Britani
Të hënën hynë në fuqi masa që modifikojnë radikalisht ekonominë e qytetarëve në Mbretërinë e Bashkuar. Konservatorët në pushtet pretendojnë se do të shpenzohet më pak, por laburistët i kanë kritikuar ashpër duke i cilësuar si “fillimin e fundit”
Një nga reformat më të mëdha në Britaninë e Madhe gjatë 60 viteve të fundit hyri në fuqi më 1 prill. Nëpërmjet saj qeveria e David Kameronit e përbërë nga konservatorë dhe liberaldemokratë synon ta bëjë sistemin e taksimit dhe ndarjes së subvencioneve më të drejtë e më të thjeshtë. Objektivi kryesor i reformës është që të ndalohen personat të cilët zgjedhin të mos punojnë që të përfitojnë nga sistemi i subvencioneve i vënë në dispozicion për të varfërit.
Reforma është kritikuar shumë dhe hyrja e saj në fuqi është cilësuar nga laburistët dhe shtypi si “fillimi i fundit”. Sipas tyre, ato që do të goditen më rëndë do të jenë familjet e varfra dhe ato me persona me aftësi të kufizuara. Masat do t’iu kushtojnë familjeve një mesatare prej 900 sterlinash në vit, sepse taksat do të rriten me një mesatare prej 138 sterlinash në vit për rreth 2.4 milionë familje, ndërsa ato që kanë të ardhurat më të ulëta do të detyrohen të paguajnë taksa për herë të parë.
Një nga masat më të diskutuara që ka hyrë në fuqi, është e ashtuquajtura “taksa e dhomës së gjumit”, që vendos shkurtime të subvencioneve mbi shtëpitë për familjet që kanë një dhomë më shumë në krahasim me nevojat e tyre. Kjo prek rreth 600 mijë familje që humbasin rreth 14% të rimbursimit javor dhe 25% nëse dhomat e tepërta janë më shumë se një. Por laburistët mbështesin argumentin se një dhomë më shumë është një nevojë, mbi të gjitha për familjet që kanë persona me aftësi të kufizuara. Objektivi kryesor i kësaj norme është nxitja e familjeve që të jetojnë në shtëpi me përmasa të përshtatshme, duke liruar hapësirat për familjet e mëdha. Kështu do të kursehen 465 milionë sterlina.
Një masë tjetër parashikon që asistencën ligjore falas do ta marrin vetëm familjet me të ardhura poshtë 32 mijë sterlinave në vit. Të dëmtuar do të dalin të divorcuarit dhe emigrantët, por shteti do të kursejë 350 milionë deri në 2.2 miliardë sterlina në vit.
Ndryshim rrënjësor do të pësojë edhe sistemi shëndetësor kombëtar. Strukturat sanitare publike që menaxhojnë shërbimet primare të kurimit e që thithin 80% të fondeve të vëna në dispozicion, do të zëvendësohen nga shërbimi privat mjekësor. Do të jenë profesionistët në shëndetësi ata që do të administrojnë burimet për të blerë barnat, pajisjet dhe për të garantuar shërbimet dhe kurat ndaj pacientëve.
Shkurtimet e vendeve të punës në sektorin publik do t’i lejojnë shtetit të kursejë rreth 5 miliardë sterlina deri në 2015-n. Gjithashtu, subvencionet sociale, të kërkuara nga rreth 5.9 milionë familje britanike, nuk do të administrohen më nga Departamenti i punës dhe i pensioneve, por do të drejtohen në nivel lokal me një reduktim të përgjithshëm të fondeve me 10%.
Subvencionet për personat me aftësi të kufizuara do të përllogariten jo më në bazë të sëmundjes, por në bazë të limiteve dhe dëmtimeve të personit. Do të goditen rreth 9.5 milionë familje që marrin rreth 165 sterlina në vit, por për shtetin kjo do të thotë një kursim prej 2.3 miliardësh deri në 2016-n.
Norma e re më popullore është reforma që do të aplikohet prej 15 prillit në mënyrë eksperimentale në lagjet londineze të Brumlit, Kroidonit, Enfildit dhe Haringit dhe që përcakton se në asnjë rast personat nuk do të marrin nga shërbimet sociale më shumë para se të ardhurat mesatare vjetore familjare të barazvlefshme me 26 mijë sterlina. Masa do të futet gradualisht edhe në bashkitë e tjera britanike derisa të bëhet plotësisht operative. Ministri i Punës, Ian Dunkan Smith, thotë se që tani ajo ka shtyrë 7000 familje “të përveshin mëngët” për t’u punësuar, por sipas laburistëve kjo do të bëjë që 80 mijë familje të mos jenë në gjendje të paguajnë qiranë. Përgatiti: Dorina Gjuzi