Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka prezantuar sot në Elbasan programin e partisë së tij për rimëkëmbjen e sektorit të shëndetësisë. Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve në takim, Rama u shpreh se ky sistem ofron shërbime të dobëta, ndërsa me paratë e tij është abuzuar pa fund. Rama solli në vëmendje episodin e ndodhur pak ditë më parë në Burrel, ku si pasojë e një rënie tensioni, Rama u trajtua për gjysmë ore në spitalin e këtij qyteti.
“Para pak ditësh, në Burrel më vunë te pediatria. Më kuruan nga një gjë, u sëmura nga i ftohti. Ngrohjen në spitalin e Burrelit e fiku Nano, e ngriu Saliu”, tha ai.
Rama tha se me shërbimin shëndetësor që ofrohet në vend, shqiptarët dalin nga spitali si dele e rrjepur, pasi korrupsioni dominon kudo.
“Nuk ka filluar tani e keqja, ka filluar para 20 vitesh, në këto 7 vjet është kancerizuar. Sot është centralizuar kontrolli politik mbi gjithë strukturën e sistemit shëndetësor. Po ju them sot me bindjen se me më pak, ne do të bëjmë më shumë. Për paratë sot që shpenzohen për shëndetin 800 milionë dollarë në vit, shërbimi është shumë herë më i ulët” tha Rama.
Rama shtoi se pas 23 qershorit, skema e funksionimit të shërbimit shëndetësor do të ndryshojë tërësisht.
“Ne besojmë që sistemi i sotëm i bazuar në kontribute ka falimentuar. Sistemi që është marrë dhe është bërë pjesë e jetës sonë sot ka falimentuar pasi në 20 vjet vetëm 7 për qind e shpenzimeve për shëndetësinë vijnë nga sigurimet, gjithë pjesa tjetër vjen ose vetëm nga xhepi ose nga taksimi i përgjithshëm. Ne do ta ndryshojmë skemën në themel dhe shqiptarët nuk do të paguajnë për të kontribuar, por do të kontribuojnë kolektivisht për sistemin dhe kjo do të ndodhë nëpërmjet shtetit”, tha Rama.