Institucionet e huaja financiare vlerësojnë se ekonomia jonë po ecën në ritmet e parashikuara. Raporti i djeshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) vlerëson që ekonomia jonë për vitin 2015 do të jetë në nivelin e rritjes 3 për qind, ndërsa Standart & Poor`s ka konfirmuar vlerësimin në B/B të borxhit afatgjatë dhe afat-shkurtër të vendit tonë.
Rritja mbetet 3%, prioritet ulja e huave me probleme
Për vendin tonë FMN i qëndron parashikimit që rritja do të mbetet 3% për vitin 2015, i njëjtë me pritshmëritë e janarit. Për vitin 2016 rritja pritet të përshpejtohet në 4%. Edhe në afatin e gjatë, Shqipëria pritet të rritet me norma modeste, për të arritur në 4.5% në 2020, kjo sipas tabelave të publikuara në raportin e FMN-së. Për vitin 2015, nga vendet e rajonit rritjen më të lartë pritet ta ketë Mali i Zi me 4.7%, i ndjekur nga Maqedonia me 3.8% dhe Kosova me 3.3%. FMN pret që rritja në Europën juglindore të përmirësohet në vitin 2015 dhe 2016, e udhëhequr nga rimëkëmbja e pasojave të përmbytjeve në Serbi dhe Bosnjë dhe përmirësimi i punësimit në shtetet e tjera. Raporti rekomandon që mbështetja e kërkesës së brendshme duhet të mbetet një prioritet, veçanërisht në vendet që kanë lidhje të forta me zonën e euros. Shumë shtete kanë nevojë që të mbajë kushte të lehtësuara të politikës monetare, ndërsa amortizatorët fiskale po rikrijohen aktualisht. “Progresi në uljen e stokut të lartë të huave më probleme është një prioritet për pjesën më të madhe të vendeve. Përmirësimi i trajtimit ligjor e taksor dhe fshirjes së huave, siç janë përshtatur së fundmi në Shqipëri dhe fuqizimi i ristrukturimit të borxhit dhe kuadrit ligjor të ekzekutimit të kolateralit janë thelbësore”, theksohet në këtë raport. Sipas raportit të FMN-së, rritja globale parashikohet të jetë 3.5% për vitin 2015, në linjë me parashikimin e rishikuar të janarit. Ashtu si dhe vitin e kaluar, panorama për ekonomitë e zhvilluara po përmirësohet, ndërsa rritja në tregjet në zhvillim pritet të jetë më e ulët, duke reflektuar kryesisht perspektivën më të dobët për disa vende të mëdha në zhvillim dhe për shtetet eksportuese të naftës.