimit”, shtoi Rama.
Kryesocialisti tha se qeveria nuk është më në gjendje të mbrojë qytetarët e vet, por i braktis ata në mes të rrugës.
“Sigurisht kjo ka bekimin dhe dijeni e kryeministrit, që pas vrasjes bëri deklaratë për teknologjinë 4G, kurse sot priteni të akuzojë opozitën. Ja pse komisarët këputen rrugëve dhe asnjë nuk ndryshon, ja pse është thyer ekuilibri në favor të krimit, ja pse shteti është tërhequr dhe krimi ka marrë yrysh në bashkëpunim me kupolën drejtuese. Kupola e policisë është një organizatë e frikshme kriminale, më e rrezikshmja. Kjo qeveri nuk garanton më jetën e qytetarëve, asnjë liri të tyre përkundrazi luan çdo ditë me jetën e qytetarëve dhe i braktis ata në mes të rrugës. Kjo qeveri nuk garanton dot as ushqimin e fëmijëve, duke dhënë deklarata qetësuese me përmbajtje të gënjeshtërt”.
Mos harroni TREBICKËN; kuliçërit e Saliut e vranë, ata e hetuan, ata i prishën provat, ata e “expertuan”, dhe të gjitha u bënë për të shpëtuar Saliun dhe Xenin e Saliut.