Gerard Pique, qendërmbrojtësi i Barcelonës dhe përfaqësueses spanjolle ka turbulluar sërish ujërat tek skuadra e Spanjës dhe e gjithë kjo ndodhi pikërisht disa ditë përpara ndeshjes mes përfaqësueses iberike me kombëtaren shqiptare për eliminatoret e Botërorit 2018.
Futbollisti 30 vjeçar shfrytëzoi rrjetin social Twitter për të shprehur mbështetjen e tij për procesin e votimit në referendumin e pavarësisë që do të zhvillohet në Katalonja në 1 tetor.
“Që nga sot e deri të dielën të shprehemi në mënyrë paqësore. Të mos u lëmë asnjë shteg për të vepruar, pasi ata këtë duan”, tha Pique duke iu referuar autoriteteve qeveritare në Spanjë, “dhe do të këndojmë me zë të lartë dhe të fortë” një mesazh që u shoqërua edhe me hashtagun: Do të votojmë.
Postimi i mbrojtësit katalanas u komentua edhe nga kapiteni i përfaqësueses spanjolle Sergio Ramos, me këtë të fundit që e kritikoi veprimin e Pique.
“Postimi në Twitter i Pique nuk është gjesti më i mirë për të evituar fërshëllimat e tifozëve”, tha Sergio Ramos, “nuk është gjë e mirë edhe për kombëtaren, megjithatë çdokush është i lirë të thotë që atë mendon”.
Sergio Ramos dhe Gerard Pique do të vihen në dispozicion të Lopeteguit ditën e hënë për ndeshjen e 6 tetorit me kombëtaren shqiptare, me Spanjën që siguron kualifikimin direkt për në Botërorin e Rusisë në rast se fiton ndaj kuqezinjve.
Trajneri i Kombëtares së Spanjës, Julen Lopetegui duke komentuar këtë çështje deklaroi se: “Të hënen Pique do të stërvitet me ne dhe nuk mund të them asgjë më shumë për këtë. Gerard lë shpirtin në fushë kur vjen me ne”.
Dp Zoti Pique na le ndonje gol dhe ja fusim Spanjes