Kryesocialisti Edi Rama thotë se Berisha vazhdon të kopjojë programin e Partisë Socialiste. Duke iu referuar vendimeve të sotme të qeverisë, Rama shprehet se kryeministri ka kopjuar idenë e socialistëve për heqjen e TVSH-së për makineritë bujqësore dhe vlerësimin e sportit si urë bashkimi kombëtar.
Në profilin e tij në Tuiter, Rama e nxit Berishën të vazhdojë me kopjimin e të gjitha pikave të programit të PS-së deri në qershor, kur vetë socialistët do të realizojnë një tjetër pikë, atë të largimit të tij nga pushteti.
“KM vazhdon kopjimin e programit tonë me heqjen e TVSH për makineritë e me sportin si urë bashkimi kombëtar… E inkurajoj të kopjojë më tej! Të heqë taksën e biznesit të vogël. Të heqë akcizën e naftës bujqësore. Të pesëfishojë financimin për bujqësinë. Të akreditojë universitetet… Të bëjë të paktën kaq deri në qershor kur me votën e një shumice dërrmuese ne do realizojmë pikën e programit për largimin e qeverisë së tij”, shkruan Rama.